Andej-Këtej

Shqiptarët e Çikagos - Nga Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu

Të shkruaj për emigrantin si kategori sociale, nuk do lodhesha kurrë edhe për faktin se jetoj jashtë vendit, por edhe se tema më ka intriguar, pasi figurat më të ndritura të kombit kanë jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë.

Figura përcaktuese për kombin tonë si Noli, Konica, Asdreni, Veqilharxhi, Frashërllinjtë, Pashko Vasa e shumë të tjerë, kanë punuar jashtë Shqipërisë, e kanë nderuar atë me veprat e tyre të ndritura dhe ndikuar drejtperdrejt në arritjet dhe rritjen e vlerave kombëtare.

Jetoj në Çikago downtown, një metropol i fuqishem në SHBA, prej 2 vjetësh dhe gjatë kësaj kohe kam njohur apo dëgjuar nga miqte e mi për shqiptarët e Çikagos.

Këtu gjeta një shok fakulteti, Agron Rama, i cili për të gjithë ata që e njohin, është një person me vlera të larta, që nga gjeneza e tij. Në bisedë me të, mësova se kolonia e shqiptarëve të Çikagos e ka zanafillën e saj tek një shqiptar i madh, Isuf Luzaj. Është ky person me vlera kombëtare, që ndihmoi me gjithçka çdo shqiptar i cili u paraqit për t’u akomoduar në Çikago në vitet '90-të.

Për ata që nuk e dinë, Isuf Luzaj është një figurë e ndritur atdhetare e kombëtare, shkrimtar e filozof, i cili ka punuar në Normalen e Elbasanit e në Liceun e Korçës si profesor i frëngjishtes, bashkë me Hoxhën, në të njëjtën kohë. Në 28 Nëntor 1944 u arratis nga Shqipëria si antikomunist.

Dua të përmend këtu nga arritjet e shumta të tij, medaljen e arit në Universitetin e Buenos Aires-it dhe se në fund në pension, punoi dhe drejtoi Katedrën e Filozofisë së Universitetit të Ilinoisit, pjesë e të cilit shtet është edhe Çikago.

Isuf Luzaj ka punuar pas arratisjes në Bibliotekën e Vatikanit se ishte shok i Sandro Pertinit, një nga presidentët më të dashur për italianët. Me të është takuar personalisht per ta nderuar edhe Presidenti francez, gjenerali De Gol, kur Luzaj punonte drejtor i Institutit Francez në Buenos Aires.

Miku im Agron Rama flet me superlativa për çfarë ka bërë Isuf Luzaj për shqiptaret në Çikago. Kolonia e shqiptareve në Çikago, në optikën time, i ngjan formimit të një mase koralesh, ku i pari ishte Isuf Luzaj.

Në ditët e Kampionatit Europian të futbollit, Inxhinier Agroni linte punën dhe shkonim sëbashku të shikonim ndeshjet e kampionatit në rrethinat e Çikagos, ku jetojnë përgjithësisht shqiptarët.

Kam pare atje shumë syresh dhe e përbashkëta ishte se i shihja të gezuar dhe hokatarë në raportet miqësore me njëri-tjetrin. Njoha aty sipërmarrës në fushën e ndërtimit apo servisit të automjeteve, njerëz të thjeshtë, që punonin me ndershmëri si dhe pronarë shqiptarë të lokaleve ku shihnim ndeshjet. Me njërin prej tyre hyra në bisedë miqësore dhe midis të tjerash mësova se jahtin e tij e mbante në liqenin Miçigan, afër gradaçielës ku unë banoj. Ndërkohë, në bisedë me një mik të Agronit, mësova se kishte synim kryesor të shkonte me një ekip në Shqipëri, per t'u ndeshur me brezin e futbollistëve të kohës së Flamurtarit të artë të Vasil Rucit, me të cilin kishte luajtur në kampionatin shqiptar në të njëjtën kohë dhe do të ftonte atë ekip edhe në Çikago.

