Kolumnist

Çfarë i solli çlirimi Shqipërisë? - Nga Dashnor Kokonozi

Është edhe çështje pikëpamje, sado absurde të duket. E vërteta është se edhe në regjimet më të ndyra gjithmonë ka njerëz që kanë jetuar më mirë se më përpara.

Si linje logjike duhet thënë se ideali sado transparent dhe i panjollë të duket, do të ishte shprehje marrëzie pa shpresën se do të jetosh më mirë.

Idetë komuniste u mbështetet nga shpresa për një jetë më të mirë, jo për flamurin e pastërtise së tezave te marksizmit! Prandaj, e rëndësishme është të kuptohet çfarë ndodhi me tërësinë e vendit.

Kështu thuhet se diku në vitet ’60, në shtëpinë e E. Hoxhës shkoi për vizitë edhe një grua që kishte sakrifikuar shumë, një grua me të vërtetë e madhe, andej nga malësia e Librazhdit. 

Eshtë ajo gruaja që i ishte vrarë djali në luftë, por që më shumë njihet sepse kur gjatë një operacioni dimri te dera e kasolles iu shfaq vetë E. Hoxha, ajo theri për të dhinë e vetme që kishte e që i jepte pak qumësht për vocërrakët e tjerë.

Dhe ia vuri përpara atij...

Enveri, sapo i thanë u ngrit dhe doli ta presë te dera e shtëpisë së tij në Tiranë. Një nder që nuk ia bënte të gjithëve. E mori nga duart, e uli pranë vetes, i tha fjalë të përzemërta, fjalë që i përcollën të gjitha gazetat.

Askush nuk përmendi fjalët që i tha ajo udhëheqësit të vendit.

Ishin fjalë të thjeshta, edhe ato, pa shumë retorikë.

I tha: Enver, kur erdhe në kasollen time atë dimër, nuk u tremba se e kisha një dhi për ta therur. Po qe se bëhet prapë luftë dhe ti më vjen në shtëpi, unë nuk kam më asgjë që të nxjerr të hash.

©Dashnor Kokonozi