Opinione

Meditime: Kontrasti i madh - Nga Ethem Ruka

Për gati 40 vite të regjimit komunist shkollimi jashtë vendit i studentëve u besohej vetëm republikave socialiste lindore, si Bashkimi Sovjetik (BRSS), Gjermania Lindore, Bullgaria, Çekosllovakia, Hungaria, Rumania e më vonë Kina, madje edhe Korea e Veriut.  

Gjithmonë kam pyetur veten si qe e mundur që Shqipëria e viteve 1970-80 të hapej drejt Perëndimit për studime pasuniversitare. Ende sot nuk e kam të qartë.  Aty nga vitet 1970, një grup pedagogësh të rinj nga Fakulteti i Shkencave Natyrore, si Rexhep Meidani, Skënder Gjinushi, Niko Peja dhe Eduard Plasari qenë të parët që u shkolluan në Francë. Në fund të viteve 70-të gryka e thesit u hap edhe më shumë. Shumica e pasuniversitarëve, përfshirë dhe mua, u dërguam në Francë e më pak në Itali, Suedi dhe Austri.

Franca ishte dhe mbetet vendi i një historie, kulture e demokracie të madhe. Mendja jonë e burgosur e atyre viteve nuk arrinte të imagjinonte ndryshimin drastik mes Francës kapitaliste dhe Shqipërisë socialiste.

Ne vinim nga vendi më i izoluar në botë, vendi i diktaturës së rreptë të proletariatit ku ndërtohej socializmi si hallka e ndërmjetme mes kapitalizmit dhe komunizmit. Ishim mësuar me pronësinë kolektive mbi mjetet e prodhimit, me mungesën e pronës private, me luftën e ashpër të klasave si burim zhvillimi, me gjithçka të centralizuar në mënyrë të tejskajshme, me mungesën e lirive për t’u shprehur e vepruar, me mungesën e besimit fetar, me letërsi dhe art të realizmit socialist, me frikën se mund të sulmoheshim nga NATO, me shërbim ushtarak të detyruar, me zboret për stërvitje ushtarake, e sa e sa gjera të tjera. Ndërkaq ishim mësuar me arsimin dhe shërbimin mjekësor falas, me edukim parashkollor falas, me punësimin e gjithë të diplomuarve nga shteti, me strehimin falas etj.

Pa dyshim, që për ne ishte goditës kalimi nga një vend tërësisht i mbyllur, në një vend tërësisht të hapur ndaj botës, si Franca, ku lulëzonin të gjitha rrymat filozofike, të gjitha rrymat e  letërsisë e artit, me pluralizëm politik, me ekonomi të  lirë tregu, me konkurrencë të ashpër në çdo fushë të jetës, me institucione fetare, me zgjedhje të lira, me institucione për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me nje shoqëri të zhvilluar tregu, me lirinë për të protestuar, me sindikata të fuqishme, me banka private, me infrastrukturë moderne, me supermarkete e dyqane të mbushura plot e për plot me mallra cilësore, me  sistem arsimor e mjekësor shumë të zhvilluar, me kërkim shkencor konkurrues me vendet e tjera të zhvilluara të botës, e plot gjëra të tjera të kësaj natyre.

Ne nuk shkuam për të studiuar shkenca politike a filozofike, por mjedisi në të cilin jetuam e studiuam ndikoi pak nga pak për të rrëzuar muret e rënda brenda vetes. Për herë të parë pamë greva masive studentësh e sindikatash, për herë të parë pamë dhe kuptuam si funksiononte pluralizmi i ideve, pamë debate të fuqishme televizive mes forcave politike dhe sindikatave e përfaqësuesve të qeverisë, pamë atmosferën e fushatave elektorale dhe takuam njerëz të lirë për t’u shprehur e vepruar. Ishte koha e figurave të mëdha politike si ajo e presidentit të djathtë Valery Zhiskar d’Esten (Valery Giscard d’Estaing) e pas tij të presidentit të majtë Fransua Miteran, (François Mitterrand).

