Bij dhe etër - Nga Ylli Pango
- Published in Andej-Këtej
Koha jonë... Koha e këtyre...
Shpesh dëgjojmë, shohim, lexojmë ditirambe, nostalgji, dhimbje për kohën tonë që shkoi e që ishte aq e mirë krahasuar me këtë të sotmen... për brezin tonë që kish ca gjëra natyrale, që këta nuk i kanë dhe "like", afirmime, "që ç'ke me të-ra" etj., etj.
Sigurisht edhe brezi ynë e koha jonë kanë pasur të mirat e tyre. Edhe të këqiat e tyre, naryrisht. Si çdo kohë, nuk po flas për sistemin, por për jetën tonë sado të thjeshtë, ndjesitë tona, dashurinë, muzikën, sportin, shijet etj., etj., e sidomos rininë që në shpërthim fuqie e optimizmi, kishte edhe ajo aq shumë për të provuar, gëzuar, sado "si në rrethim"...
Sado-sado në izolim, i kemi përjetuar, shijuar, jetuar, gëzuar edhe ne disa kohra a periudha të bukura edhe thjesht se ishim të rinj e rinia e shëndeti e bën të bukur edhe të vështirën.
Tek brezat në prag-ikje, mendoj se ajo që thuhet e nganjëherë idealizohet si më e mirë në raport me të sotmen e brezat e rinj sot, është një dukuri shumëdimensionale psikologjike (kujtesë, nostalgji, përjetime, por edhe përgjithësime jo rrallë të gabuara a sipërfaqësore etj.).
Ajo që jo rrallë nuk qëndron, kërcet, është te krahasimet:
1-Ne si brez i lindur gjatë periudhës të quajtur në Europë e SHBA baby-boom (të lindurit e viteve pas lufte e deri në 1965), dimë shumë pak, apo nuk na intereson edhe aq të dime, a nuk arrijmë të analizojmë a të hyjmë në detaje më saktë a më thellë, për të rinjtë e jetën e tyre në kohën e sotme. E bashkë me të këqiat të shohim edhe për të mirat e avantazhet e kohës së sotme e të brezit të ri, në vetvete e në raport me ne.
Të këqiat po. I njohim mirë. E sidomos sepse këto i rilevon media. Jo vetëm krimin e drogën por edhe falsitetin e cektësinë e një pjese të vogël snobe e vulgare rinore në ekrane, që paraqitet si trendy e moderne. Shto këtu që media nuk e quan lajm lajmin e mirë por të keqin. E rrallë shohim të rinj të suksesshëm në fusha të ndryshme. Kësisoj ne shpesh shohim me sy të perënduar kritik, atë që na japin. Media e media sociale. Veç fasadën e të këqiave të kohës sot. Të jetës së të rinjve sot. Kësisoj nuk e përjetojmë dot atë, në tërësinë e saj, veçse cekët. Dhe përgjithësojmë gabim një brez të tërë ("eh si u prish kjo rini sot...!").
Por duhet të dish të analizosh që pastaj të përgjithësosh. Në mos qofsh i ri që të jesh brenda jetës që gjallon e të marrësh përjetimet e vështirësive e punës, por edhe shijet e bukura të suksesit e të jetës sot.
Ne njohim e ndjejmë veç ato: tingëllueset, zhurmueset: atë pjesë jete të rinjsh vulg e të kallangjosur në media. Pjesën e cekët të breznisë së re. Shohim e dëgjojmë për krimet, përçudnitë. Në lokale e bregdet tensionohemi nga zhurmat shurdhuese, muzika-jo muzikë e shfaqjet e niveleve të ulëta të qejfit vulgar etj. Këta po. Këto të disgustojnë. Por nuk janë këto gjithshka e brezit të ri. As thelbi.
Ne harrojmë se pjesë e këtij brezi të ri janë edhe vajzat e tipit Mira Murati, këngëtarë e artistë të suksesshëm, me dhjetra Xhimshita e qindra të tjerë në sport, që na i çojnë zemrat peshë etj., etj.
