Kolumnist

Eksperimenti shqiptar me sistemin zgjedhor - Afrim Krasniqi

Sistemi zgjedhor është mekanizmi përmes të cilit votat dhe vullneti qytetar shprehen në mandate qeverisëse. Praktika shqiptare ka treguar se për shkak të sistemit zgjedhor mund të ndodhë që një parti të ketë deri në dy herë më të lartë përfaqësimin parlamentar sesa votat kombëtare (1991, 1996, 2019), që partia me më shumë vota në proporcional të mos fitojë shumicën e mandateve në Kuvend (2009), që një komunë (2001) të nxjerrë 10 deputetë duke deformuar dukshëm balancën parlamentare, që parti minore (PSD, PR 2005) për shkak të skemave taktike të marrin zyrtarisht dy herë më shumë vota sesa PS-PD në nivel kombëtar, që individë “të fortë” në emër të partive inekzistente të fitojnë mandate në zona të kontrolluara prej tyre (2013-2017), etj.

Shqipëria hyn në vendet më me shumë eksperimente në sistemin zgjedhor, dhe pavarësisht nga kjo, temë kryesore edhe më 2020 është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Kalimi nga ekstremi në ekstrem, mazhoritar (1991) në proporcional me lista të mbyllura (pas 2008) dhe ndryshimi 3 herë i formulës miks (1992, 1996, 1997), janë tregues se partitë kryesore kanë synuar e diktuar që përmes teknikaliteteve dhe trukeve të sistemit zgjedhor të mbajnë nën kontroll sistemin përfaqësues dhe të pamundësojnë konkurrencën alternative.

Për të kuptuar tabelën më poshtë, duhet sjellë ndërmend edhe fakti se asnjë prej sistemeve të votimit nuk është zgjedhur nga qytetarët dhe sistemi aktual është ndryshuar në vetëm 4 orë bisedime të mbyllura në prill 2008. Shqipëria është nga vendet e pakta që e ka përfshirë sistemin zgjedhor në Kushtetutë, çfarë do të thotë, se për ndryshimin e tij duhen ndryshime kushtetuese, - por ndryshimi Kushtetutës sipas legjislacionit tonë, nuk bëhet me referendum, bëhet vetëm me 92 vota në parlament me kusht politik që asnjëra palë kryesore të mos ankohet.

A jemi të përfaqësuar si dhe sa duhet? A ka sistem më të mirë zgjedhor? A duhet ndryshuar ky që kemi? A garanton ndryshimi i sistemit zgjidhjen e sistemit të përfaqësimit? Jo, po, po, jo.

Që një sistem të funksionojë, cilido qoftë ai, kërkon disa parakushte, ku bëjnë pjesë edhe vullneti politik i palëve konkurruese, përputhshmëria midis traditës politike dhe nevojave të ardhshme të vendit, përcaktimi i preferencës për sistemin qeverisës, ekzistenca e partive politike demokratike dhe ekzistenca e zgjedhësve të ndërgjegjshëm e me kulturë demokratike/ligjore!

Ndryshimi i sistemit ka vlerë, por vetëm një paketë reformash, ku bëjnë pjesë reformimi i sistemit partiak, i financimeve elektorale, i raporteve midis partive dhe shtetit, i zgjerimit të hapësirës konkurruese, i referendumeve dhe i rritjes së kulturës qytetare demokratike mund të sjellin pritshmëritë që shumica qytetare ka!

©Afrim Krasniqi