“Sindroma” e Isa Mustafës - Nga Enver Bytyçi
Isa Mustafa në vitin 2015, 2016 dhe 2017, kur është biseduar dhe nënshkruar marrëveshja për hapjen e Urës së Ibrit ka qenë kryeministër dhe si i tillë nogociatori kryesor i këtij procesi me Serbinë. Aso kohe u bë gati gjithçka, deri te riparimi dhe testimi i urës. U caktua edhe data e hapjes së saj. Por Ura e Ibrit është ende sot pas 7-8-9 viteve e mbyllur. A ka përgjegjësi Isa Mustafa pse sot qeveria dhe kryeministri i Kosovës do të duhet të zgjidhin një problem të lënë pa zgjidhje nga ish-kryeministri i Kosovës? Çdo mendje e hapur dhe me logjikë do të pohojë se po, zoti Mustafa e ka përgjegjësinë kryesore, pse Ura e Ibrit nuk u hap në datën e caktuar me marrëveshje të ndërkombëtarëve, të nënshkruar nga Serbia dhe ai vetë.
Por fatkeqësisht ish-kryeministri Isa Mustafa dje ka bërë kritika të ashpra ndaj kryeministrit Kurti dhe qevrisë së tij, pikërisht për debatin dhe diskursin që zhvillohet sot për hapjen e urës. Madje ai kërkon që çështja e urës duhet lënë menjanë. “Nuk është se s’kemi shumë e shumë probleme më të mëdha për t’i zgjidhur dhe për të treguar efiçencën e qeverisë”, shkruan ai. Që do të thotë se hapja e Urës së Ibrit për akademikun Mustafa nuk është me rëndësi, nuk duhet të jetë prioritet. Duhet lënë për momentin, pasi “qeveria ka probleme më të mëdha për të zgjidhur”. Ndërkohë ai e di se çdo qeveri gjithmonë ka shumë probleme në zgjidhje. Vetëm qeveritë që korruptohen dhe u japin tendera djemve të tyre, nuk kanë asgjë për të zgjidhur. Vetëm qeveritë e korruptuara nuk kanë asnjë shqetësim, nëse punohet ose jo për jetën e qytetarëve.
Në këtë kuptim zoti Mustafa përpiqet të gjejë një alibi për të mos u marrë me hapjen e Urës së Ibrit. Por ajo që më shqetëson ka të bëjë me faktin se pse ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së, sot president nderi i saj, i kërkon qeverisë Kurti të mos merret me Urën e Ibrit. Ka disa arsye logjike që mund t’i shohim. Mund të jetë fakti se ai kërkon që pozitat politike dhe elektorale të zotit Kurti të dobësohen. Hapja e urës i rrit këto kredite. Kjo do të ishte më pak e dëmshmja. Por ka mundësi që Grennell të ketë futur metastazat deri te Isa Mustafa për të toleruar sovranitetin serb në Veri të Kosovës, me qëllim që një ditë Kosova të ndahet sa më lehtësisht. Eshtë përgjegjësia e tij ta sqarojë pozicionin që mbron.
Megjithatë, si hipokrit dhe konformist i kualifikuar, zoti Mustafa kritikën e tij për përpjekjet e Albin Kurtit për hapjen e urës i lidh me reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shkurt, ai josh amerikanët që të angazhohen në rrëzimin e Albin Kurtit dhe ringritjen e miqve të tij në pushtet. Se bizneset me paratë e buxhetit të shtetit do të duhet të rriten. Thotë se “retorika e qeverisë dhe e ndërkombëtarëve për këtë çështje është e frikshme. Të sjellësh SHBA në situatë të të thonë se nëse i rrezikoni ushtarët tanë, ne do t’i marrim të gjitha veprimet për t’i mbrojtur ata, nuk do koment. Kosova nga miku i ngushtë i shtetit që e çliroi dhe e bëri të pavarur, me këtë lidership u transformua në një vend që pretendon se rrezikon ushtarët amerikanë dhe evropianë. Ky është shërbimi më i madh që mund ti bëhet Serbisë dhe aleatëve të saj”, thotë Isa Mustafa. Po kush do t’i rrezikojë ushtarët amerikanë? Hapja e një ure? Përrallë nga e kaluara!
Dhe si për të dashur ta ekulibrojë këtë qëndrim të lartpërmendur, ai shkruan gjithashtu se bisedimet për urën në Bruksel janë të pakuptimta. Pra, ndërsa u kundërvihet kërkesave të Brukselit, shpreh shqetësim të madh pse Kurti nuk “koordinohet”, më saktë nuk pranon diktatin e Uashingtonit. Unë e di dhe zoti Mustafa e di më mire se unë, se nuk është çeshtja e urës së Ibrit, por është problem i Trepçes dhe pasurive në Veri të Kosovës. Pazari është bërë: 30 përqind Serbia, 40 përqind SHBA dhe 30 përqind tri vende të BE. Por ky pazar nuk është i leverdisshëm për europianët. Përveç Francës, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk janë të kënaqur me akte të tilla. Për 40 përqindshin e SHBA zihen Grennell dhe Sorosi. Sepse Vuçiç ua ka premtuar të dyve, natyrisht bazuar në kontributin që ata japin për t’ia dhënë Serbisë këto pasuri.
Pavarësisht kësaj Isa Mustafa ngre alarmin: “Albini po na prish me Amerikën dhe ky është shërbimi i tij më i madh për Serbinë”. Por kjo bie ndesh me anën tjetër, atë që ka të bëjë me ruajtjen dhe forcimin e sovranitetit të shtetit në Veri dhe gjithë territorin e vendit. Puna ka ardhur të zgjedhësh midis dy të këqijave: Të prishesh për çeshtjen e Veriut me Amerikanët, apo t’ia japësh Veriun Serbisë. Cilën do të zgjidhte Isa Mustafa?
Marrëveshjet që ai dhe Thaçi kanë nënshkruar me Serbinë dëshmojnë se këta të dy kanë zgjedhur servilizmin ndaj amerikanëve dhe copëtimin e territoreve të Kosovës.
Fatkeqësi, që Isa Mustafën e shoqëron edhe sot e njëjta sindromë!
© Enver Bytyçi