Urtësi

Mësimdhënia është art - Nga Ethem Ruka

Thonë se një mësues e filozof i vjetër ka pohuar se “vlera e mësuesit dhe kupa qiellore nuk mund të maten kurrë.”  Vetëm një mendje e ndritur mund të njehësojë vlerën e pafund të mësuesit me kupën qiellore që nuk ka as fillim dhe as fund. 

Ndonëse ky vlerësim mund të mos jetë plotësisht i merituar për çdo mësues, a profesor, por për shumicen dërmuese të tyre po. 

Mësuesit dhe profesorët mund të jenë shumë të përgatitur në profesionet dhe specializimet e tyre, mund të kenë shkruar libra, monografi, artikuj e dizertacione, por për fat të keq nuk janë të gjithë të njëjtë në auditore përballë studentëve. 

Nëse profesori, para se të dalë para studentëve, nuk e përgatit leksionin sikur ta ketë mësimdhenien e parë të jetës, nëse nuk e shfrytëzon si duhet lirinë akademike për të ndryshuar leksionet çdo vit, nëse më shumë lexon letrat e shkruara dhe nuk e shkëput kokën prej tyre, nuk e ka bërë si duhet detyrën e vet.

Nëse profesori nuk rrok dot gjithë vëmendjen e studentëve, nëse nuk thith drejt vetes gjithë shikimet e studentëve, nëse nuk ka emocionin e një artisti që del për herë të parë në skenë para publikut, nëse nuk krijon bindjen për atë që shpjegon por imponon, nëse nuk di ta bëjë të vështirën më të thjeshtë e të kuptueshme, nuk ka e bërë detyrën si duhet. 

Nëse profesori nuk fal dashuri, mos të presë dashurinë nga studentët e tij.

Nëse nuk u fal buzëqeshje, perballë do të ketë vetëm fytyra të ngrysura.

Nëse nuk i respekton studentët, të mos presë respekt prej tyre.

Nëse nuk respekton dinjitetin e studentëve, ka mungesa në dinjitetin e vet.

Nëse profesori, pavarësisht nga mosha, nuk zbret dot në moshën, interesat e psikologjinë e studentëve, ka humbur një pjesë të dimensionit të tij si mësimdhënës.

Nëse profesori kur hyn në auditor nuk e harron dhimbjen e kokës a të stomakut, nëse nuk harron shqetësimet e tij të përditshme si lodhja, streset, problemet familjare e shoqërore, nuk e ka bërë si duhet detyrën e tij.

Nëse profesori nuk është i drejtë në vlerësimin e studentëve, por i dallon ata nga pozita sociale e ekonomike e prindërve të tyre, nga paraqitja e jashtme, origjina, gjinia, ngjyra, besimi, përkatësitë politike e kritere të tjera diskriminuese, nuk është aspak profesor i mirë. Ky lloj profesori vret dinjitetin, shpirtin, shpresat dhe besimin te barazia e shanseve për të ardhmen.

Nëse një profesor nuk ka oratori, nëse shkrun keq në dërrasën e zezë, nuk ka dorë për të vizatuar, nuk ka shije në mbajtjen e vetes, nëse ka pirë qoftë edhe nje pikë alkool para mësimdhenies, nuk është profesor i mirë.

Një profesor nuk mund t’u mësojë gjithçka studentëve të vet, por ai duhet t’u mësojë atyre si të nxënë dije e mendojnë në mënyrë të pavarur e kritike.

Nëse profesori nuk është në gjendje të vejë në lëvizje makinerinë mendore të studentëve, të dallojë prirjet e tyre, nëse nuk edukon shpirtin e inovacionit, nuk e ka bërë si duhet detyrën e vet.

Nëse një profesor ngre zerin dhe nuk është i aftë të kalojë me elegancë e pak humor gabimet e vogla të studentëve, nëse leksionet e tij kanë në sfond zhurmën e studentëve, nëse nuk u jep mundësinë studentëve të bëjnë pyetje e të diskutojnë, nuk e bën dot si duhet detyrën e tij.

Nëse një profesor bën shantazh mbi studentët në provime, nëse kushtëzon notën në këmbim të   privilegjeve materiale apo shpirtërore, nuk duhet ta quajë veten profesor dhe porta e auditorit duhet të jetë e mbyllur për të.

Nëse...

Një profesor nuk mund të jetë kurrë një profesor i mire nëse nuk eshtë edhe mësues i mirë për studentët e vet!

©Ethem Ruka