Andej-Këtej

Lektisje dhe verbëri totalitare - Nga Atena Bishka

Prej javësh morëm pjesë në teatrin ku u shpalua melodrama e ri-gjetjes së një këngëtareje dikur të njohur shqiptare, si të ishte një përrallë zemërngrohëse në stilin “Mrekullitë Ndodhin!” të Krishtlindjeve. Ishin aty të gjithë karakteret përbërës - heroina, shpëtimtari, ndihmës-shpëtimtarët, personazhe plotësues kryesorë dhe kasti i aktorëve dytësore përfshirë korin, që si në dramat e tragjeditë greke, jemi ne vetë. Teksa e ndiqja, në mendje më përziheshin tek-tuk imazhe gjysëm të harruara të një filmi egjiptian, Zonja e Panjohur, besoj i viteve 50-të. Filmi, gati i harruar, skematik e passé, u shfaq në kinematë shqiptare në vitet 80-të - sold out me ditë në mos javë a muaj të tërë. Njerëzit vriteshin për bileta. E shihnin për herë të dytë e të tretë dhe dilnin prej kinemaje me sy të skuqur e të përlotur.

Me pak fjalë, Zonja e Panjohur me portret diku mes Marilyn Monroe dhe Kim Kardashian, show girl e këngëtare në një restorant a kabare, i bie në sy një mjeku të nderuar, të kollarisur prej sëre të lartë. Në stilin e përrallave, midis Bukuroshes dhe Heroit lind dashuri me shikim të parë. Dasëm e mrekullueshme. Çift i lumtur. Muzikë e ëmbël. Një vogëlush në krye të motit. Mbrothësi e begati. Më mirë, s’bëhej. Por, si në çdo përrallë Bukuroshe-Hero, s’do të kishte kuptim sikur e keqja të mos e gjente një plasë prej ku të depërtonte për të prishur parajsën, zakonisht duke shfrytëzuar dëlirësinë a brishtësinë e heroinës, në mënyrë që pastaj ne të ndjekim frymëpezull kalvarin e travajeve të këngëtares zë-ëmbël, viktimës engjëllore, modelit femëror të bukurisë, urtësisë dhe virtytit, derisa më së fundi të mbërrijmë te triumfi mallëngjyes i së mirës ndaj së keqes.

Sipas kësaj strukture, për shkak të intrigës që e vendos në rrethana kompromentuese, heroina braktiset nga i shoqi dhe ashtu, duke humbur aty për aty gjithçka, përfshirë edhe të birin foshnje, përfundon fillikat në rrugë të madhe. E ndërsa vitet kalojnë dhe vogëlushi rritet e dikur bëhet avokat, nëna tashmë e dërrmuar nga mjerimi, vitet dhe vetmia, i kalon ditët duke u avitur si Zonjë e Panjohur lypsare pas kangjellave të vilës ku dikur ka pasë jetuar për pak kohë, duke shpresuar të shohë të birin sa herë që vetura e merr dhe e sjell te dera e shtëpisë. Dikur heroina përfundon në gjyq e akuzuar për vrasjen e keqbërësit të saj dhe, Deus Ex Machina, avokati mbrojtës, është askush tjetër përveçse të birit, që nuk e di se cila është e ç’e lidh me gruan fatkeqe.

Që këtej, sikurse zakonisht ndodh në çdo përrallë, gjithçka merr zgjidhje shpejt e shpejt me falje, pajtim, dhembshuri, lot gëzimi e përqafime. Është version i arketipit mijëra vjeçar “i thesarit, e asaj që është me vlerë e rëndësi, i të bukurës e të virtytshmes, robinë e së Keqes ose Kuçedrës, që zbulohet e shpëtohet nga heroi ose kampioni i së Mirës”, që gjendet edhe në përrallat dhe folklorin tonë, mjaft të kujtojmë përrallat me vëllezërit Muji e Halili të Ciklit të Kreshnikëve, ku heroi kërkon e shpëton të Bukurën e Dheut nga Bajlozi ose Kuçedra.

Edhe historia sensacionale e Parashqevisë, që i vjen publikut si histori e përditësuar live e si ditar në shkrim e sipër këto netë dimri, është e strukturuar sipas këtij arketipi, ngërthyer në psikikën tonë qysh në ag të kohërave. Me sa dimë a çfarë fantazojmë se dimë, e përfytyrojmë pak a shumë të ketë zbritur hap pas hapi, shkallë pas shkalle, poshtë e më poshtë në Ferrin e Dantes, brenda rropullive të barkut gjigant e të errët të metrosë së New York-ut, ku kobet nuk sosin (plot 11 vrasje në vitin që sapo mbaroi), deri në ditën fatlume të shpëtimit, si të ishte një histori mrekullish fundviti, shumë e mrekullueshme për të mos qenë veç fantazi! Dhe, ndryshe nga Zonja e Panjohur e filmit, për të ndjekur historinë e “Divës Tonë”, siç dëgjojmë ta quajnë rëndom, s’ka nevojë për bileta hyrjeje.

