Urtësi

Jeta, kjo rendje drejt vdekjes… - Nga Dom Gjergj Meta

Jeta është një rendje drejt vdekjes. Data e lindjes, madje do të thoja çasti kur nëpërmjet një mrekullie biologjike ngjizet jeta frymore, duke u bërë një qelizë, e vetmja në këtë univers e aftë për t'u bërë njeri, mbart edhe çastin e panjohur të vdekjes. Mrekullia e jetës së sapofilluar mbart brenda saj edhe mrekullinë e vdekjes. A nuk ju duket kjo ndër gjërat më sfiduese të qënies së ndërgjegjshme? A nuk ju cyt sadopak? A nuk ju shkund nga letargu i një jete të rëndomtë?

Do të thoja pa mëdyshje se jeta është arti i përgatitjes së vdekjes. Në agun e homo sapiens-it një nga reflektimet e para ka qenë pikërisht ai mbi vdekjen. Nuk ka në fakt një vizion jete pa një vizion vdekjeje dhe pa pyetjen e pashmangshme: ç'ka ka dhe a ka diçka përtej saj? Qytetërimet e lashta ishin të sigurta se po ka diçka. E kanë menduar në forma të ndryshme çka është përtej duke larguar kështu mendimin tmerrues të asgjësimit total.

Po ashtu qysh në fillimet e qytetërimit evropian, sidomos në filozofi, vdekja është një nga mënyrat e shfaqjes së jetës. Ashtu si dita dhe nata që ndërkëmbehen si shfaqje të së njëjtës jetë, ashtu të gjallët dhe të vdekurit ndërkëmbehen dhe janë fytyrat e së njëjtës jetë. Me Platonin grekët konceptuan pavdekësinë e shpirtit.

Mbi vdekjen reflektuan filozofë e poetë, prifërinj e profetë. Ajo mbetet sot e kësaj dite si shpata e Damokleut mbi kryet tanë. E ekzorcizojmë në mënyra të ndryshme, madje kemi shpikur edhe një fjalor eufemizmash: "ndërroi jetë", "kaloi në jetën e amshuar", "kaloi në amshim", "u kthye te Zoti", "nuk është më mes nesh", "u shua" etj. etj., vetëm e vetëm që mos të themi fjalën "vdekje". Por ajo nuk ka emër tjetër.

Ne të krishterët besojmë se Krishti nuk bëri eufemizma me vdekjen, por e mori atë mbi vete dhe vdiq. Po po ai vdiq! Ngjallja ndodhi nga vdekja totale e tij. Nuk ishte një lojë, një ndërrim jete etj. Ishte një ngritje nga vdekja dhe me vdekjen e tij ai mundi vdekjen.

Ndaj për ne të krishterët gjithashtu vdekja është një mënyrë e shpërfaqjes së jetës, madje e vetmja mënyrë e mundshme. "Kush beson në mua edhe nëse vdes do të jetojë" i thotë Jezusi motrës së Lazrit të vdekur. Është ky besim me të cilin ne sot kremtojmë ditën e vëllezërve e motrave tona të vdekur apo sikurse njihet ndrysha dita e Shpirtrave të Purgatorit.

"Vdekja u përpi në fitore.

O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt?’

Thimthi i vdekjes mëkati; fuqia e mëkatit Ligji.

Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtit, Zotit tonë." (1 Kor 15, 54b - 57)

©Dom Gjergj Meta