Kolumnist

Korrupsioni dhe kaosi, si enë komunikuese - Nga Vangjush Saro

Shqipërinë e paraqesim si një rast unik në rrugën drejt BE-së; por realisht ajo ka probleme të rënda. Kaosi politik dhe ai i pasigurisë nuk po e lëshojnë qytetarin e mbëthyer nga korrupsioni galopant dhe patronazhistët. Nga lart Shqipëria lë përshtypjet më të mira, por po të provosh të jetosh do gjesh: Kaos, krim, korrupsion, pasiguri, rrugë të ngushta dhe me gropa, trafik skandaloz, bërtitje, plehra. Ndaj, largimi nga vendi mbetet alternativë për shumë qytetarë.

Qeveria shqiptare, kjo e socialistëve po them, ka rënë. Në një këndvështrim të sinqertë, vërtet ka rënë; madje disa herë. Por edhe pse pikërisht për këtë arsye jeta bëhet gjithnjë më e vështirë e, në mos kështu, plot pikëpyetje, kryeministri i Shqipërisë vijon “të këndojë”. (“Ai që këndon, i lehtëson hallet e tij.” M. Servantes.) Vendi gjendet në një situatë ankthi. Kaosi politik, ai i pasigurisë dhe, po aq kaosi urban, janë dhimbje që nuk po e lëshojnë qytetarin shqiptar.

Ka kaq shumë argumente në këtë temë. Mendoj që në fillesë të kësaj gjendjeje, është korrupsioni galopant dhe degjenerimi i administratës. Korrupsioni prodhon kaos. Administrata jo që nuk e menaxhon dot, por me raste, e mbështet… E si mund të mendojmë ndryshe? Z. Rama “e lanë” keq të vetët: ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj, ish-ministri i Brendshëm, ai i Shëndetësisë, kryetari i bashkisë më të madhe në vend, tash edhe zëvendëskryeministrja aktuale. Kaq, që të mos e ulim stekën te zëvendësministra, deputetë, drejtorë drejtorish dhe “agjentë” e nëpunës gjithfarë…

Megjithatë, Kryeministri ka zgjedhur të vazhdojë përpjekjet reale dhe propagandën sureale; pak a shumë siç thotë ajo fjala: “dhe i vetëm, trim në luftë”. Ndër mjetet apo manierat që ai parapëlqen dhe përdor për t’u ikur kritikëve dhe kritikave, janë sofizmat; pra, dhënia e argumenteve që s’kanë lidhje drejtpërsëdrejti me një çështje, por e mbajnë protagonistin larg thelbit të konfliktit apo detyrimit për shpjegime të qarta. Kështu, faktin që bashkëpunëtorët e tij kryesorë kanë pasur dhe kanë punë me Drejtësinë, ai e cilëson si një gjë që - në fund të fundit - tregon se institucionet janë të pavarura, ja… po përballen me njerëzit tanë të të gjitha niveleve. Kjo është (gati sa nuk thuhet kështu) kjo është një arritje (!) Dreq o punë! Ka ardhur një kohë që termat manipulohen keq fare nga magjistarët e politikës; kështu edhe me fjalën “arritje”, që shpesh merr kuptim grotesk.

Gjithnjë për ta lehtësuar veten edhe më shumë në këto situata të vështira, kryeministri zgjedh të bëjë spektakle; bie fjala, një lloj spektakli ishin… mbledhjet e përbashkëta mes Qeverisë e Kosovës (Ku-ku!) dhe tani ajo me Qeverinë Italiane. Shfaqje dhe asgjë tjetër! Gjithashtu, kryeministri shtegton nëpër forume të botës ku, nga njëra anë, përpiqet të bëjë detyrën, por ndonjëherë të duket sikur jep mend dhe u tregon të tjerëve si bëhet demokracia dhe si mund të pretendosh të hysh në BE, edhe pse je i baltosur kokë e këmbë, etj. Është bërë fiksim tanimë ky objektiv, që megjithatë duket si një përrallë e bukur, me kalue ca orë (orë?) të vështira. (“Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë.” F. Kafka) Se ç’lidhje ka BE-ja me atë farë korrupsioni që nuk ndalet në Shqipëri, ec e gjeje.