Këtu kam njohur virtualisht, apo degjuar për shumë shqiptarë të tjerë. Nuk mund të rri pa përmendur një emër si Mirela Kanini, shkrimtare dhe sipërmarrëse e sukseseshme. Ajo ka krijuar brandin e saj dhe produktet me CBD oil, janë nga më cilësorët në fushën e kozmetikës dhe prodhohen në bashkëpunim me një fabrikë në Kolorado. Me ka lenë pa fjalë kur më tregoi se ishte përlotur dhe kish ndjerë lumturi kur janë rikthyer klientë, të cilëve u kishin shëruar dhimbje, apo hequr stresin me produktet e tyre, sepse të ndryshosh jetën e dikujt është shumë e bukur, se ka të bëjë me humanizmin, përtej idesë së fitimit, i cili nuk është obsesion tek ajo si drejtuese e kompanisë. E krahasova në mendjen time me sipërmarrësit që kam njohur në Tiranë. Komenti ështe i tepërt. Mirela Kanini, bekuar qofsh nga Zoti!

Kam mesuar nga ajo, duke më treguar me shumë modesti, se ka botuar katër romane e ka pasur sukses dhe kurrë nuk e kuptova pse suksesi dhe jeta e saj më kujtonte autorin anglez Archibald Cronin me romanin "Tej fasadës". Po kështu edhe një profesoreshë, Aurora Ajdini, që është edhe atdhedashëse pasionante, duke parë edhe postimet e saj në Facebook.

Në Çikago kam njohur edhe një artist nga familje artistësh, nipin e Minella Borovës, Ilir Borova, drejtuesi i Nova Media Albania, një media e lirë antikonformiste. Vlerat e tij si artist janë të njohura ndaj do ndalem në vlerat e tij në kuadrin njerëzor.

Kur erdha këtu, kontaktova me një artiste të shquar shqiptare si Ermira Babaliu, e cila jo vetëm është këngëtare e madhe, por është edhe njeri me zemër të madhe. Nëse do ju kisha në Miçigan, më tha, dija unë se ç'do bëja për ju familjarisht, gjë e cila më preku. Ajo më dha kontaktin për dy miq të mire në Çikago.

Ilir Borova një nga miqtë e saj, më të cilin kur fola, më ofroi ndihmën e tij maksimale duke më thënë shprehimisht, hajde këtu dhe zgjidh e merr nga dy ose tre pozicione pune të mundshme bosh, që do ketë në Walmart, një qendër tregëtare e madhe në qytetin ku banon ai, disa milje larg Çikagos. Nuk e harroj këtë mirësi edhe pse nuk shkova për arsye të largësisë.

Po kështu edhe një mikeshë, të cilën e çmoj shumë familjarisht, si Maria Kolçe, vajza e një miku fisnik, Vasillaq Kolçe. Ata na ftuan në festën e vitit të ri, event që e organizonte Maria (Merka) dhe aty me rreth 100 shqiptarë kaluam natën e vitit të ri të parë në SHBA, festë që më ka lënë mbresa për organizimin në sallën luksoze, e zgjedhur nga ajo, duke treguar sa menaxhere e aftë është në këtë drejtim dhe klasin e saj për të bërë gjëra të bukura, e për ti marrë rezultatin maksimal shpenzimit për festën. Ajo sallë, me mondanitet në çdo detaj, më "tregoi" vlerat e vërteta përzgjedhëse dhe organizuese të Marias. Thjeshtësia e asaj vajze të bukur dhe dëshira e saj për t’u ndjerë të gjithë komodë në atë festë, e tregonin atë në sytë tanë, të përkryer. Organizimi e festave të tilla ajo e ka pasion, pasi puna bazë e saj është në një nga bankat e Çikagos.

Këtu kam kontaktuar edhe bashkëqytetarë të mi të Kuçovës dhe kam mësuar për sukseset e fëmijëve të tyre, që kanë mbaruar universitetet këtu dhe janë të suksesshëm në profesion, si Simon Kerri, apo Kozma Stavri, që ia kanë dalë falë zotësisë dhe karakterit të tyre.

Në Çikago ndodhet një universitet i mirë si De Paul dhe aty funksionon Katedra e Gjuhës Shqipe me investimin e një shqiptari të madh, i cili dhuroi me testament pasi ndërroi jetë 5 milionë dollarë për hapjen e kësaj katedre. Drejtues i saj është një emër i njohur si profesor shqiptar dhe atdhetar i vërtetë. Sa madhështor është fakti i ekzistencës së kësaj katedre të gjuhës shqipe në një universitet prestigjioz te Ilinoisit dhe ku roli i shtetit shqiptar është inekzistent. Ja se sa e duan emigrantët shqiptarë vendin dhe gjuhën e tyre të bukur shqipe.