"Mos na fol për kulmet", do thoni. Ok. Po aty ku ka kulme ka edhe çati por edhe godinë e themele të fuqishme poshtë. Le të zbresim edhe ca më poshtë. Ka shtresa, grupe të rinjsh, taban, që nuk janë kaq me famë por që punojnë me sukses në biznes, arsim, studiojnë, shkruajnë, botojnë etj. Si u përgjithsuaka si brez koti, i gjithi ky kështu (natyrisht duke përjashtuar fëmijët e kritizerëve që baballarët vetëm këta i konsiderojnë të suksesshëm e që edhe këta nuk janë pak...)?
"Po ata që ikin?" do pyesin disa. Natyrisht që mirë është ti kemi këtu. Po në një aspekt i kam zili për lirinë e ikjes, që ne nuk na lejohej. Të të provuarit, të përpjekjes për një jetë të re, të aventurës, të mundësisë së suksesit në botën e madhe, qoftë edhe të dështimit, pësimit që bëhet mësim edhe duke u kthyer sërish në atdhe e provuar sërish këtu. "C'est la vie". Dhe kjo edhe ka qenë e do jetë jeta, për shumë brezni të reja në botë. E theksoj: nuk po flas për politikën, por për rininë në të gjithë aspektet e larminë e jetës së saj: sukses, dështim, përpjekje, vuajtje, shkëlqim, zbehje, si çdo brez e çdo kohë, askurrë deri më sot ideale.
2-Kujtesë e ngushëllim: Nuk jemi ne të vetmit që kujtojmë me nostalgji kohën tonë, e ankohemi apo i qajmë hallin brezit të ri. Që shkruajmë e flasim për ato "gjërat e çmuara që ne i kishim e që ky brez nuk i ka", që nga xhirua e madhe, plazhi pa luks, natyralja, kafe Peza etj., etj. (Pa merak. Kanë edhe këta sot. Kanë të tjera që ne nuk i dime.)
Por nuk jemi të vetmit. Është aq e përsëritur kjo histori e brezave të rinj që çdo herë që vinë, sa vinë e "prishen" e që nuk kanë të krahasuar me brezin që po perëndon. Keni shembuj plot. Që nga shekulli 19 e raporti i brezave, njëlloj si sot, përshkruar në "Etër e bij" të Turgenievit. Po i keni dhe në libra e histori të treguara të çdo shekulli para tij po kështu, e deri shumë shekuj më parë, në Greqinë e Romën e lashtë.
Kurdoherë njëlloj: ka pasur gjithmonë etër që lëvdojnë kohën e moralin e kohës së tyre e ankohen për të rinjtë që nuk janë si ata e për vlera të bjerrura.
Ama shoqëria ka ecur e ecën veç përpara me breza të rinj, "asnjëherë aq të mirë sa baballarët...". Në fakt gjithmonë, së paku si nivel dije, intelektual, teknologjik, shkencor, nivel jetese, shëndetësi etj., më lart se brezi i shkuar. E kush i mban e i çon më tej këto. Ja ky brez që vjen. Çdo brez i ri në vijimësi. Me të ligjtë, por sidomos me të mirët e me më të mirët e tij.
Mos kini asnjë dyshim për këtë: të ishte ndryshe do kishim ecur vetëm pas.
Sa për vlerat morale, amoralitetin, anormalitetin, LGBT-të e anatemuar etj., ato janë aq konvencionale, madje aq të përsëritura, sa që po të lexoni qoftë edhe pak histori qytetërimesh të lashta nga vimë, grek a romak, do të vëreni se çdo gjë të sotme do ta gjeni edhe atëhere.
Asgjë e re në këto aspekte, veç përsëritje a rimarrje e të vjetrave me lustër të re, në rruzullin tonë të vogël.
© Ylli Pango



