Arte & Media

“42 Street”, një monodramë njujorkeze për jetën e emigrantëve - Nga Arenc Leka

Arenc Leka

Prova e përgjithshme e premierës së monodramës “42 Street” u shfaq në Aquila's Nest Vineyards. Premiera do të zhvillohet në Producers Club 24 Qershor 2024.

Shfaqja shtjellon jetën e emigrantes së sapo ardhur në Amerikë, me peripecitë dhe përditshmërinë plot makth të realitetit të ashpër njujorkez.

Isha aty për te suportuar muzikalisht regjisorin e kësaj monodrama. Në provën e parë njoha dhe aktoren Yllka Lota. Lëvizjet e regjisorit Diar Xani tregonin zgjerimin skenik që duhej të bënte Yllka. Energjia e saj më bëri të jem me i vëmendshëm ndaj menyrës se si ajo vepronte.

Fillimisht mendova se nuk kishte fillim të qartë, por gradualisht teksti filloi të marrë jetë. Sugjerimet e Diarit nuk kishin marrë formë edhe pse ai në vetvete e kishte të qartë gjithçka në mendjen e tij. Merr kohë për të përkthyer mëndjen e regjisorit në vënien në skenë të një monodrame. Ndonjëhere spjegimet duken abstrakte derisa të kuptohen e interpretohen.

Në shumicën e rasteve Diari ishte i qartë, por nga mendimet në veprime merr shumë energji për ta formuar një monodrame si “42 Street”. Sforcimi i tij nga të tëra anët e bënte akoma më aktuale këtë vepër artistike.

Në punën me Yllkën për këngët që ajo këndon njoha një karakter të jashtëzakonshëm. Ajo kendonte dhe dëgjonte…. dhe sërish dëgjonte dhe aktronte atë që i kërkohej. Diskutonte dhe avanconte në çdo veprim. E pazakonte në stilin e saj Yllka provonte mënyra të ndryshme interpretimi. Vëzhgova se, sa me shume t’i jepje aq më shumë ajo merrte.

Prova e tretë filloi të krijojë një ide të përgjithshme bazike. Kohëzgjatja e kësaj prove/procesi ishte pothuaj 5-6 orë pa pushim…. një sakrificë e jashtëzakonshme, kur kujton që Diari punon gjatë ditës dhe çdo gjë duhej bërë mbas pune, gjatë natës.

Ky ritëm vazhdoi në çdo provë, nganjëhere edhe në fundjavë. Mjeshtëria regjisoriale po merrte frutat e veta duke u interpretuar nga një aktore e përgjegjshme në çdo moment.

Yllka Lota bën interpretime të shumë karaktereve të shkruara nga Diar Xani. Si e tillë kalimi nga një skenë në tjetrën i monodramës e vështirëson shumë mbushjen kohore ndërmjet akteve skenike. Kapërcimi nga një aktrim në tjetrin, bisedat telefonike me Nanën dhe me Hallën, monologu me të dashurin, aktrimi i tre punëve, monologu me miun, ndyshimi i veshjes së saj në çdo karakter përben një risi që të imponon respekt për zhvillimin dramatiko-psikologjik të kesaj vepre.

Duhet nënvizuar që Yllka e Diari e inkurajojnë njëri-tjetrin për ide të reja, çka i bën ata unikë në përzgjedhjen e situatave aktruese, ndonjëherë kundërshtuese, por të admirueshme për zgjidhjet që ata na japin.

Puna e Diar Xanit për shkrimin e kësaj monodrame dhe vënia në skenë e saj, shënon një sukses të ri per komunitetin tonë në New York.

Aktrimi gjenial i Yllka Lotës do t’i hapë asaj dyert e shume produksioneve të mëtejshme. Emocioni që ajo ngjall në skene të bën të qash, të bën të qeshësh, të bën në çdo moment ta përjetosh si karakter. Për ata që nuk e njohin, aktoria Yllka Lota ka gjasa të arrijë shumë shpejt majat më të larta të karrierës së saj profesionale.

Ky bashkepunim është një përpjekje profesionale dhe artistike për të suportuar aktoren, shkrimtarin, regjisorin tonë, në momentet e vështirësive njujorkeze.

Suportuesit e të gjithë kësaj pune me përkushtim shpirtëror janë: asistent-regjisorja Saranda Rugova, Blerina Muçolli dhe Arenc Leka.

Shpresoj që një ditë monodrama “42 Street” të marrë dritën jeshile të një produksioni ndërkombëtar.

© Arenc Leka - New York