Kolumnist

E kemi tepruar zullumin - Nga Arben Kallamata

Nga: Arben Kallamata

Kjo figure më poshtë tregon historinë e Tokës. Planeti ynë llogaritet të jetë krijuar rreth 4.5 miliardë vjet më parë. Oksigjeni në atmosferë u shtua para 2 miliardë vjetësh. Pastaj, pasi kaluan 250 milion vjet filluan të lindin qelizat e para me bërthamë, si fillim i jetës në tokë. Prej tyre u zhvilluan bimët dhe kafshët e para të planetit. Para 200 milion vjetësh në tokë u çfaqën si zotër të gjithëpushtetshëm dinosaurët, të cilët e mbajtën planetin në kontroll për 65 milion vjet. Format e para të njerëzve, shumë të ndryshme nga ne, u çfaqën përpara 2 milion vjetësh. Domethënë, nga 4 miliardë e 500 milionë vjet, toka i ka kaluar të paktën 4 miliardë dhe 498 milionë vjet pa njerëz, ose pa qenie të ngjashme me njerëzit. Njerëzit e ngjashëm me ne janë çfaqur më së shumti këto 200 mijë vjetët e fundit.

Nga çdo këndvështrim që ta marrësh, ne, njerëzit, jemi të ardhurit rishtaz në planet, jemi jabanxhinjtë, jemi fruthat. Mirëpo ne kemi ardhur me një arrogancë dhe një mungesë përgjegjësie të paparë ndonjëherë. Ne s’pyesim për asgjë, veç menderes sonë. I kem hyrë tokës – veçanërisht këto 200 vjetët e fundit – dhe e kemi shkatërruar në një masë të frikshme. Kemi ndohtur ujrat dhe ajrin. Kemi vrarë, me apo pa qëllim me miliona e miliona kafshë dhe bimë, madje kemi kryer gjenocide të përmasave të mëdha duke zhdukur specie të tëra.

Ne jemi qeniet që vrasim një elefant që peshon 6 mijë kilogram jo sepse na duhet për ta ngrënë, por për t’i marrë dhëmbët dhe për të bërë figurina me to. Ne jemi ata që iu kemi zënë vendin dhe iu kemi zhdukur mjedisin ku mund të jetojnë speciet e tjera. Ne po shkatërrojmë pyjet e Amazonës, po mbushim me plehra Himalajat, po helmojmë peshqit e balenat, po i bëjmë zogjtë të hanë sende plastike, po e zbrazim nëntokën nga mineralet dhe lëngjet që i qarkullojnë.

Ne shtohemi pa pikë përgjegjësie, për kënaqësinë tonë, dhe nuk ngopemi duke marrë, e marrë nga ky planet. Disa nga ne kanë kështjella të mëdha për të jetuar, ndoshta disa të tilla, dhe nuk i vret aspak ndërgjegja se sa pjesë të planetit zënë ose sa burime natyrore shkatërrojnë vetëm për tekat e tyre. Ne kemi krijuar armë me të cilat mund ta rrafshojmë Tokën dhe ta zhdukim një herë e përgjithmonë jetën në të, vetëm e vetëm se kështu mund t’iu teket një grushti prej nesh që, zakonisht nuk janë as më të zgjuarit dhe as më të përgjegjëshmit.

Kush jemi ne dhe a i meritojmë të gjitha këto? Ne nuk jemi më të fortët fizikisht – shumë specie të tjera kanë forcë muskujsh dhe rezistencë shumë më të madhe. Nuk jemi as më të shpejtit, as më të shkathtit, as më të aftët për të ecur, ose për të notuar, ose për të fluturuar. Nuk jemi as më të mëdhenjtë në trup, as më të vegjëlit, as më të durueshmit ndaj vapës, apo të ftohtit, apo lagështirës, apo thatësirës.

Ah, po, ne jemi më të zgjuarit, më të ndërlikuarit, qenia e vetme me aftësinë për të arsyetuar, për të krijuar vegla dhe armë. Me “zgjuarsinë” dhe ndërlikimin tonë ne kemi arritur një farë epërsie. Por a është kjo epërsi e mjaftueshme për të mbijetuar? Mos vallë ne jemi të zgjuar deri në një farë mase, sa për të krijuar një epërsi të përkohëshme?

Në fund të fundit, në natyrë nuk mbijeton as më i forti, as më i shkathti, as më i zgjuari. Mbijeton ai që arrin t’i përshtatet më mirë natyrës. A jemi ne ata që kemi ditur t’i përshtatemi më mirë natyrës? Nuk ma do mendja. Ne vetëm e kemi shkatërruar natyrën, mjedisin përreth dhe e kemi shfrytëzuar atë pa pikë kriteri, pa e vrarë mendjen fare për të ardhmen. Dhe nuk është fare çudi që natyra të kërkojë të mbrojë vetveten, të na heqë qafe. Nuk është fare çudi që të dalin qënie më të afta se ne, qënie të zonja për të na vënë poshtë, siç vume ne poshtë gjithë ato specie që i kemi zhdukur nga faqja e dheut, ose që i keqpërdorim çdo ditë nëpër thertore.

Këto qënie që do të na mposhtin ne s’ka nevojë fare të jenë më të forta, më të zgjuara, më të ndërlikuara se ne. Mjafton të jenë më të afta për t’u përshtatur ndaj natyrës dhe luftës për mbijetesë. Ato mund të jenë edhe qënie fare mikroskopike, të padukshme për syrin tonë, të pakapshme, por të afta që të na vënë poshtë. Mund të jenë fare mirë viruse.

A s’ka ardhur koha t’i thërresim mendjes dhe të mendojmë për të rikrijuar raporte më të logjikshme me natyrën, raporte me të cilat të mund të mbijetojmë ca më gjatë?! Këto ditë që rrimë të ngujuar në shtëpi, duke u përpjekur të mbrohemi nga një armik që nuk e dimë nga dhe si po na sulmon, ndoshta duhet të vrasim pak mendjen për këtë dhe të bëhemi pakëz më të ndërgjegjshëm. Sepse, sinqerisht, mua më duket se e kemi tepruar zullumin.