Monarku e shpalli platformën - Nga Ilir Levonja
Të shohësh Ramën në një emision televiziv është e lodhshme. Ka të njëjtën retorikë aq sa është e vështirë të kuptosh se Shqipëria mëton një sistem demokratik. Eshtë tmerrësisht afër monarkisë. Kësisoj, Rama nuk duket si një kryeministër i një shteti demokratik, por një monark brutal. Madje i prapambetur. Një monark midis diktatorit me origjinë bolshevike edhe atij perandorake.
Ankohet për deputetët e paedukatë, që i fryjnë bilbilave, megjithëse ishte më brutali në opozitarizmin shqiptar. Ankohet për fjalorin bastard të Saliut, megjithëse është babai i bullizmit, fyerjeve, talljes, nëpërkëmbjes. Ankohet dhe u bërtet shqiptarëve si dembelë, megjithëse kurrë nuk ka punuar vet sikur dy orë. Në opozitë ka qënë rekordmeni i mosparaqitjes në punë. Megjithatë është paguar kokërr më kokërr.
Shqipëria nuk ka institucione të forta paralele. I ka si ngrehina, i ka me tituj, me pasaportë, por janë krejt inekzistentë. Për më tepër fuqia e propagandës është në zenit. Megjithëse vetë Edi Rama ankohet si kurvat e liga për shtypin gjoja jo profesional, jo etik, e quan batak, kazan…, bash shtypi është ai që po e mban kaq gjatë në pushtet.
Intervistat nuk janë kërkesë llogarie me pyetje e përgjigje, por thjesht një këmbim i dhunshëm intrepretues si i do qejfi monarkut. Kësisoj raporti që kanë njerëzit me realitetin është ai që thotë monarku dhe jo realiteti ku ata gjallojnë, realiteti i tyre.
Megjithëse kanë pensione tmerrësisht të pamjaftueshme, pensione beterr, sytë e tyre lëngëzojnë mbi platformat në high definition që jep pas krahëve masivë të monarkut, për shembull portin e jahteve në Vlorë. Apo aeroportin e ri po në Vlorë që medemek do ta operoka Mynihu.
Se kështu u bëmë ne. Durrësin arabët, spitalet Turqia, aeroportet njërin gjermanët, tjetrin nuk dihet, kurse atë të Kukësit e inagurojmë për gjoja bijtë emigrantë në Angli. Më pas asgjë, zbrazëtirë, gjumë. Pra, qyetarët shqiptarë nuk blejnë dot asgjë nga këto investime.
Janë thjesht molla e ndalueme e Migjenit. Nuk e kanë kurrë atë mundësi. Madje edhe ata që kanë mund të jenë një përqindje e vogël, ose fara e manjatëve të Lindjes, por jo shqiptarët. Megjithatë sytë u lëngëzohen dhe besojnë se monarku po bën punë të mëdha.
Në fakt në botën perëndimore projektet e mëdha janë realizuar pasi është betonuar mirëqënia sociale e qytetarit, sepse ai është makineria e ndërtimit të vendit, në Shqipëri ndodh absolutisht e kundërta. Qytetari është o i papunë, o kempist, o pensionist, o emigrant, ose i punësuar në të zezë, pra informal, pa asnjë të drejtë statuore. Megjithatë Monarku vesh Versaçe, ka vilë në mal, shet katalogët e zhgarravinave për art modern me petkun e shtetarit shqiptar. Hëm...., megjithatë edhe qytetarit i lëngëzohen sytë dhe i kënaqet shitjeve që bën monarku.
Ndaj kam përshtypjen se këto intervista-opinion nuk janë për të ndihmuar qytetarin, por për ta sugjestionuar atë, për ta sunduar, për ta vënë në gjumë me ëndrra ku jahtet lodrojnë në ca valë të kaltra dhe ata vdesin në minderë të asfiksuar. Intervistat nuk janë për të ndihmuar realitetin por garën e modës mes kollarave trendi midis intervistuesit dhe monarkut.
Si përfundim, ja çfarë tha Monarku:
-Bëj si dua vetë.
-Nuk dua.
-Nuk pyes.
-Nuk më plas.
-Nuk pjerdh për kërkënd.
-Nuk jap llogari.
-Poshtë ata që nuk më duan.
-U plaçin sytë atyre që nuk shikojnë.
-As kam për t'u lodhur ndonjëherë me pushtet.
-Do qeveris deri sa të vdes.
© Ilir Levonja










