Mësuesja e fizikës - Nga Bamir Bebeziqi
- Published in Andej-Këtej

Mësuesen e fizikës më kot mundohesha ta gjeja në ndonjë shkollë duke dhënë mësim. Nuk munda ta gjeja as në universitet duke dhënë leksione, as në Akademinë e Shkencave duke referuar.
Mësuesen e fizikës e takova rastësisht një ditë tek një agjenci turistike. Mendova se po priste biletën për të udhëtuar diku, por jo. Ajo qe kthyer në agjente turistike.
Mësuesen e fizikës e quajnë Lili, është pak vite më e vogël se unë, e mjaftueshme që ta kujtoj qysh kur ishte një vajzë e vogël në kopshtin e nënës sime e kur shkoi në gjimnaz si nxënëse e tim eti.
Lili ishte një vajzë e mençur, binte në sy për inteligjencën e saj, ishte e dëgjuar si pjesëmarrëse e rregullt e olimpiadave të matematikës apo të fizikës. Edhe studimet e larta për fizikë i kreu. Vajzat dashuruese të fizikës se ç’kanë diçka të veçantë. Ka edhe shkenca të tjera si matematika apo kimia e biologjia, por fizika është diçka më lart, diçka më e gjallë, diçka më e prekshme. Ajo hyn kudo në çdo aspekt të jetës dhe kjo e tërhoqi Lilin e mençur që t’i futej me pasion asaj dege. Kur përfundoi universitetin e emëruan larg, shumë larg, në një lokalitet të Shqipërisë juglindore, në një shkollë të mesme bujqësore.
Vajza e dashuruar pas fizikës u ndesh me vështirësinë e parë. I duhej të largohej nga qyteti i saj i lindjes buzë detit e të shpërngulej në qytezën e vogël rrëzë malit e të jepte fizikë atje.
Pasionin e saj për fizikën mësuese Lili u përpoq t’ua përçonte edhe nxënësve atje në shkollën bujqësore, por nuk qe e lehtë. Nxënësit kishin probleme egzistenciale e mendja e tyre nuk punonte e më kot mësuesja përpiqej. Më të shumtit vinin nga fshatrat përreth, kishin vështirësi transporti, nuk kishin veshje të përshtatshme, u mungonte kryesorja, ushqimi i domosdoshëm për trurin. Ata e shikonin me dhëmbshuri mësuesen që përpiqej, por veç empati kishin për të dhe e kuptonin se nuk mund t’i sillnin ndonjë kënaqësi e mësuese Lili filloi të lodhej, të stërmundohej, të nervozohej e nga pak filloi të ndjente një pështjellim nga brenda. Stresi kishte filluar ta brente.
Nxënësit nuk tërhiqeshin nga Newton, nga Pascal, nga Faraday apo James Watt e mësuesja gjeti një zgjidhje. Filloi të shpjegojë veç kuriozitete. Nuk kaloi shumë e viti 1990 hyri me plot probleme. Disa djem filluan të mungonin. Më pas numri u shtua e në vitin 1991 mbetën shumë pak djem në shkollë.
Në shtetin fqinjë kishin nevojë për të mbledhur prodhimet bujqësore e nxënësit pa marrë parasysh rrezikun kalonin kufirin çdo natë. Vajzat në shkollë filluan të shqetësoheshin. Djemtë po iknin, bashke me ta po iknin edhe ëndrrat e tyre. Nga pak filluan një nga një të zhduken edhe vajzat. Vendi fqinjë kishte nevojë për pastruese shtëpishë, për dado fëmijësh e për ndihmën ndaj të moshuarve. E nuk kaloi shumë, mësuese Lili mbeti me një grusht nxënësish. Për fizikën nuk i binte mendja njeriu e pyetja egzistencialiste lindi edhe për të: Po unë çfarë do të bëj?
E një ditë mësuesja mori vendimin. U kthye në qytetin e saj të lindjes, kësaj radhe si e papunë, në pritje nëse krijohej ndonjë mundësi në ndonjë gjimnaz të qytetit, por përpjekja i shkoi kot. Gjimnazeve u kishte rënë numri i nxënësve, pasi shumë prej tyre kishin marrë anijet, kësaj radhe drejt vendit fqinjë përballë.
Çfarë do të bënte mësuese Lili? Në atë kohë ishte edhe fejuar me një shokun e saj të kursit. Edhe ai pas disa vitesh mësues në fshat edhe ai pa punë, kthehet në qytetin e tij të lindjes. Dy mësues fizike të papunë. A e kishte komoditetin Shqipëria të kishte mësues fizike të papunë?
Por dy mendje të ndritura filluan të mendonin dhe me shumë vështirësi e gjetën një zgjidhje. Kishin dëgjuar për turizmin. E ndjenin se një ditë turizmi do të rritej në vendin e shqiponjave dhe hapën të parën agjenci turistike në qytet. Në fillim patën vështirësi e i mbulonin shpenzimet duke shitur bileta trageti e avionic, e me kalimin e viteve e rritën biznesin. Disa vite puna eci shumë mirë, por nuk kaloi shumë, një tjetër fenomen filloi të vriste biznesin e tyre. Njerëzit filluan të blinin bileta veç me një drejtim... Njerëzit po largoheshin. Një nga këta isha edhe unë që shkova tek mësuesja e fizikës e bleva 4 bileta Tirane-Toronto me një drejtim. Mësuesja e fizikës fitoi pak nga 4 biletat e mia, por diçka kishte kohë që po e gërryente nga brenda. Biletat pa kthim filluan ta shqetësonin. E kush do të shkontë për turizëm në të ardhmen, kur familjet blinin bileta pa kthim? E mësuese Lili e cila kishte humbur dashurinë e saj për fizikën dikur, pasi nxënësit u larguan një nga një, po kuptonte se edhe biznesi që kish nisur, po goditej rëndë.
Kaluan shumë vite e ashtu me të ecurën lart e poshtë, mësuese Lili u përshtat nga pak. Ajo u mësua me ikjet, u mësua me të humburit, por një ditë i erdhi një goditje krejt papritur e ajo u revoltua e një klithmë i doli prej gjoksit.
-Mjaft më!
-Edhe sa do të vazhdoj kjo hemoragji? - e nuk mundi që të frenonte lotët. Ajo grua e fortë, u thye atë ditë, kur dy fëmijët e saj blenë tek ajo, biletën pa kthim.
E për çfarë i duhej biznesi më pas?
© Bamir Bebeziqi - Toronto