Kolumnist

Kronika "kolumbiane" e Limos Dizdarit - Nga Ilir Levonja

Nga viti 2018 e këtej, shfaqet hera herës në ndonjë qoshe shtypi figura e një muzikanti të madh shqiptar. Problemi? E kërcënojnë, i hedhin letra poshtë derës. Madje i shkojnë të fortët tek gardhi dhe i thonë hapur: largohu! I presin ujin e pijshëm, dritat etj.

Ky është Limos Dizdari. ''Krimi'' që ka bërë, ka shëndërruar një pallat kulture andej nga anët e veta, nga ka rrënjët, në një Teatër. Në fillim dukej se kishte mbrojtjen e kryeministrit, por pasi doli kundër shëmbjes së Teatrit Kombëtar, meritoi heshtjen e tij. Me një fjalë, lëre ta vrasin. Kush ka lexuar “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, të kolumbianit Gabriel Garcia Marquez, e kupton mirë çfarë dominance kanë situata të tilla.

Janë një platformë e dielltë e një ndëshkimi publik dhe zakonor. Ndaj edhe sa herë ndodhin kërcënimet, mezi gjen tek-tuk ndonjë denoncim publik të web-eve tona, pra atyre qëndrore. Të paktën e marrim vesh nga web-et e provincës si Saranda web, etj. Dhe ta mendosh, sikur larg qoftë t'i ndodhë gjë këtij artisti të madh, surrogatot e politikës do mbushin faqet e Facebook me dedikime, zakoni më i mbrapsht i yni: vdis pa të të duam!

T'i drejtohesh sot ndonjë institucioni shtetëror, është çmenduri njerëzore. Të paktën me ato që shohim nga denoncimet që bëhen përmes Stop-it a Fiks-it. Apo ato probleme shqiptarësh që shohim tek Shqipëria live, a, Ka një mesazh për ty. Emisione të pakta..., jeta e shqiptarëve dominohet totalisht nga politika. Ka një vdekje totale të shtetit të së drejtës ligjore, por edhe asaj morale. Pra nga opinioni publik.

Ne kemi kohë që vrasim veteveten, sidomos artin, artistin e për rrjedhojë historinë e tij. Ka ndërtuar tjetri një instucion kulture dhe shihet si kancer. Çfarë donit, qëndër për rritjen e drogës? Kryeministri i vendit tonë foli dje në panelin e OKB, një shans i artë për një shqiptar që nuk e meriton, e përmendi Nënë Terezën. Përse e përmend? Nuk ka një grimë të qeverisjes së tij që të fusë në gojën e vet nënën Terezë. Ai është një xhelat i vrasjes së historisë, sidomos asaj të artit.

Tani shqiptarët shohin me bisht të syrit një kronike kolumbiane, të një vrasje të pritshme, të paralajmëruar dhe rrinë e bëjnë sehir. Nga ana tjetër, më habisni dhe ju artistë muti, me tituj, me nishane etj., atashuar deri pranë qeverisë, se si heshtni. Sa fëlliqësi që mbani mbi supe. Asnjë solidarizim, asnjë proteste. Mbetët kafeneve duke u bërë temenara njëshave. Këta janë artistët tanë. Historia jonë.

Mbrojeni, se, do ju vijë radha e dënimit publik shumë shpejt edhe juve. Eshtë vepër e gjallë arti, të ikësh nga metropoli dhe të ngresh nga themelet një teatër diku buzë Jonit. Po ne nuk shohim, nuk e shohim dot tek Shqipëria. E shohim tek bota. Sidomos ajo e Lindjes së Mesme dhe të Largët.

©Ilir Levonja