Kjo sjellje e sforcuar e z. Rama dhe pasuesve të tij, është, si ta them, një punë me gjysmë zemre. E paraqesim Shqipërinë si një rast unik në rrugën drejt BE-së; por realisht ajo ka probleme të rënda të përmbajtjes politike, jeton pasiguri, konflikte të panumërta dhe prapambetje në pjesët që nuk kanë lidhje me shfaqjet, me bujën. Po ta shikosh Shqipërinë nga lart ose nga dritaret e bareve dhe restoranteve luksoze, ajo të lë përshtypjet më të mira; brenda vetes, ajo fsheh shumë vuajtje dhe ngërçe. Pasiguri dhe tmerr në mes të ditës e në pikë të vendit, pranë Aeroportit?! Por ka edhe detaje të tjera, (në dukje më të parëndësishme, por që janë pjesë e kaosit.) Qendra llamburit… Por provo të ecësh në ndonjë nga rrugët dytësore të kryeqytetit: Trotuare të ngushta dhe gropa-gropa, trafik skandaloz, zhurma soj-soj, bori makinash e motorësh, bërtitje, plehra.

Meqë ishim këtu, le t’i themi gjërat siç janë. Në përgjithësi, ato, plehrat, hiqen, madje edhe dy herë në ditë-natë; por prapë kazanët qelbin rrugën, qentë e rrugës gjithashtu. Ka përmirësime të ndjeshme në furnizimin e popullatës me ujë, dritat nuk ikin si dikur, disa shërbime janë sjellë në kohë. Megjithatë, mbi qytetarin dhe qytetarinë rëndon gjatë gjithë kohës smogu, madje edhe më keq se kaq: frika, gënjeshtrat, buja, zhurmat, zhgënjimet. Vendi dhe qytetaria janë mposhtur nga ky kaos, prej të cilit nuk po ikim dot. Vendi dhe qytetaria janë në ankth për shkak të konflikteve që nuk zbuten asnjëherë dhe, po ashtu, ngaqë jeta e përditshme, siç edhe u përpoqëm ta vizatojmë më lart, është e pasigurt, tejet e ngarkuar, tejet e vështirë.

E përsëris, në gjithë këtë parashtrim, nota “maksimale” i takon korrupsionit. Megjithë zhurmën marramendëse, megjithë pagesat e majme për lloj-lloj institucionesh (që duhej të ishin parandaluese) krimet dhe korrupsioni nuk ndalen, vazhdojnë lart; kurse qytetaria bën poshtë. Korrupsioni dhe kaosi janë bërë si ato enët komunikuese. Dhe kështu, ka humbur besimi për më tej; ka humbur qetësia. Largimi nga Shqipëria mbetet ende një alternativë për shumë qytetarë, që ndjehen të lodhur, të pashpresë dhe, pse jo, të tradhtuar. Mes atyre që ikin, shumë janë të shkolluar, të etur për një jetë të qetë, madje një pjesë edhe ekspertë e profesionistë që Shqipëria nuk i ka me shumicë. Nuk di saktësisht çfarë ndodh sot, mbase ka ndonjë zbythje, uroj ashtu, por jo shumë kohë më herët, në gjysmën e parë të vitit 2022, sipas statistikave zyrtare, ardhjet nga Shqipëria, Afganistani dhe Irani përbënin më shumë se gjysmën e totalit të përgjithshëm të klandestinëve që kishin gëluar në Britaninë e Madhe(!) Kurse ne vazhdojmë e bëjmë batuta dhe mbledhje artificiale…

Jemi në kaos; dhe ky lyp një zgjidhje. Por këtu, pikërisht këtu, është më e keqja: Zgjidhjen (them se) e kanë në dorë pikërisht ata që i krijuan këto halle… Ne të tjerët, thjesht shprehim ndonjë opinion. Por a janë të ndërgjegjshëm ata për çfarë kanë dreqosur dhe qysh bëhet më tej, kjo ha diskutim. (“Dy udhë u ndanë atij pylli/ dhe unë mora atë që s’ish rrahur shumë. Dhe ajo solli gjithë ndryshimin.” R. Frost)

© Vangjush Saro - Vancouver