Aty kuptuam se sistemi ynë komunist nuk mund të prodhonte dot engjëj duke e pastruar shoqërinë vazhdimisht nga kundërshtarët e vet që u dënuan e persekutuan. Ky qe një eksperiment i dhimbshëm i “seleksionit artificial” të Darvinit ose edhe i eugjenizmit, i zbatuar në shoqërinë njerëzore. Kuptuam se iniciativa e lirë dhe jo centralizimi ishin burim zhvillimi, se njeriut kur i jep lirinë i ke dhënë gjithë mundësinë të skulpturojë veten dhe gjithë shoqërinë.

I gjithë ky ndërgjegjësim qëndronte i fshehur në ndërgjegjen e secilit prej nesh. Ai nuk duhej ndarë me askënd, madje as me të afërtit dhe as me familjarët. Vërtet mund të mendoje se ishe larg syve dhe veshëve të mjedisit shqiptar të atyre viteve, por e dinim se askush nuk mund t’i shpëtonte dot vëzhgimit. Ishte koha kur duhej ruajtur edhe nga shoku e miku më i ngushtë.

Njëherë, dy miq të mi shumë të afërt, pasuniversitarë si edhe unë, më erdhën në dhomën ku banoja të bërë çakërqejf nga ndonjë gotë vere që kishin rrëkëllyer atë mbrëmje. Kishin pirë aq sa autokontrolli e kish humbur fuqinë. Filluan të më flisnin për varfërinë e tejskajshme në Shqipëri, për standardin e e ulët të jetesës, për vuajtjet e njerëzve e plot gjëra të tjera. I dëgjova me kujdes dhe po mendoja se po më provokonin. Ku i dihej. Një kallëzim në ambasadë dhe të nesërmen mund të rikthenin nga kishe ardhur dhe duhet të jepje llogari për ato që kishe vjellë. Unë i kundërshtova, duke i këshilluar se nuk ishte mirë të shanin vendine tyre. Ata insistuan në të tyren, ndërsa unë në timen. Të nesërmen kur ishin esëll i kapa një nga një dhe u rikujtova bisedën që kishim bërë në mbrëmje. U thashë se atë bisedë nuk duhet ta bënin me askënd tjetër nëse donin të mbaronin studimet në Francë. Ne të gjithë mendonim në të njëjtën mënyrë, por nuk mund të vinim në rrezik veten dhe familjet tona.

Ne dinim se letrat tona dhe të familiarëve tanë hapeshin e kontrolloheshin. Nuk ishte e vështirë ta kuptoje, kur shikoje se avulli që përdorej për të shkrirë ngjitësin e zarfit dëmtonte shkronjat e shkruar me bojë. E dinim që përmbajtja e letrave mund të interpretohej si propagandë antikomuniste dhe elozhe për sistemin kapitalist, ndaj shkruanim me kujdes dhe vetëm për probleme familiare.

Para pak muajsh, një miku im që studion arkivat më thotë se vëllait tim Petrit Ruka, në vitet që unë studioja në Francë, i ishte hapur një dosje nga organet e Sigurimit të Shtetit. Nuk e besova. Një ditë të bukur miku im më solli përmbajtjen e dosjes. E lexova dhe mbeta i shtangur nga përmbajtja. Gjithçka ishte qesharake, por për kohën e rrezikshme. Im vëlla, mësues atëhere në gjimnazin e Tepelenës, fliste i shkujdesur me shokët për tema të ndryshme por edhe për Francën. E lexova gjithë kuriozitet përmbajtjen e kallëzimeve nga informatori dhe u bëra shumë kurioz të dija kush ishte. Mu duk e pamundur ta mësoja kush ishte, por jo shumë kohë më vonë fati më ndihmoi.

