“Mirësevjen” në Kanada “trëndafil” i partisë! - Nga Nador Bakalli
Emërimet në diplomaci vazhdojnë të jenë zhgënjyese dhe përçmuese për komunitetet tona në diasporë.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe me komunitetin tonë në Kanada, ku Ambasadori Muça, diplomat karriere dhe me eksperiencë të konsiderueshme, zëvendësohet me një zonjë pa eksperiencë në trupin diplomatik dhe me kredenciale të forta partiake.
Ligji nr. 23/2015 "Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë, Neni 35, pika 2. gërma a) mbi emërimet në postin e Ambasadorit, shkruan: “të mos bëjnë pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike”.
A e përmbush këtë kriter zonja? Sigurisht që jo. Në përbuzje të ligjit, ajo jo vetëm që vjen nga rreshtimi partiak por është ish-deputete e Partisë Socialiste. Për më tepër, na rezulton dhe koordinatore partiake në sipërmarrjet elektorale në diasporë.
Shihni me sa zjarr dhe krenari e shpalos zonja trëndafilin e kuq të partisë në postimet e saj gjatë organizimeve partiake në diasporë. Ulur krah saj, syri gjithashtu të pikas lehtësisht edhe një ish-oficer të diasporës dhe ish-konsull të shkarkuar me turp, por ama kampion patronazhimi, emrin e të cilit mjafton ta kërkosh në rrjet dhe media që të rrëfejnë mbi bëmat e tij në botën e krimit dhe në atë të xhepit.
Ja pra të nderuar miq, unë pata shpresuar me naivitet se, duke qenë se ne jemi një komunitet me një farë stature në rangun e komuniteteve tona diasporake, vendi amë do na respektonte duke na dërguar dikë me eksperiencë, të barazlarguar nga palët dhe me peshë diplomatike.
Qartësisht kam shpresuar kot.
Por hej, ku i dihet? Ndoshta e kam unë gabim. Ndoshta trëndafili i kuq rilind dhe do të rimbijë, pa ngjyrën e kuqe të ferrit dhe në një tokë të pa prashitur nga plugu i patronazhimit partiak.
Shpresa nuk ka vdekur sigurisht. Kur ke të bësh me “Rilindjen”, shpreso për më të keqen dhe me shumë gjasa nuk do zhgënjehesh.
“Mirësevjen” “trëndafil”!
© Nador Bakalli