Opinione

Ateizmi politik antishqiptar i kohës moniste - Nga Artan Fuga

Ateizmi i viteve ‘60, ‘70, ‘80 ishte edhe antishqiptar. Ndërkaq në identitetin kombëtar shqiptar ka marrë pjesë dhe përfytyrimi rilindas mbi Zotin.

Çfarë domethënë që shqiptarët kanë venë kombin mbi besimin? Tezë që fyen, na nxjerr të pabesë e të pafe. E përsërisim mekanikisht të rrënjosur nga propaganda ateiste, kriminale, pa e kuptuar se çfarë do të thotë.

Gjejeni provën se ne nga natyra jonë e përjetshme nuk jemi të zotët të arrijmë te përfytyrimi abstrakt i Zotit, por për zot kemi ndjenjën kombëtare. Gjejeni provën që Rilindasit e paskan thënë këtë! 

Ku janë faktet veç propagandës ateiste që na ka mykur mendjet që të provojnë këtë dogmë që kështu e kanë mësuar dhe vazhdojnë ta mësojnë në shkolla?

Mos e ngatërroni me faktin që në shoqëritë moderne, scientiste, si te ne, si kudo në Evropë dhe më gjerë, me zhvillimin e shkencave, të materialitetit, të shoqërisë postindustriale, lidhja e njerëzve me fenë, e kam fjalën për atë lidhjen e drejtëpërdrejtë me besimet fetare, u zbeh. Ky është një fakt i modernitetit të sotëm si kudo në vendet e përparuara edhe te ne.

Por të thuash se edhe në shekujt e kaluar, kur formësohej përkatësia jonë kombëtare, shqiptarët nuk besonin edhe aq në Zot, se e shkelmonin fenë përpara ndjenjës nacionaliste - kjo nuk ka asnjë, po asnjë provë, fare.

Kjo dogmë u është ngulur shqiptarëve, pra neve, për arsye që t'i mbajnë nën presionin e propagandës politike. U është rrënjosur në tru shqiptarëve dhe me të ata rrahin, poshtërojnë, fshikullojnë vetveten. E quajnë vetveten të pabesë dhe të pafe.

Çfarë domethënë "të vesh një formë të ndërgjegjes mbi një gjë tjetër?". Çfarë domethënë të vesh një ndërtim identitar mbi një tjetër? Keni lexuar teoritë e interaksionizmit simbolik të Goffman, të cilat prej një shekulli qendrojnë në bazë të këtyre reflektimeve, apo mbesim te ateizmi vulgar politik i kohës moniste?

Pse nuk themi se shqiptarët nisën t'i kombinonin këto të dyja, pra besimin dhe identitetin e përbashkët shqiptar, pra si identitet kombëtar nisën të thonë jam shqiptarë, si besimtarë të thonë jam kështu e ashtu, bektashi, katolik, mysliman, ortodoks? 

Pse nuk themi se shqiptarët i kombinonin besimin dhe përkatësinë kombëtare, por themi se ata vinin këtë mbi atë?

Çfarë domethënë që në ndërgjegje të vesh një gjë sipër një tjetre? Çfarë është ky koncept mekanik, hapësinor për fenomene të ndërgjegjes që nuk ekziston në hapësirë? Çfarë është kjo që shpirtin kolektiv e përfytyrojmë si depo drush?

Pse francezët si bënin? Po zviceranët si kanë bërë? Po italianët a nuk quheshin italianë pavarësisht se çifutë, katolikë, protestantë? Po sirianët, irakianët, libanezët? Ku është diferenca jonë që na bëjnë pa besë e pa fe?

Gjejeni këtë koncept "dru me pre" te Rilindasit? Atë, "sipër", "mbi" e formuloi propaganda totalitare dhe studjues të molepsur prej saj, apo mercenarë të saj.

Kur Rilindasit thoshin se për kombin më e rëndësishme se kisha e xhamija është shqiptaria, sigurisht ata ishin kundër përçarjes fetare që ka bërë kërdinë, ndryshe nuk do e kishin shqetësim. Ajo edhe sot është shumë e fortë, mos harroni!

Por feja nuk mund të barazohet me institucionin fetar. Këtë e di edhe seminaristi më i fundit në një kolegj fetar.

Rilindasit folën, dhe unë përmend konceptin e Zotit, përtej imazhit të veçantë të një teqeje, kishe apo xhamije. Tjetër koncepti i Zotit në filozofi dhe tjetër predikimi i institucionit dhe i klerit. Nocioni i Zotit si te Platoni, te Spinoza, te Hegeli, te Kanti, etj. Këtë bënë filozofët shqiptarë rilindas. Madhështorë.

Mos ngatërrojmë nocionin filozofik mbi Zotin me predikime fetare institucionale në një periudhë të caktuar.

Ta lëmë Konicën, këtë "vagabond intelektual", se çfarë thotë për Naimin, ishte apo nuk ishte poet Naimi nuk e përcaktonte as Konica, askush tjetër. Nuk e përcakton kritiku, aq më pak kur ky është "intelektualisht dhe politikisht skizofren", se çfarë është poeti, pra Naimi, poet gjigand i kohës. Aq më shumë kur kritiku letrar është grindavec dhe nuk do asnjë të jetë mbi të. Por, tjetër çështje parimore kjo.

Pra, nuk jam aspak i mendimit që ka prova që shqiptarët vunë atdheun mbi Zotin, se janë të veçantë për këtë nga popujt e tjerë. Pse çfarë kanë bërë polakët, sllovakët, sllovenët, etj?

Ata, mendimtarët rilindas i shkrinë Atdheun dhe Fenë në një, kundër përçarjes kombëtare dhe fetare. I dhanë Zotit një kuptim që qëndronte në të përbashkëtën e feve, respektuan besimin fetar mes shqiptarëve dhe i integruan në një shqiptarizëm që e integron konceptin e Zotit, në identitetin shqiptar.

Mjafton t'i studjojmë mirë, jashtë klisheve të ateizmit të viteve ‘60, ‘70, ‘80, që bënë kërdinë në shkolla dhe në albanologjinë staliniste, sovjetike.

Për të kuptuar gjithçka, të çlirojmë trurin nga një ateizëm antishqiptar që fyen shqiptarët!

©Artan Fuga