Andej-Këtej

Fshati i dashuruar me burgun - Nga Edison Ypi

Rusia, Kina, Kuba, Koreja, Lenini, Stalini, Mao, Fideli, të ishin bërë bashkë, nuk do gënjenin dot sa në një film të vetëm shqiptar.

Komunista sythellë, brigadiera vetullngrysur, mjelëse që e tejkalojnë planin shumfish, traktorë me zinxhirë, tym e rrapëllima, kooperativistë të lumtur mes baltërash, të rinj nga qyteti që me vullnetin e tyre kanë ardhur të punojnë përgjithmonë në fshat – të shohësh të tilla tmerre, të shtrëngosh nofullat sa të thyhen dhëmbët, të dalë një bisht nga pas, të plasin sytë, të dalin brirë, të hapet barku të dalin zorrët, të çfaqen neuroza prej të cilave të vuash tërë jetën, është më se normale.

Filmi, apo mali me gënjeshtra, ay më i neveritshmi dhe më qesharaku, ay që shqiptarët i luajti nga fiqiri, është një dhe vetëm një. Ay me atë “zonjën” proletare që erdhi nga qyteti në fshat.

Punëra në bujqësi duke kënduar nëpër ara. Solidaritete të pamposhtura, teprime mikroborgjeze që demaskohen aty për aty me të qeshura robotike njerëzish prej allçini, ky menderfilm është bërë në fshatin Tushemisht.

Mikrofshati i super mashtrimit, Tushemishti në lindje të Pogradecit ka më pak se dyqind shtëpi. Shumica e shtëpive kanë hedhur edhe nga një ose dy kate të tjerë, ose kanë bërë shtesa. Japin dhoma me qira për pushuesit. Shtëpitë janë të gjitha me kopshte të gjelbëruara. Në fshat hyhet përmes së vetmes rrugë ku lëvizin pushimtarë më këmbë ose mbi makina.

-Ditë e bukur sot, ë?!

-Të gjitha ditët e bukura janë në fshatin tonë.

-Por ka pasur ky fshat edhe ditë të nxira. Për shembull ditët kur u luajt ai filmi plot me rrena.

-Ato janë ditët më të bukura të fshatit tonë.

-Në diktaturë ishit më të lumtur se tani?!

-Po.

Dy zonja:

-Kur xhirohej ai filmi i skëterrshëm, ju zonja duhet të keni qenë në moshën e atyre vajzave në film të cilat gjezdisnin rrugicat e kalldrëmta me biçikleta duke qeshur si të kurdisura dhe duke hedhur romuze trashanike. Ishin tepër artificiale ato vajza kur e tërë Shqipëria rënkonte. Ishte ofendim tepër i madh për ndjenjat tuaja fine femërore.

-E ke gabim. Ishte mrekulli. Atë kohë e kujtojmë me mall të madh. Atëherë jeta ishte e bukur. Tani është e shëmtuar, e frikëshme, e urryer.

-Por e pasur.

-Jo-jo. Tani jeta jonë është skëterrë.

-Por tani ju hani e pini, visheni e mbatheni, bijtë dhe bijat tuaja ndjekin modën, udhëtoni.

-Jeta e sotme është më e keqe se jeta atëherëshme, dhe pik’.

-Jo zonja të nderuara, jeni femra, jeni delikate, jeni të ndjeshme. Ju e bëni dallimin. Ju e keni vënë re mashtrimin.

-Jo mor zotni jo. Ai filmi nuk ishte mashtrim. Mashtrime janë këto që dëgjojmë tani me partira dhe deputetë.

Kalojnë dy adoleshente, dy monaliza katundi, me rroba banje thuajse inekzistente. Pranojnë me kënaqësi të fotografohen. Më mirë të mos i pyesësh për filmin. Po thanë edhe këto se ai film është i bukur, më mirë me vra veten.

Një zotëri:

-A je i lumtur?

-Jo, nuk jam i lumtur. Isha një herë e një kohë. Tani jam helm e vrer. I lumtur isha kur xhirohej ai filmi. Ajo artistja e lojti shumë bukur rolin. E di përmendësh atë film. Ja kroi ku zonja lau këmbët. Ndjeheshim të pasur, të sigurtë. Bëjmë be’ për zonjën. Ngremë dolli për filmin. Ishim fshat kufitar. Kishim privilegje. Na jepnin nga një kallëp sapun në muaj për çdo familje.

Fshati i filmit ka rënë në dashuri me burgun.