Urtësi

Copëza kujtimesh: Rrëfim për t’u takuar me vetveten - Nga Ethem Ruka

Akademizmi u projektua nga një mendje gjeniale si ajo e Platonit, filozofia e të cilit për edukimin mbijetoi pa u shuar për të mbërritur deri në ditët tona. Kjo ide u përpunua dhe u pasurua në shekuj nga mendje të ndritura që ndërtuan elitat, pa të cilat zhvillimi dhe progresi i botës nuk do të kishte qenë i mundur. 

Disa copëza kujtimesh e mbresash të sjella në këto radhë janë dëshmi e rrugëtimit tim akademik. Por jeta e një njeriu nuk rrjedh e vetmuar. Ajo është pjesë e një shoqërie të caktuar, e rrethanave të caktuara, dhe e një “habitati e ekosistemi” të caktur. 

Shumë nga kujtimet tona burgosen në sirtaret e harresës. Herë pas here duam të rizgjojmë atë pjesë të jetës që kemi vënë në gjumë por nuk mundemi. E megjithatë, harresa nuk është thjesht një dështim i kujtesës. Ajo nuk e bën kurrë të shkuarën tonë një libër të bardhë dhe nuk e ndan kurrë jetën e askujt më dysh.

Në fund të fundit kujtesa është një rrugëtim mendor që lidh të djeshme me të sotmen. Harresa, mbase është edhe miku më i mirë i kujtesës, për sa kohë përzgjedh me kujdes përvojat e së shkuarës, duke në lënë të lirë të jetojmë të sotmen pa përjetimet e hidhura ose të panevojshme të së djeshmes. 

Njeriu filloi të komunikonte me të ngjashmit mijëra vite më parë se të zbulonte shkrimin.  Një ditë ai e kuptoi se pa shkrimin, kujtesa vetjake e kolektive në formën e miteve, legjendave e këngëve nuk ishte e mjaftueshme për t’u lënë pasardhësve trashëgiminë e së djeshmes.

Pa shkrimin, erozioni i kohës gërryen, rrumbullakos, mjegullon dhe zhduk pa mëshirë kujtesën individuale dhe kolektive. Qëkurse njeriu filloi të vizatonte në faqet e shpellave i dha harresës shuplakën e parë, ndërsa kujtesës armën për t’u ruajtur më mirë. Dhe nuk ndali këtu. Ai shpiku idiogramat e pastaj shkronjat, të cilat i gdhendi në faqe gurësh e qeramikash. Më von shkronjat i hodhi në pergamenë e mbi letër. Të njëjtën gjë bëjmë edhe sot duke përdorur teknologjinë numerike.

Çdo qenie njerëzore është një bibliotekë lëvizëse, që një ditë digjet e asgjesohet. Libri i jetës nuk mund të përfundojë vetëm në një pllakë mermeri ku shkruhet data e lindjes dhe e largimit nga kjo botë. Ai është shumë më tepër se sa kaq. Ndaj shkruajmë që mos të harrojmë. Librat nuk janë thjesht histori individuale apo e një galerie personazhesh, por kujtesë e një kohe e rrethanash të caktuara, kujtesë e përpjekjeve të një brezi për ta lënë botën më të mirë nga sa e gjeti kur erdhi në këtë jetë.

Një ditë një gazetar pyeti një mikun tim të të njëjtit brez nëse po shkruante diçka siç po bëj unë. Jo i tha ai si me shaka, kam ende kohë për të shkruar kujtime si Ethemi. Nuk më erdhi mirë kur e dëgjova. Nuk e di kur do shkruajë miku im deri sa nuk ka shkruar asgjë deri më sot. Të shkruash është pasion, është dhunti, është një shtysë e brendshme që nuk e gjen te kushdo. Nëse një ditë të gjithë do të shkruanin libra, mbase libri do të kishte vdekur përfundimisht.

Kam shkruar pa pushim dhjetra e dhjetra libra për shkollën, studentët, shkencën e publikun. Por ja që një ditë vendosa të shkruaj edhe për përjetimet që kanë lënë mbresë në jetën time. Shkrova një libër që e quajta “Rikthim në vendlindje”. U riktheva me dashuri te e djeshmja dhe takova me mall vetveten, vendlindjen dhe miqtë e mi të atyre viteve.

Vazhdoj ta bëj përsëri, por tani për të ritakuar vetveten dhe miqtë e mi gjatë e rrugëtimit tim akademik. Ky rrugëtim nuk u bë aspak mbi petale lulesh. Përkundrazi, është rrugëtimi i një të riu që vjen nga periferia në kryeqytet pa patur asnjë mbështetje, por vetëm ëndrrën për të mësuar më shumë nga ata që dinë më shumë dhe që një ditë atë që ke mësuar për vete tua japësh me shumë dashuri edhe të tjerëve.

Mbase kjo është një mënyrë për të vrarë sadopak harresën e një kohe, është një mënyrë për të treguar se edhe kur diçka duket e pamundur, gjithmonë ka një mundësi drejt së mirës. E megjithatë, kur bën një rrugëtim mendor në drejtim të kundërt me rrjedhën e kohës nuk është e lehtë. Është si të notosh në drejtim të kundërt me ujërat e lumit për të mbërritur te burimi. Gjerat mjegullohen, rrumbullakosen dhe humbasin detajet.

I jam shumë mirënjohës kujtesës sime që ka mbetur po aq e freskët si dikur. Nuk jam marrë shumë me sport, por një sport e kam ushtruar rregullisht, fizkulturën e trurit dhe mendjes. Vazhdoj ta bëj ende pa u lodhur.

©Ethem Ruka