Ministri që ia thoshte të vërtetën në sy Mbretit Diell
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Klodi Stralla
Jean-Baptist COLBERT (1619-1683) ishte ministri më i shquar i Luigjit të 14-të, reformator i madh i financave të shtetit, përfaqësues tipik i Merkantilizmit - shkollës ekonomike që e sheh Shtetin si promotor dhe garant të përparimit të ekonomisë kombëtare. Nën udhëheqjen e tij Franca u bë vendi më i prosperuar i Europës kontinentale, me industri të zhvilluar tekstile, me flotë tregëtare që rivalizonte Anglinë dhe me një sistem tatimor e doganor modern.
Colbert vinte nga një familje e pasur tregëtarësh e bankierësh nga Reimsi. Studimet i kreu në një kolegj jezuitësh dhe shumë shpejt, ende pa mbushur 21 vjeç, ra në sy të njeriut më të fuqishëm të kohës pas Mbretit, kardinalit Mazzarin. Ka mbetur legjendare thënia e tij, drejtuar Luigjit të 14-të: - “Madhëri, çdo gjë që kam në këtë jetë e kam falë teje, më lejo të t’a kthej borxhin”. Ky ishte rekomandimi që Mazzarini i bëri Mbretit për Colbert-in.
Që aty filloi karriera e tij si nëpunës shteti. Kur Colbert u emërua Sekretar shteti për financat ato ishin në prag falimenti. Ashtu si tek ne sot, në arkën e shtetit francez futeshin vetëm 50 % e taksave, falë informalitetit dhe korrupsionit të lartë. U deshën vetëm pak muaj që gjendja të përmirësohej rrënjësisht.
Por Colbert nuk u mjaftua me kaq: ai i përkiste asaj mënyre të menduari që “Arka e shtetit nuk mbushet vetëm me masa shtrënguse por me zhvillimin e ekonomisë kombëtare”. Reformat e tij të thella për gjallërimin e ekonomisë kanë mbetur në histori me emrin “Colbertizëm”.
Parimi i tij ekonomik: “Bli lirë dhe shit më shtrenjtë” u aplikua në kolonitë, nga ku Franca blinte lëndët e para me çmim të lirë dhe, në sajë të përpunimit industrial, i shiste më shtrenjtë si produkte të gatshme. Kjo kërkonte vitalizim të flotës tregëtare, të cilën ai e dhjetëfishoi. Nuk është vendi të ndalemi në punët e tij të veçanta, ato janë të shumta: fuqizimi i manifakturës, krijimi i sistemit pronësor me hipotekë, vënia në efiçencë e pyjeve si pasuri kombëtare, krijimi i arkave të kursimit, riorganizimi i sistemit arsimor, përmirësimi rrënjësor i rrjetit rrugor francez, e shumë e shumë punë të tjera.
Në Histori, sipas shumë biografëve e studiuesve të tij, Jean-Baptist Colbert mbetet figura simbol e nëpunësit të përkushtuar të Shtetit, që e desh punën dhe vendin e vet, që kish kurajon t’i thosh të vërtetën në sy një mbreti të tillë me kaq emër sa Luigji i 14-të, që kish guximin të ndërmerrte reforma të tilla, dështimi i të cilave mund t’i kushtonte jetën. Franca e Luigjit të 14-të (Mbretit Diell) ishte një Monarki absolute, ku fjala e Mbretit ishte ligj; e megjithatë ai e udhëhiqte vendin me njerëz si Colberti.
Ne shqiptarëve na mungojnë, ndonëse na duhen shumë Colbert-të.