Rrëfenja me zhvillimet e saj na ndjek online ditë pas dite. Kufijtë aktorë-spektatorë janë shkrirë në këtë spektakël ku heroina tragjike, duket se për pak, aq sa zgjasin festimet, përjetoi çaste si prej bukurosheje të fjetur që zgjohet, por ama vetëm për t’u futur në një planet fantazie ku dëshirat, edhe ato që nuk i dije që ishin aty, i sheh të realizueshme. E ndërkaq, privatësia, përfundoi si peshku në akuarium, e kundruar prej secilit në ekranin e vet personal, por njëherazi poaq edhe në kolektivitet virtual, si telenovelë që kënaq nevojën për vuajerizëm, sensacion, sehir e argëtim. Brenda nesh paska diçka që e bëka të pamundur t’i kthejmë sytë tutje prej pornografisë së traumës në vitrinë, spektaklit me streaptease emocionale të çfarë duhet të ishte private, dhe shpalimit të fatkeqësisë personale në telenovelë.

Tani, për të qenë e qartë, pa dashur të pozicionohem si patronizuese a moralizuese ndaj një situate që duket se ka prodhuar e prodhon vuajtje të pamatë personale, as të hamendësoj veresie, sinqerisht uroj e dua vërtet të besoj që artistja Parashqevi Simaku të marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor e profesional për ta mëkëmbur shëndetin e saj mendor e fizik. Fatkeqësitë, gabimet dhe fatalitetet ndodhin. Kush s’ka tesha të palara që s’do të donte t’ia shihte bota?

E painteresuar të merrem me rrafshe private, ka disa aspekte që dua t’i cek, përtej rastit specifik dhe individual. Në krye të pirgjeve të lëndës sensacionale që magnetizon ndjeshmërinë e kurdis fantazinë popullore, kjo histori pikëlluese që ka ngashëryer publikun mund të shihet edhe si formë me të cilën nën-ndërgjegjja kolektive lidh të shkuarën me të tashmen, si rrekje eskapiste për të ri-ndërtuar filmin e vetes së dikurshme, përmes mallit për rininë ikur e vajtur, bashkë me këngët mbuluar me pluhur harrese të Parashqevisë. Është sadokudo nostalgjia që përcillet mjeshtërisht në filma si Kumbari (Il Padrino), ose serialë si Sopranot, ku deri edhe karaktere vrasësish pabesueshmërisht brutalë e sociopatë të pashembullt, shndërrohen si të ishin kotele që struken me ledha e paqe në pëqi, si shpirtra sentimentalë poetikë që iu rrëshqet përvuajtshëm një sumbull loti prej cepit të syrit, mënd të alivanosur njëri më shumë se tjetri nën tingujt e mjaltë të Parla Piu Piano, Core 'ngrato, O sole mio, Arrivederci Roma, Mamma (ah, shqiptarët dhe përbetimet për Nënat!).

Njëlloj, edhe publiku ynë duket se është gjithnjë gati për “Jarna Ne, Jarna Na” dhe i thekur të kridhet në nostalgji të tipit “Mos ua prishni lumturinë! / Mos ua prekni dashurinë! / As kurrëkush mos ta provojë / se nënat s'ju lejojnë!”, sikurse është poaq i thekur edhe pas historive të sojit të yjeve me trajektore rrëzimi prej zenitit në nadir. (Më vjen të pyes, këtu: po, kush, xhanëm po ua prishte a guxonte t’ua prekte lumturinë fëmijëve teksa në vitin 1988-89 ishim ende në socializëm, kohë kjo kur hipotetikisht fëmijët e gjithë Shqipërisë s’mund të mos ishin më të lumturit e më të mbrojturit, gjithnjë pranë familjes, gjyshes e gjyshit, me nënën që iu gjendej rrotull non-stop, sapo vinte prej pune, ashtu ndarë njëqind copash, sa duke larë rroba me dorë, sa duke ngrohur ujë për të larë enët, sa me tabaka në duar e sa duke gatuar në banjë, edhe duke hedhur sytë aty-këtu edhe nga Parashqevia në ekran? Po, kush ua prishte atyre lumturinë - armiku i klasës? Edhe fëmijëve të gjithë botës ai ua prishte?)

