Andej-Këtej

Laseri, që nga legjenda me Aleksandrin e Madh deri në realitet

Nga: Klodi Stralla

Prej shekujsh ka qarkulluar një legjendë indiane sipas të cilës, kur Aleksandri i Madh i Maqedonisë mbërriti në Indi ndeshi përpara një tempull të cilin nuk e pati të vështirë ta pushtonte. Midis trofeve të tempullit ishte edhe një kurorë e stolisur me ca gurë të çmuar rubini, të jashtëzakonshëm. Vendasit thoshin se atë kurorë e patën sjellë në tempull njerëz të ardhur nga një botë tjetër. 

Sipas profecisë këtë kurorë nuk duhet ta vinte në kokë askush, sidomos në mesditë, kur dielli shndrriste me tërë shkëlqimin e tij. Aleksandri, që e mbante veten të pavdekshëm, nuk e përfilli paralajmërimin, e vendosi kurorën në kokë me vetbesimin e një perëndie, por, pak kohë më vonë, nuk u ndje mirë, zuri shtratin dhe pas një lëngimi të shkurtër, vdiq. Për vite e vite me rradhë kjo mbeti vetëm një legjendë, si shumë të tilla që na vijnë nga Antikiteti.

Realiteti - Nga ajo kohë kaluan 2000 vjet dhe u desh viti 1917 kur Ajnshtajni studioi rrezatimin e detyruar të një sistemi kuantik nën veprimin e një faktori të jashtëm stimulus. Kjo dukuri 50 vite më vonë, në vitin 1967, u bë baza teorike e shpikjes të Laserit dhe vetive të mrekullueshme të tij, dhe bëri që të shihej me një sy tjetër legjenda e lashtë indiane.

Rrezet laser janë rreze drite, pra valë elektromagnetike me gjatësi vale shumë të shkurtër, rigorozisht paralele, që mbartin një energji të madhe, duke e fokusuar atë në një sipërfaqe shumë të vogël, si të thuash tufë rrezesh që i përngjajnë një bisturie (thike) jashtëzakonisht të mprehtë. Këto rreze prodhohen në paisje të veçanta, që quhen gjeneratorë kuantikë. Nga një foton drite prodhohen dy, ata dy japin katër të tjerë, e kështu me rradhë, në një proces zinxhir, ortek, nën veprimin e një stimuluesi të jashtëm.

Përdorimi i tyre sot nuk njeh kufi: 

-kirurgët kanë ëndërruar të kenë një bisturi që të presë indin aq imët sa të mos dalë pikë gjaku. Këtë bisturi optike, veçanërisht në operacionet në sy, e bëri të mundur laseri.

-Me laser priten edhe blloqe të mëdha metalesh, hapen brima, duke u dhënë atyre forma sipas dëshirës, me lehtësinë që një thikë e zakonshme prêt djathin.
-Me Laser është matur, me saktësinë e milimetrit, edhe distanca Tokë-Hënë, përmes rrezes që shkon e kthehet, pa pësuar devijimin më të vogël. 
-Ende të panjohura janë shumë përdorime të laserit në ushtri, në marinë, në aeronautikë, por edhe në astronomi. Fusha e përdorimeve të tij nuk njeh të shterur.

(P.S.) Fjala LASER është akronim anglez (Light Amplification by Stimulated Emision of Radiation), që do të thote "Përforcim i dritës me emetim të stimuluar të rrezatimit”.

 

Tagged under Klodi Stralla Laseri