Andej-Këtej

A do të bëhet Gjermania një Rajh i Katërt? - Nga Klodi Stralla

3 Tetori i 1990-ës është data e ribashkimit të Gjermanisë, e ndarë në dy shtete me regjime diametralisht të kundërta pas Luftës së Dytë Botërore. Që nga ajo kohë kanë kaluar tre dekada dhe sot Gjermania e bashkuar është fuqia më e madhe ekonomike e kontinentit, që disa europjanëve u kujton Rajhun e Katërt, duke iu referuar Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit.

Kjo mund të duket absurde, duke patur parasysh se Gjemania është sot një shtet demokratik model, me asnjë gjurmë nacionalizmi në të. Por krahasimet me fjalën “rajh” mund të mos jenë tërësisht të pabaza. Termi ka parasysh një sundim, me një pushtet qendror që shtrin kontrollin mbi shumë popuj. Sipas këtij përcaktimi, a mund të jemi gabim nëse do ta quanim sundimin ekonomik të Gjermanisë një “Rajh”?

Frika e hegjemonisë gjermane në Europë nuk është askund më e madhe se në Francë, vend i cili u pushtua nga fqinji i vet tre herë gjatë një periudhe 80-vjeçare. Gjermanofobia është në të gjithë spektrin politik, nga Fronti Nacional e deri tek socialistët. Franca nuk është në gjendje ta konkurojë Gjermaninë. Europa i do mallrat gjermane dhe Gjermania përballet gjithmonë me sufiçit ekonomik. Një sufiçit ekonomik do të thotë që Gjermania në tregtinë me vendet e tjera merr më shumë para nga sa shpenzon për prodhimet e saj. Sufiçiti tregtar i Gjermanisë është katërfishuar që në fillim të mijëvjeçarit, dhe tani kap shifrën 217 miliardë dollarë. Sipas specialistëve, fakti që aktualisht Gjermania ka sufiçitin më të madh tregtar në botë ka një arsye të thjeshtë: pas futjes së euros, mundësia e vetme ishte konkurrenca për ekonominë dhe industrinë gjermane, por këtë nuk e ka bërë në dëm të vendeve të tjera dhe as qëllimisht.

Rajhu i Parë konsiderohet Perandoria e Shenjtë Romake në Mesjetë (962-1806), Rajhu i Dytë është ai i 1871, themeluar nga Bismarku. Rajhu i Tretë është ai i Hitlerit (1933-1945). Në të tre këto raste Gjermania ishte shteti më i fuqishëm i Europës dhe kërcënonte Francën, Rusinë dhe Anglinë të cilat për ta balancuar, historikisht, ndërtuan aleanca politiko-ushtarake, rrjedhojë e të cilave ishin edhe dy luftrat botërore të shekullit që shkoi. Presidenti francez, Fransua Miteran, në kohën e ribashkimit të dy Gjermanive, nuk ishte një duartrokitës i madh i këtij akti. Ai druhej se kolosi i madh në mes të Europës do të kërkonte shumë shpejt të dominonte. Edhe Margaret Thaçeri e Britanisë kishte të njëjtin mendim. Sot edhe njëherë kemi të njëjtin paradoks në Gjermani. Gjermania është një kolos ekomomik por i pamjaftueshëm për ta qeverisur i vetëm Europën e Bashkuar.

Gjermania do ta dominojë Europën ekonomikisht edhe në të ardhmen (nuk ka rival tjetër), por ajo, për shkak të kujtesës të shkuar historike (fantazma e nazizmit), i shmanget rolit të saj politik që i ofron hegjemonia ekonomike. Gjermania kërkon që të ketë pushtet ekonomik, po jo politik. Nacionalizmi i saj bazohet te ekonomia dhe te statistikat e eksportit, e jo te dëshira për të qenë një fuqi gjeopolitike rivale. Sipas analistëve gjermanë, kjo është arsyeja se përse krahasimet që i bëhen Gjermanisë aktuale me atë naziste janë të pabaza.

E megjithatë Historia mbetet e hapur!