Kolumnist

Si duhet përkthyer dhuna politike në Europë? - Nga Erion Dasho

Javët e fundit kanë qënë dëshmitare të një dhune politike në rritje që nuk është aspak e zakonshme për peisazhin politik europiano-perëndimor. Atentati ndaj kryeministrit sllovak Fico, i cili e çoi atë në buzë të varrit, ishte kulmi i kësaj vale dhune, por 3 ose 4 sulme ndaj deputetëve apo kandidatëve në Gjermani, kafeja në fytyrën e Najxhël Farazh, goditja ndaj kryeministres daneze dje, etj., etj., janë shembuj se diçka po ndodh me mënyrën e reagimit të popujve europianë ndaj të zgjedhurve të tyre.

***

"It's the economy stupid!" Fraza e famshme që energjizoi fushatën fituese të Bill Klinton në vitin 1992 ofron ndoshta një pjesë të shpjegimit. Ekonomia europiane, e goditur nga kriza post-COVID dhe inflacioni, nuk është në ditët e saj më të mira. Megjithatë, ka pak të ngjarë që vështirësitë ekonomike të justifikojnë dhunën. Europa ka kaluar kriza shumë më të rënda në vitet paraardhëse, por ato nuk u përshkallëzuan në dhunë politike.

Diskursi politik në prag të zgjedhjeve europiane, që përkojnë me zgjedhjet në Britaninë e Madhe dhe me nxehjen e fushatës së zgjedhjeve në Amerikë, është një tjetër pjesë e shpjegimit, sidomos forcimi i partive ekstremiste me mesazhet shpeshherë në kufijtë e asaj që pranohet si "normale" në politikën e civilizuar perëndimore. Fico në Sllovaki dhe Farazh në Angli janë shembujt e politikanëve me retorika dhe qëndrime ekstreme. Ndërsa retorika elektorale ofron një pjesë të shpjegimit, sërish ajo nuk mund të jetë shkaku i kësaj që po ndodh.

Shpjegimi më bindës, sipas mendimit tim, vjen nga situata e tensionuar gjeopolitike botërore. Diskutimi që vazhdon tashmë prej muajsh nëse bota po precipiton drejt një lufte tjetër botërore, apo nëse kjo luftë ka nisur tashmë, mjafton për të tmerruar çdo mendje normale dhe për të nxitur drejt veprimeve ekstreme personat me prirje të dhunshme apo me probleme të shëndetit mendor.

Gjatë gjithë historisë njerëzore, luftërat i kanë bërë elitat, por dëmet i kanë paguar "average Joe", "Monsieur Tout-le-monde", "Jedermann", "Ivan Ivanoviç", etj. Shumë rrallë elitat luftëbërëse kanë paguar pasojat. Edhe në gjyqet e pas Luftës së Dytë Botërore u dënuan me vdekje disa dhjetëra ish-politikanë të lartë dhe ish-komandantë të aksit; u ekzekutuan edhe disa qindra kriminelë të tjerë lufte, por numri i viktimave midis ushtarëve dhe civilëve ishte më shumë se 80 milionë. Elitat që bënë luftën, dolën pa lagur.

Sot qytetarët europianë dhe ata botërorë janë të ndërgjegjshëm se një luftë e tretë botërore do të shkaktonte qindra milionë viktima, madje sipas skenarit apokaliptik të luftës totale bërthamore, do të mund të çonte edhe në shuarjen e qytetërimit.

Nëse do të pyeteshin qytetarët dhe do të dëgjohej mendimi i tyre, ata unanimisht do të shpreheshin kundër luftës. Pyetja naive, por në të njëjtën kohë edhe e ngjashme me konstatimin e fëmijës për mbretin lakuriq, është: "Nëse qytetarët e botës nuk duan luftë, përse kanë nisur të bien daullet e luftës?"

Përse Vladimir Putin dhe Xho Bajden, shfrytëzojnë përkatësisht Ditën e Fitores mbi Nazizmin dhe D-Day për të dhënë mesazhe lufte, në vend që të japin mesazhe paqeje? Përse numri i liderëve botërorë racionalë që flasin për paqe dhe qetësim të situatës ka mbetur kaq i vogël?

***

Në çdo shoqëri të qytetëruar, dhuna është e dënueshme në çdo formë. Por kur dhuna politike shpeshtohet, politika duhet të marrë mesazhin se diçka po ndodh "atje poshtë".

Nga ana tjetër, mesazhet e qytetarëve europianë ndaj politikanëve të tyre nuk mund të kufizohen tek veprimet e papërgjegjshme të disa të çekuilibruarve. Fatkeqësisht, as vota nuk duket një mekanizëm mjaftueshëm i fortë për të dërguar mesazhin e duhur.

Personalisht mendoj se ka ardhur koha që në Europë dhe gjithë botën perëndimore të shohim sërish protesta popullore masive të ngjashme me protestat amerikane kundër luftës në Vietnam.

Vetëm organizime të tilla të qindra mijëra qytetarëve së bashku kanë forcën të japin mesazhin se qytetarët e thjeshtë të botës nuk janë më të gatshëm të shkojnë si bagëtia në thertoren e radhës dhe se ka ardhur koha që elitat të marrin përgjegjësinë e tyre qeverisëse për ta nxjerrë botën nga spiralja e rrezikshme ku e kanë futur.

Sot para se të jetë shumë vonë...

© Erion Dasho