Kolumnist

Hendeku i thellë mes dy shteteve shqiptare - Nga Ilir Levonja

Kur në shkurt të 1999-ës shqiptarët kurorëzonin shtetit e tyre të dytë Kosovën, asgjë nuk më ka cëmbitur më shumë se një ndjesi e ligë për një përçarje të mundshme, një e tillë që do na vinte në provë përpara Amerikës dhe aleancës së NATO-s. Kryesisht edhe para opinionit mbarë botëror si në një lloj testi se janë apo nuk janë të aftë shqiptarët të ndërtojnë shtetet e tyre, të konsolidohen organikisht në territorin e një Shqipërie natyrale dhe jo të tezës Shqipëri e madhe.

Kjo kishte pengun e vet për arsye se memoria ruante ca indicje se si kryeministri në ekzil i Kosovës Bujar Bukoshi anashkalonte një gazetar duke i thënë se këto insinuata i shkojnë Tiranës dhe jo Prishtinës. Bëhej fjalë për ca atentate mes shqiptarëve ndërkohë që Kosova qe përfshirë në luftën për liri. Nga ana tjetër presidenti historik Rrugova e kish kthyer Tiranën në një tranzit aeroportal, jo si vendin amë ku të kishte rezidencën e tij. Thuhej se Rugova dhe Berisha nuk flisnin me gojë. Të vinte keq ta besoje pasi historia jonë fillonte keqas që me qasjen internacionale kur Enver Hoxha këshillohej nga jugosllavët. Ku diku tërthorazi dhe diku drejtpërdrejtë asgjësoi çdo grimë të pluralizmit për hatër të jugosllavëve. Shembujt i keni me shumicë nga Kokolarët, deri tek Mithad Frashëri etj.

Ishin këto arsyet që Sejfulla Malëshova do i pohonte Petro Markos se jemi parti e terrorit dhe jo e pikëpamjeve. ''Kujdes kur të flasësh Petro se këta të q.... nënën''. Tirana e shikonte Prishtinën me një mbushje mendje aq sa një akedemik i Kosovës me të drejtë shkruante se e keqja nuk na ka ardhur asnjëherë nga i huaji, por nga esnafi ynë politik. Nuk e kishin njohjen e kulturën e mjaftueshme këta emra, të mos e dinin këtë? Sigurisht që e kishin, por faktori në shtetin amë kurrë nuk e ka pranuar të jetë prirja e frymës kombëtare pasi ka dashur të identifikojë veten si krijues të saj. Dhe kjo është theqafja më klasike që vazhdon akoma edhe në këto kohë moderne të globalizmit. Në një farë mënyre të gjitha kishin një origjinë, zhvokjen e çështjes kombëtare me karriken, pushtetin personal a bythën e vet.

Shqipëria vinte nga një përvojë e shkëlqyer e kësaj kulture vrasëse, kësaj kulture otomane ndaj kishin kohë që vrisnin njëri-tjetrin ku shembulli më i gjallë është Hasan Prishtina. Më ka cëmbitur kjo ndjesi për faktin se Shqipëria jonë me studiot arkaike e trajton Kosovën si truall të huaj sa është e turpshme të dëgjosh nga kryeministri i Kosovës të të thotë që do ishte mirë që Shqipëria të ishte konsultuar me ne për taksën në rrugën e Kombit, mund të gjenim një gjuhë të përbashkët për krijimin e një fondi të mirëmbajtjes.

Është e turpshme sepse karshi atyre fasadave të takimeve të të dy qeverive, e kupton menjëherë se sa i thellë është hendeku mes dy shteteve të shqiptarëve. Në fund të fundit, dy shtete që nuk arrijnë të mirëmbajnë një arterie kombëtare, qoftë si simbol të unifikimit, për çfarë mbrojtje territoriale mund të flasin? Sot bota mbarë i njeh të gjitha versionet në mirëmbajtjen e rrugëve, si ato me konçesione, si ato me ndërmarrjet shtetërore. Shqipëria megjithëse sipas Sali Berishës do e bënte rrugën e kombit edhe duke shitur bizhuteritë e grave, qeveria Rama pikërisht nga aty nisi me forcë konçesionin rrugor. Vinte nga përvoja e një dhune denoncimi mbi shpërdorimin e fondeve, aq sa ia shpifi shqiptarëve të Kosovës dëshirën për të parë vendin amë. Nga ana tjetër askush nuk hyri në burg, askush nuk u dënua, veç shqiptarët e Kosovës me një taksë që nuk e zëvendëson asnjë vlerë monetare sa kohë që prek të vetmen vizë nga projekti për riunifikimin e shqiptarëve në Shqipërinë natyrale.

Pra nga koha e shpalljes së pavarësisë, cëmbitjes së ligë për një përçarje të mundshme, të pashmangshme mes vedit i erdhi dita. Sot bota virtuale shqiptare sidomos ajo në Kosovë ka një indinjatë karshi Edi Ramës në lidhje me deklaratat e tij rreth vetëizolimit të shqiptarëve në Kosovë, Kosovës etj. Deklarata e Edi Ramës në lidhje me vetëizolimin e Kosovës, ka hapur një debat të panevojshëm mes shqiptarëve. Ose më saktë mes dy qeverive a liderëve këtej dhe andej kufijve. Një debat që nuk i shërben askujt veç ideatorëve të linjës përça e sundo në kalendat e Ballkanit perëndimor dhe më tej.

Nuk është asgjë tjetër, por vazhda e tezës së mësipërme se për bythën e vet lidershipi i Tiranës ja lëron nënën me qejfin më të madh edhe vetë çështjes kombëtare. Nëse lidershipi në Kosovë nuk e ka kuptuar këtë do të thotë se është infektuar nga Tirana. Skupet janë të modës në Tiranë. Bëhet zhurmë denoncimesh dhe aty rrinë. Nga ana tjetër prirja qytetare është e lidhur shumë pas njëshave ndaj e kanë të pamundur rrotacionin. Në Kosovë nuk ndodh kështu, kësisoj rrijini larg Tiranës zyrtare dhe sidomos kësaj të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Ndryshe keni në rënë në grackën e zgjatjes së pushtetit të tyre, sidomos Edi Ramës.

Shoh shumë indinjatë në faqet personale tuajat por më dhimbet, më vjen t'ju kujtoj se po bëheni të paaftë si shqiptarët në dheun amë. Na mëshironi dhe kaq se neve na ka plasur cipa me kohë, jemi me shumicë teknokratë, unionista të Perandorisë Otomane, ish-Jugosllavisë, Bashkimit të Republikave Sovjetike, Kinës së Maos, nuk ka atdhe për ne. Atdheu tek ne fillon dhe mbaron tek shallvaret e Ramës, xheli i Lulit që mban ca leksione me nga 10 veta dhe pret radhën.

Shqipëria për momentin do një opozitë që të thyen brinjët, por nuk e ka. Ashtu sikundër nuk ka edhe një votues që të ha nofullat. Ka një votues që voton një person për 16 familjarët e tij, mjafton t'i japësh 100 mijë lekë të vjetra dhe aq. Shqipëria amë feston më 29 nëntor ditën e Çlirimit për arsye se më 29 nëntor u themelua ish-Federata Jugosllave, kurse ju i indinjoheni shtetit amë. Shteti amë është për tu qarë, jo për t'u indinjuar. Këto janë fjalë zemre vëllezër, ndaj bëjeni Kosovën siç dini ju se mbase kështu na ndihmoni edhe ne.