Kolumnist

Gurë kandari, por pa peshë - Nga Ilir Levonja

Ndofta është nga të vetmet qeveri post-diktature, që njerëzit e kanë parë me habi dhe me nënqeshje. Zakonisht qeveritë e reja priten si një lloj sfide për shkak se gjithkush mendon se do ketë një zhvillim të ri. Guri i madh i kandarit vërtet, por edhe gurët e tjerë kanë peshë. Në fund të fundit nuk hahet mëngjes, drekë apo darkë vetëm fasule. Fundqeverisja e mëparshme sjell gjithmonë një përgjumje, vjen çasti dhe thua se ka mbaruar. Për më tepër, klima e ashpër e zgjedhjeve që herë më herë përfundojnë deri me marrje jetësh.

Ka familje që për shkak të bindjeve sot kanë humbur njeriun e tyre, janë akoma me të zeza, ashtu sikur ka edhe nga ato që shohin pas hekurave po njeriun e tyre. Madje në mes rri peng, frika e gjakmarrjes, sa më të vegjëlit shihen me sy lutës prindëror, që Zoti t'ua ruajë jetën. Megjithatë ai që është ''fituesi'' krejt periferik del në një studio televizive dhe shpall me të njëjtin perversitet dhe pa vrarje ndërgjegje sfidat personale dhe jo ato kombëtare. Pra në të sëmës ata qe vriten dhe ata që bëjnë burg për karriken time.

Rama mbledh supet, nuk ka asnjë punë me subjekte të tilla. Kështu edhe ata që gjoja janë kundërshtarë të tij. Jeta vazhdon vërtet, por plagët mbeten. Fajtori ikën në drejtim të paditur, por mund edhe ta gjesh në një sfidë të re, madje kombëtare. Si edhe po vepron Rama me këtë Damian Tërmetin e zgjedhjeve lokale në Dibër. Kështu kanë mbetur pa emër plot krime në Shqipëri, Gërdeci, 21 Janari, Thesari i Krrabës, por korifenjtë vazhdojnë.

Ndofta për herë të parë edhe vetë socialistët kanë mbledhur supet duke e kuptuar më në fund se ai që ka ''fituar zgjedhjet'' është realisht ai, Edi Rama, dhe jo socialistët apo shqiptarët dhe demokracia e tyre. Madje kjo e fundit ka vdekur duke e vulosur po vetë Edi Rama, i cili tha publikisht se, listën e ministrave e kishte shpallur aty në sallë dhe se me askënd nuk ishte konsoltuar për emrat.

Sado e përkorë mund të jetë një listë, u duhej parashtruar forumeve për diskutim. Kjo është një nga praktikat më rutinë në prodhimin e një kabineti qeveritar. Qeveria nuk është ushtri, ku hirearkia dominon në bazë të urdhërit. Qeveria apo qeverisja është një rrahje mendimesh për të përfituar rezultate, që d.m.th. nëse ata që ke përballë vetëm të binden, të thonë gjithë ditën si urdhëron, ke mbaruar pa filluar. Por kjo nuk ka kuptimin se do e shohim Edi Ramën shumë shpejt në tokë. Asesi!

Do kalojnë vite. Sidomos në një vend si Shqipëria ku gjithkush sheh punën e vet dhe jo të shoqërisë. Për më tepër që kemi kapur pikun e firimit me eksodin e heshtur të formave si lloto, aplikime për punësim, trenat e La Manshit, apo pasaportat fallco. Në demokraci nuk ka ti do të bësh këtë punë, ti atë, dhe ju aty do të duartrokisni. Tërësia e emrave në kabinetin e ri është një shfaqje e radhës, njëshi e ka shumë të lehtë të të lëvizë, të bëjë si të dojë.

Kush do ngrejë shpresën tek socialistët për kthimin në shina të partisë socialiste të shqiptarëve, Olta Xhaçka? As mos e çoni nëpër mend. Ata emra që mund edhe të të kundërshtojnë janë aneksuar tërësisht, edhe pse kanë votë masive. Kjo është strategjia e njëshave. Të përdorin, pastaj të hedhin.

Shikoni me vëmendje, ministrja që dështoi në arsim sot shpallet të drejtojë Kuvendin e Shqipërisë. Kujtoni protestat e studentëve në dimrin e viteve 2018-2019 për kundërshtimin e tarifave të larta. Por Edi Rama nuk rrëzohet më edhe për shkak të një opozite inekzistente, imituese, e cila po voton po këto metoda të njëshit të “Rilindjes”. Madje kur shikon artikuj në shtyp që merren me ansambletë e Edi Ramës, kur edhe ato Bashës janë saktësisht 100% si të Edi Ramës, kupton se trysnia e shoqërisë mbi njëshat është thuajse e pashpresë.

Kësisoj, mund të thuhet pa frikë se, tanimë është plotësisht Shqipëria e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Për ata që mendojnë se nuk je demokrat kur i kërkon Berishës të mbajë përgjegjësi personale, ta dinë mirë se është pikërisht ''demokrati'' Basha që e ka shitur i pari. Kjo lloj rënie fillon pikërisht nga zhbërja e forumeve dhe vota e fshehtë duke i hapur udhë katapultimit. Madje mos u çudisni kur nga fundi i vitit të kemi edhe një qeverisje të përbashkët, për më tepër, që po sillet në skenë Helmut Kohli dhe modeli gjerman. Po a është Shqipëria një Gjermani? Mundet edhe është, por veç në mendjen e Ramës dhe Bashës.

©Ilir Levonja