Një profesor i afirmuar me shumë vepra, mik i tim vëllai dhe i dashuruar mbas poezive të tij, kish zbuluar informatorin. Ai ishte një koleg i vëllait, jo tepelenas dhe me biografi jo të mirë. U zhgënjeva shumë për të. E doja shumë atë mësues dhe e vlerësoja për përkushtimin në punë. Për fat të mirë vëllain tim, Petritin, nuk e dënuan, por e thirrën në Degën e Punëve të Brendshme dhe e “këshilluan” se nëse e përsëriste më e dinte çfarë e gjente atë dhe gjithë ne të tjerët. Petriti nuk është më dhe nuk e mësoi kurrë se kolegu që kish ndarë tavolinat me të kish dashur ta groposte së gjalli. Çfarë kohësh!

Vitet bënë punën e tyre dhe pas mbarimit të studimeve u kthyem sërish në Shqipëri. Ne ishim brez idealistësh që e deshëm dhe e duam pa kushte vendin tonë. Erdhëm me dëshirën për të ndryshuar gjërat dhe bëmë më të mirën e mundshme brenda mundësive të kohës që ofronte Shqipëria e atyre viteve. Kur lamë shkëlqimin e Parisit dhe u kthyem në Tiranë gjërat nuk ishin përmirësuar, përkundrazi përkeqësuar. Propaganda nuk mund të mbulonte dot më dështimet në ekonomi dhe standardin e jetës. Ne ashtu si dhe gjithë qytetarët e vendit mund të përtypnim nëpër dhëmbë pakënaqësinë, por nuk u bëmë disidentë duke ia lënë gjërat kohës. 

U desh të kalonin edhe 7-8 vite që sistemi komunist i Lindjes të rrëzohej. Shqipëria qe e fundit që përjetoi dhimbje të forta për të lindur sistemin demokratik. Kasta drejtuese e kohës ishte shumë konservatore për ta kuptuar se kishte ardhur fundi. Ramiz Alia, udhëheqësi i fundit i regjimit komunist, me siguri luajti rol të rëndësishëm për të bërë një tranzicion më të butë e pa përplasje të mëdha sociale. Ai u ndodh në udhëkryq mes konservatorizmit të udhëheqjes së atëhershme dhe zemërimit popullor që sa vinte dhe rritej. Mesa duket, ai kish vendosur që ca gështenja të nxehta t’i nxirrte edhe me duart e të tjerëve që mbështesnin regjimin, por kishin funksione akademike.

Artikulli i Zërit të Popullit të vitit 1990 “Në kërkim të kohës së humbur”, shkruar nga kardiologut i dëgjuar Ylli Popa, bëri shumë bujë. Koha e ndryshimit kish mbërritur edhe për Shqipërinë. Pati edhe shkrime e intervista të tjera. Në të njëjtën linjë ishin intervista e Fatos Nanos në Zërin e Amërikës, por edhe shkrime të Dr. Sali Berishës. Asnjëherë nuk e kam kuptuar nëse këta zëra ishin të pavarur, apo porosi të Ramiz Alisë. Më shumë prirem t’i besoj variantit të dytë.

Një ditë më erdhi edhe mua një gazetare e “Zërit të Popullit” dhe më kërkoi një shkrim. Mu duk e habitshme, sepse dikur ishte thuajse e pamundur të botoje qoftë edhe një shkrim të vogël në këtë gazetë. Për më tepër, unë nuk kisha asnjë prirje politike, por vetëm pasion për botën e shkencës. E kuptova që linja editoriale e “Zërit të Popullit” kish filluar të ndryshonte. E bëra shkrimin duke shprehur mendimin tim se si e shikoja të ardhmen e vendit. Shkrimi u pëlqye, dhe gazetarja më erdhi për herë të dytë. Mu lut të shkruaja sërish. Shkrova përsëri.

Ndoshta ata artikuj u bën shkas që të ftohesha pas një viti në forumin më të lartë drejtues të të Majtës shqiptare, kur paradoksalisht gazetarja që më mori artikujt u bë e djathtë.