Ka një përmasë perverse malli ynë për artin e epokës totalitare. Sa i takon muzikës së lehtë, le të bëjmë një grupim të thjeshtë, në dy kategori. Meqë arti, ishte levë në shërbim të qëndrueshmërisë dhe jetëgjatësisë së regjimit, pjesa më e madhe e krijimeve renditet në grupin e propagandës së pastër, qepur tej e ndanë me fillin e kuq të partisë, si për shembull: Me 200 petrita, komunista lule; Nëntori i Lirisë: Shqipe përballë çdo furtune / Shqipe përballë çdo bllokade / Hedh ti gjithmonë valle pune / Hedh ti gjithmonë valle shpate; Kasollja e Galigatit: S'kishin gjumë malet / S'kishte gjume Enveri / Frynte erë e dimrit / Si këngë maliheri.

Të tilla këngë dëgjoheshin pa papushim, nga mëngjesi në darkë dhe ishin ndër më të pëlqyerat. S’vë dorën në zjarr, por nuk di që Parashqevia të ketë kënduar këngë të tilla, ndoshta edhe sepse ajo e ka nisur përvojën artistike nga mesi viteve 80-të, kur ishte grupi i dytë ai që po fitonte gjithnjë e më shumë terren. Në këtë grup futeshin krijime si Kënga e Lumturisë e sipërpërmendur e të ngjashmet e saj. Në fakt “Këngët e Lumturisë” do të ishte edhe etiketa perfekte e këtij grupi me orientim më lirik e romantik, meqë synonte të vinte në pah jetën e gëzuar në socializëm.

Dje ishte dje. Mirëpo, sot e gjithë ditën duket se publiku ende e mirëpret dhe e ndjek me ëndje krijimtarinë artistike prodhuar nën regjimin diktatorial. Tani, nga njëra anë, janë gati pesë dekada krijmtari artistike. Është pjesë e kulturës dhe historisë sonë. Dokumenton jetën, formimin e botëkuptimin tonë. Veçse, paradoksalisht, ajo natë e gjatë 45 vjeçare e jetës tonë në kafaz, sot konsumohet, jo, për të na kujtuar se si kemi qenë dhe sidomos si NUK duhet të jemi, por përkundrazi si një kujtim që na këndet, në mos edhe më shumë se dje!

Nuk mendoj se njerëzit dikur qoftë si krijues, ose konsumatorë të artit “bënin sikur” e “performonin” nga e keqja, sepse s’kishte rrugë tjetër, teksa tinëz e heshturazi, na paskëshin patur shije të tjera më të holla e të epërme. Disa, një numër relativisht i vogël, prej sojit të shtresës së ndihmësve të pushtetit, kryesisht në kryeqytet por edhe në qyetete të tjera - sikurse, mjekët kardiologë, internistë a psikiatër të udhëheqësve; njerëz nëpër institute studimesh, minstrira, qendra spitalore e katedra universitare; shefa komitetesh partie e seksionesh arsimi; drejtorë e titullarë ndërmarrjesh industriale, e me radhë - ku kishte më shumë informacion, mundësi për do rrugë në Francë e gjetiu, e më shumë të çara nga ku hynte pakëz dritë- mbase, këta dhe të tjerë në rrethin e tyre, po. Këta i shërbenin establishmentit me besnikëri e zell, sepse doemos e kuptueshëm duhet të siguronin një jetë më të mirë për veten e familjen, duke e ruajtur të sigurtë vendin e tyre o duke u ngjitur edhe më lart shkallares shoqërore.

Por nga ana tjetër, po këta njerëz kishin informacion dhe akses në botën akademike, letërsi, art e muzikë, të tillë që t’ia rafinonin shijet, të menduarin dhe vetëdijshmërinë, aq sa të ndjenin neveri e revoltë ndaj regjimit e ta ndjenin sadopak cimbisjen e detyrimit moral. Kishin personalitet të dyzuar? Padyshim. Por, konflikti i brendshëm duhet të ketë qenë i dobët në këtë dyzim, ku pjesa e personalitetit që i druhej rrezikut e s’ishte gati të përballej me pasojat, fitonte gati gjithnjë mbi pjesën tjetër. Kjo pjesë, brerja e ndërgjegjes duhet të ketë qenë e pamjaftueshme. Njerëz të tillë s’ishin veç mishërimi i “kriminelit të zbehtë” të Nietzsche-s, kriminelit “të vogël”, të zvetënueshëm e pa thellësi morale, i cili mënd sa s’e thyen dhe e bluan me dhëmbë autoritetin, të shenjtën dhe të paprekshmen, por po në atë çast sakaq tutet dhe var kryet përballë kostos e çmimit.

