Kolumnist

Marrëveshja e Ohrit, festë dhe shqetësim - Nga Xhevdet Nasufi

Sot edhe duhet të festojmë që në Ohër u nënshkrua në 13 Gusht 2001 Marrëveshja Kornizë e Ohrit për dy objektivat madhore të saj:

U pushua armiqësia që kishte evoluar në luftë shqiptaro-maqedonase;

U përcaktua dhe u përkufizua bazamenti politik dhe juridik me vullnetin e shqiptarëve dhe maqedonasve, me përkrahjen e amerikanëve dhe evropianëve, që shqiptarët të jenë element i shtetformimit në Maqedoninë e Veriut.

Pak histori

Përgatitjen e hartimit të Marrëveshjes së Ohrit, në jehonën e luftës së vitit 2001, Arbën Xhaferi, unë dhe Menduh Thaçi e nisem në Tetovë me ndihmen e miqve amerikanë, duke e ditur se çdo luftë ka epilogun e tavolines politike. Dhe pas këtij fillimi spiritual e pas vazhdimit në Shkup dhe mbarimit pas bisedimeve intensive në Ohër (gati 13 ditë), u dakorduam për tekstin e Marrëveshjes.

Te kuptohet, teksti i dakorduar gjatë udhëtimit prej Ohrit gjer në Shkup pësoi ndryshime (në pjesën e preambules) për të cilat ndërhyrje dhe ndryshime dha përkrahjen dhe pëlqimin e vet struktura politike e luftës, larg pjesëmarrjes së eksperteve. Sidoqoftë, fryma dhe sensi I Marëveshjes nuk u ndryshua dhe përfundimisht u përkufizua juridikisht e drejta e shqiptarëve si element i shtetformimit në Maqedoninë e Veriut. Kjo faktikisht u bë edhe objektivi i luftës dhe i ndryshimit të Kushtetutës dhe sistemit juridik në vend.

Marrëveshja e Ohrit dhe thelbi i ndryshimeve

Bazamenti mbi të cilin ngrihet Marrëveshja e Ohrit është ndryshimi radikal i konceptit të shtetit të Maqedonisë, nga ideja shtet etnik i maqedonasve në shtet multietnik. Për këtë qëllim u instalua:

1)Decentralizimi i Maqedonisë si shtet tejet i centralizuar si legatë e ish-Jugosllavisë e afishuar skajshëm kundër shqiptareve;

2)Përfaqësimi i drejtë në kuptimin që shtetin nëpërmjet funksioneve dhe veprimtarisë së tij ta menaxhojnë edhe shqiptarët;

3)Zhvillimi dhe përparimi i identitetit dhe vlerave etnike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut pa përkufizime;

4)Instalimi i shqipes si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut në kuptimin e vërtetë gramatikor dhe juridik;

5)Aplikimi i demokracisë konsensuale si metodë e vetme demokratike për të eleminuar sistemin e mazhorancës, i cili në emër të demokracisë së rrejshme i ka shkallmuar, sakatuar dhe diskriminuar shqiptarët skajshmërisht.

Pse duhet të shqetësohemi sot

Si asnjëherë gjer tani, sot duhet të shqetësohemi edhe më shumë për marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase dhe fatin e Marrëveshjes së Ohrit. Nga e gjithë semantika e Marrëveshjes politikbërja shqiptare (BDI) në pushtet gjatë gjithë kohës e ka shtrydhur dhe dhunuar si objektiv dhe kërkesë, zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Rregullisht në gjithë ciklet zgjedhore kjo është përsëritur, por kurrë nuk u zyrtarizua faktikisht kjo gjuhë.

Dhe pas kaq kohë ajo nuk është zyrtarizuar. Por, a është në Marrëveshja e Ohrit vetëm gjuha shqipe që duhet të zyrtarizohet? Ku është sot pushteti i decentralizuar vendor si nevojë imediate për të drejtat e shqiptarëve? Ku janë funksionet klasike shtetërore që i ushtrojnë shqiptarët? Ku është mbrojtja, zhvillimi dhe kultivimi i vlerave etno-kulturore për shqiptarët? Vallë, ku mbeti demokracia konsensuale që realisht skajshëm është instrumentalizuar nga politikanë të pandërgjegjshëm?

Dhe sot me shumë dhimbje duhet të konstatojmá një të vërtetë të neglizhuar nga BDI dhe lideri i saj: Jeta është më e pasur se çdo normë e shkruar dhe Marrëveshja e Ohrit është dashur të evoluojë pozitivisht për shqiptarët, jo të mos zbatohet me dekada, të mos jetësohet sa duhet dhe si duhet.

Shqetësimi i përmendur sot ka një ndryshim serioz, pasi për të gjitha të pabërat apo të keqbërat në papërputhshmëri me Marrëveshjen e Ohrit, gishtin e fajsisë nuk mund ta drejtojmë vetëm kah maqedonasit. Prandaj edhe debati për kryeministrin shqiptar (bile edhe për një ditë sipas filozofisë politike të BDI-së) është kërkesë dhe lutje joparimore ndaj maqedonasve, mitizim arkaik i funksioneve shtetërore, ushtrimin dhe menaxhimin e të cilave duhet dhe munden ta bëjnë edhe shqiptarët.

©Xhevdet Nasufi