Kolumnist

Defektet e listave dhe realiteti demokrat - Nga Ilir Levonja

Mosmarrja pjesë e atyre 35 deputetëve në kuvendin e djeshëm të Partisë Demokratike a të Sali Berishës, quajeni si të doni, se një është, nuk shënoi ndarjen e demokratëve. Tregoi një defekt nga zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar. Janë firot e përgatitjes së tyre, ku shumë nga ata emra janë pjesë e listës Basha, jo e primareve. Nëse do ishin emra primaresh, pra të ofruar nga vota e anëtarëve në qytetet përkatëse, sot tranzicioni reformues i demokratëve nuk do ishte kaq i gjatë.

Po t'i referohesh listës, aty ka emra që demokratët nuk i njohin fare. Për më tepër që në dekadën e fundit u bë e modës që deputet bëhej kush paguante më shumë. Kjo kultura e ryshfetit, apo jep një dorë që të kapësh një vend nuk bëri përjashtim as në karrierën për deputet. Tek të të dy krahët këtë e verifkon kollaj. Mjaft të shikosh CV-të e kuvendeve nga viti 2000 e këtej, gjithnjë në raport me ato pas 1992. Kuvendet e parë kanë tjetër stof, aktivistë socialë nga të katër qëndrat universitare të Shqipërisë. Kurse kuvendet e mëvonshëm aktivistë me diploma të çuditshme nga autoshkollat e Zvicrës a universitete fantazmë nga Maqedonia e Veriut.

Nga ana tjetër është gropa e madhe e sistemit zgjedhor ku Basha nuk i rezistoi fare formulës gjoja daneze. Keni një raport jo normal votash në lidhje me emrat e parë në listë dhe atyre që mundën herësin. Shto edhe emrat e partive në koalicion, një dështim total i përsëritur, ku sot përshembull Fatmir Mediu dhe të tjerë duhet të ishin përfaqësues të demokratëve. Por nuk janë, dërdëllisin studiove për formula pajtimi, por përfaqësues të demokratëve nuk janë. Janë aty me votat e demokratëve, por nuk denjojnë të flasin me bazën, me votuesit. Kjo është e thjeshtë, nuk kanë asnjë lidhje me ata.

Dëmet e epokës Basha dhe eleminimit të forumeve, janë kaq të mëdha sa Partia Demokratike do t'i ndiejë gjatë. Por në një të ardhme të afërt edhe Partia Socialiste, pasi modeli i saj është më totalitar akoma, ku Edi Rama mund të shpallet nga momenti në moment perandor. Kësisoj kur e blen deputetllëkun nuk ke se si i afrohesh një kuvendi. Unë do çuditesha nëse shumë prej tyre do shkonin. Prandaj ajo mospjesëmarrje, ai numër është i pranueshëm. Nuk është ndarje, por një lloj vetëpastrimi i brendshëm për të mundur kohën e humbur. Vendi ka kaq shumë nevoja jetike dhe imediate.

E gjitha qe një atmosferë brilante dhe rrëzimi i Sali Berishës nuk bëri asgjë tjetër, por prishi syrin e keq. Ka ardhur koha për një opozitë që të ngjisë me protestat sociale, madje një opozitë avokate e mirëfilltë. Opozita nuk është dysh, është një. Nuk mund të krijohet fronti me teknicienë kuvendesh, grupesh, a kryetarë partish pa anëtarë, por me votat e demokratëve. Fronti bëhet me ata që e fillojnë nga rruga dhe e kanë Kuvendin princip po të rrugës, sheshit, qyetetarit, jo të atyre që marrin rrogën, dietat shtesë, telefonin pa pagesë, fërkojnë duart, i hypin ndonjë makine me dopio fenerë dhe kokat çafshin demokratët. Eshtë humbje kohe me u marrë me ata. As me teroricienët jo po nuk konkuroj unë se Berisha i ka votat. Për çfarë të konkuroj? E para, konkurimi nuk është luftë zotëri  dhe e dyta, po nuk u mate me malet kot që e çon në mend të jesh nesër një lider.

©Ilir Levonja