Mos më thoni se regjimi e bënte krejt të pamundur mosbindjen. Kështu kam besuar deri vonë. Kur u largova nga Shqipëria, shprehesha se në Europë zor të ketë patur regjim më të egër totalitar se Shqipëria - të guxoje të ngrije krye ishte thjesht e pamundur, do të ishte vetë-vrasje e dënim për gjithë të afërmit. Tani s’jam më aq e sigurtë e s’prirem ta besoj plotësisht këtë tezë, e cila më duket strehëza ku njeriu gjen justifikim, ngushëllim e shëlbim.

E di që do të më kundërshtojnë, mbase jo pa të drejtë, duke më thënë: “E ç’mundësi tjetër kishim, përveçse të mos bënim zë, të përpiqeshim të mos rrezikonim, e të kthenim kokën mënjanë”? Sipas këtij arsyetimi, gjumi mbase bëhej i qetë. Flinin të qetë e mbase nuk i provonin neurozat e “kriminelit të zbehtë” dhe trysninë e jetës së dyfishtë, që e bëri një Alexander Fadeyev, shkrimtar i suksesshëm rus në regjimin e Stalinit e në dukje besnik i Partisë, të mbërrinte në një pikë kur të mos e duronte më atë që i prodhonte pena në kontrast me atë që i thoshte mendja. Në 1956-ën, mbasi i shkroi një letër Komitetit Qëndror ku shprehej: “Është e pamundur për mua të vazhdoj të jetoj më tej, duke qenë se arti të cilit i kam dhënë jetën, është shkatërruar nga liderëshipi injorant dhe arrogant i Partisë, deri atje ku nuk mund të ndreqet më… Letërsia - kjo e shenjtë ndër të shenjtat - i është dorëzuar për asgjësim burokratëve dhe elementëve më të prapambetur të popullit, dhe prej gjykatave më të larta”. Ai i jep fund jetës. (Marrë nga eseja “Të Dyzuarit”, Natan Sharansky dhe Gil Troy, 2021, Tablet) Mbase Kasëm Trebeshina i afrohet këtij rasti në Shqipëri.

Natyrisht, nuk jam aspak duke sugjeruar këtu që artistët, shkrimtarët, krijuesit, figurat publike, a kushdo tjetër qoftë, doemos të vrisnin veten e të binin theror. Padyshim, që ishte kohë tmerrësisht e vështirë, por mendoj se të besosh në këtë tezë do të thotë të jesh i pagatshëm të shohësh përgjegjësinë në sy dhe të pranosh skllavërinë ndaj frikës. Fundja, historia njerëzore është e mbushur me regjime pabesueshmërisht shtypëse e sundimtarë të përbindshëm, burgje, tortura e vrasje. E megjithatë nuk kanë munguar historitë e njerëzve që kanë ditur të sfidojnë e të kundërvihen, duke e shkurtuar e dobësuar sadopak regjimin shtypës e duke zgjuar ndërgjegjen e gjithë të tjerëve. Diferencën e ka bërë vetëdija dhe guximi që gjendet tek e kundërta e “kriminelit të zbehtë”, tek ata njerëz, që vendosin të mos e kthejnë kokën mënjanë e të mos riprodhojnë rrena të vogla a të mëdha.

Në ndryshim me kategorinë e mësipërme, (nuk futen këtu fanatikët dhe elementët “kalë karroce” e “gjoksin vrimë!” të sistemit) shumica e njerëzve, masa kritike e popullit, në rrafshet më të ulta të shkallares shoqërore, pa dritaret e portat e informacionit të të privilegjuarve, përfshirë këtu të rinjtë, nxënësit dhe studentët e konvikteve që s'kishin kund akses përveçse çfarë u ofronte nëna Parti, i duartrokisnin dhe i pëlqenin përnjimend shfaqjet teatrale, filmat, muzikën dhe këngët që prodhonte ajo epokë. Ishte gjithçka që ata kishin për t’u argëtuar e socializuar. I mbanin mend përmendësh batutat e romuzet, këndonin vargje dhe fishkëllenin meloditë. S’kishin alternativa të tjera. I dëgjonin papushim e me ëndje të madhe sa herë që transmetoheshin në radio dhe TV.

