Njihuni me demagogun
- Published in Andej-Këtej
- Nga: Klodi Stralla
Ashtu si bimët harlisen në tokë dhe klimë të favorshme, edhe demagogët shfaqen dhe lulëzojnë në periudha amullie, kur jeta e gjithsecilit prej nesh kërcënohet nga pasiguria për të nesërmen dhe vritet shpresa.
Ata shfaqen si personat që zotërojnë “çelësin magjik” për eliminimin e të gjitha të këqiave dhe me karizmën e tyre prekin ndjeshmëritë e gjithsecilit, duke i bërë ata të besojnë se janë ata shpëtimtarët e tyre.
- Demagogu flet me fjalë të mëdha e të përgjithshme: nuk preferon të cekë probleme të veçanta e konkrete. Vizioni i tij është universal, i papërcaktuar, si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Demagogu i ka zët shifrat dhe faktet, ai e urren statistikën, të cilën, edhe kur e përdor, flet gjithmonë me përqindje, pa treguar kurrë se cila është njëqinda. Shpesh ai stis fakte të paqena apo pa peshë, dhe i përdor ato si ilustrim për iluzionet e tij mashtruese.
- Demagogu përdor shumë fabula, batuta apo analogji, të huazuara nga folklori popullor, për t’i bërë mendimet dhe premtimet e tij sa më të besueshme për adhuruesit e tij, ndonëse ato nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Demagogu është një njohës shumë i mirë i ndjeshmërisë popullore, i dëshirave dhe kërkesave të popullit. Filozofia e tij për turmat ndjek parimin: “Jepju ç’ju hahet dhe jo ajo që ju bën mirë!”. Ai sillet si babaxhan me popullin dhe prepotent me bashkëpunëtorët e vet, madje, për të qenë të saktë, ai s’ka bashkëpunëtorë por vetëm vartës jesmenë.
- Demagogu është orator, ai zotëron në perfeksion fuqinë e fjalës për të hipnotizuar turmat, për t’i bërë ato të besojnë se është ai njeriu i duhur që, të nesërmen e ardhjes në pushtet, do t’u japë fund përgjithmonë vuajtjeve dhe halleve të tyre. Në çdo fjalim të tij para turmave ai sillet si barazitist, si mbrojtës i të varfërve dhe njerëzve në nevojë. I pëlqen ta shohin si Zeusi, që mbron drejtësinë, duke dërguar rrufe të zjarrta mbi të pasurit shpirtligj, që mendojnë vetëm për veten e tyre.
- Demagogu e urren debatin dhe dialogun me kundërshtarët e tij politikë. Ai parapëlqen të flasë i vetëm përpara turmave, në sheshe apo tubime masive. Në studiot televizive, edhe kur del, preferon të ketë përballë një gazetar të vetëm, që t’ia ketë dhënë paraprakisht pyetjet që ai dëshiron t’i bëhen. Nuk i duron dot kritikat e të tjerëve, por shpesh i bën kritika vetes për gjëra fare pa rëndësi.
- Demagogu është i vetëdijshëm se teoritë që përhap apo premtimet që bën nuk do të përmbushen kur ai të vijë në pushtet. Kjo e bën atë të rrezikshëm për shoqërinë. Nëse demagogjia e tij pranohet dhe pëlqehet për një kohë të gjatë ai shndërrohet gradualisht nga një ‘finok pervers’ në një ‘delirant paranojak’. Historia njeh shumë shembuj të tillë, kurse ne shqiptarët kemi përvojë të hidhur prej tyre.