Fundja, u këndonte shpirti rinor dhe pulsonte dëshira për jetë, pa patur luksin të zgjidhnin, të krahasonin, të parapëlqenin a t’u bënin buzë gjërave. Jetonin me çfarë të mundeshin, si të mundeshin. E shuanin etjen me atë që ndodhej në gotë. Është qesharake të mendosh se kushedi mbase edhe rrinin duke pyetur veten: Mos vallë kjo këngë/vjershë/film që po më pëlqen i shërben regjimit të diktaturës? Ata njerëz që kam njohur unë nuk mendonin e ndoshta s’kishin si të mendonin kësisoj, edhe po të ekzaltoheshin, bie fjala, duke ndjekur Hit Parade/Top Ten apo Festivalin e San Remos (shumica ishin të thekur pas muzikës së lehtë e popullore jugosllave dhe greke), ose kur shihnin filma të huaj a lexonin letërsi të huaj. Shumica ose nuk lexonin, ose lexonin libra autorësh, pena e të cilëve për orgjinalitet kishin përkthimin e vijës së partisë në roman, tregim e vjersha. Ishin sidomos popullorë librat, që plotësonin përpikmërisht kriteret ideologjike e që pastaj ishin shndërruar në skenarë filmash që propagandonin jetën e mrekullueshme të rinisë në socializmin e lavdishëm shqiptar.

Përkthimet ishin relativisht të pakta, s’gjendeshin lehtë, ose nuk njiheshin e nuk arrinin të zgjonin interes, me përjashtim te një pakicë lexuesish. Ata që kam njohur unë, i kompartmentalizonin gjërat. Kur ndiqnin e shijonin edhe këtej edhe andej, nuk vinin re ose nuk ngamoheshin nga vëzhgimi se “këtej” dhe “andej” mund të ishin në kundërshti me njera-tjetrën. E shpërfillnin, mbase nuk e dallonin, ose mbase nuk i bezdiste kontrasti edhe po ta dallonin. Nuk e dinin se jetonin në burg. Këta dhe brezi i prindërve të tyre ishin njerëzit që derdhnin lot të vërtetë kur Enveri i la. Nuk rronin me ndërgjegje të rënduar.

Vetëdija është diçka mbase më e rrallë. Jo të gjithë njerëzit janë ose duan të jenë të vetëdijshëm. Që mendja të mendojë e të fitojë vetëdijshmëri, duhet të ketë akses tek idetë e puna e mendjeve të ndritura, të ketë palestrën, veglat, ushtrimet dhe disiplinën e duhur që të stërvitet për të bërë punën e mundimshme që lyp të menduarit. Dje, këto gjëra mungonin. Diktatura u instalua edhe falë vetëdijes joekzistente ose rudimentare, të cilën u kujdes ta ruante ashtu përmes kontrollit të rreptë të mendimeve dhe ideve. S’do mend që kishte shtypje, diktat e ndrydhje, gjithnjë sipas shembullit e shkollës së bolshevikëve. Por, bindja dhe nënshtrimi arriheshin jo vetëm me dorë të hekurt, por edhe nëpërmjet konformizmit.

Njerëzit konformoheshin me gatishmëri, duke manifestuar zell të mirëfilltë. Të veproje ashtu ishte doemos më e lehtë e madje më me përfitim, në afat të shkurtër, gjithësesi. Në afat të gjatë, konformizmi sillte njëtrajtshmëri, shndërrim në kalë karroce, mungesë mendimi dhe gjykimi kritik, ndrydhje të guximit, rrafshim të individualitetit, mpakje të imagjinatës dhe kreativitetit (me përjashtim ndoshta të Ismail Kadaresë), shtupë në gojë, tretje të përgjegjësisë, zvetënim moral, përjetësim të regjimit diktaturës së proletariatit e deri edhe kryerje të mizorive, siç pati paralajmëruar Hannah Arendt.

Dje ishte dje. Por, që SOT të ndiejmë mall për ato këngë që glorifikonin jetën nën një regjim, të cilin nuk e donim, dëfton se ende sot pas 35 vitesh, sikurse edhe dje, na mungon vetëdijshmëria dhe ndjeshmëria që nevojitet për të kuptuar se çfarë impakti pati diktatura në psikën tonë dhe ç’rol kemi luajtur me veprimet e mosveprimet tona për të mbajtur në këmbë regjimin totalitar, përtej detyrimit që ushtrohej së lartmi egërsisht e me dorë të hekurt nga regjimi.

© Atena Bishka