Në Çikago rastësisht duke shëtitur buzë lumit, në Miljen e madhërishme, jam njohur edhe me shqiptarë Kosove, të cilët kishin një studio "ekspert kontabël" duke qenë të suksesshëm. Ata njerëz të mire biseduan me mua edhe pse nuk më njihnin dhe më ftuan për një birrë në një nga lokalet buzë lumit.

Gëzim Muhaj, një shqiptar që ka në pronësi "Iliria televizion", edhe pse nuk më njeh personalisht, boton shkrime të miat në faqen e stacionit të tij. 

Pothuaj të gjithë shqiptarët e Çikagos që kam takuar, i kam parë të plotësuar dhe kjo nëpërmjet punës së ndershme dhe të lodhshme.

Të jesh emigrant është një sprovë jete, ku do të duhet të luftosh shumë, duke nisur nga gjuha e folur në vendin që shkon. Tek të gjithë që kam njohur dhe me të cilët kam biseduar, kam parë si emërues të përbashket, atdhedashurinë dhe mallin për atdheun.

Sinqerisht nuk më ka rastisur asnjëherë të ndjeja tek ata frustrim për vendin tonë, përveçse për qeveritë përkatëse, se edhe këtu ekziston pasioni politik i të dy krahëve, kur diskutohen çështje të tilla. Dhe ky fenomen ngatërrohet shpesh si mungesë dashurie për vendin, kur njerëz me mangesi arsimimi shprehen gabim pa qëllim, duke ngatërruar urrejtjen për politikën me atë për vendin.

Të jemi realistë, nuk ka njeri normal, që të mos ketë mall për rrugicën dhe shokët e fëminisë në vendin ku ka lindur dhe është rritur.

Emigrantet e Çikagos më kanë dhënë indicien se ç’do të thotë atdhedashuri edhe pa e përmendur atë, vetëm me shprehjen e lumturisë në fytyrat e tyre, kur kanë përmendur se do të fluturojnë për në mëmëdhe. Është një ndjesi aq e bukur që e kam shijuar dhe madje jam bërë pak ziliqar në kuptimin pozitiv të fjalës.

Kam degjuar edhe bashkatdhetarë që të thonë lum si ti që po ikën, se mua më dogji malli e nuk iki dot për mungesë dokumentash… Jam ndjere si në faj, që më mungon fuqia për të zgjidhur këtë problem, pasi kam ndjerë qarjen e shpirtit të tyre për këtë arsye bazike.

Nuk mund të harroj pa shkruar këtu për një djalë, Klajdi Lemshi, i cili as më njihte personalisht, por vetëm nga që më mori në vitin e ri me makinen e tij për në eventin e festës (pa pagesë) u bëmë miq dhe kur ka pasur mundësi ka ardhur në Çikago nga qyteti ku banon. Kemi shkuar për kafe në vende të ndryshme, deri edhe në Winetka, ku kemi parë shtepinë e filmit të vogëlushit Kevin, “Home Alone”.

Kur do jepja provimin për kursin e teorisë së patentës, më ndihmoi si përkthyese një mikeshë, vajzë kosovare, që mbron doktoraturën në Çikago. Quhet Teuta Peja. Nuk është superlativë kur them janë të rralla vajza si ajo.

Për patentën bëra pak praktikë më një shofer me emrin Ksavier, me kombësi meksikane. E pyeta atë nëse i njeh shqiptarët dhe më befasoi kur me tha se ka një mik të mirë shqiptar nga Meqedonia e Veriut.

Duke folur me mikun tim të çmuar Agronin, kam mësuar rastësisht (ai vetë nuk flet për sukseset) që dy djemtë e tij kanë mbaruar universitetet në Çikago në fushën e teknologjisë dhe punojnë programues në kompani amerikane.

Dhe ju miqtë e mi, duhet të dini se sa kanë sakrifikuar këta prindër për arsimimin e tyre, kur dihet se këtu minimalisht viti shkollor kushton mbi 40 mijë dollarë. Sa respekt me ka injektuar edhe vetëm për këtë fakt miku im Agron Rama.

Shkrova pak gjëra shkurt, duke qenë krenar si shqiptar për çfarë kanë realizuar bashkatdhetarët e mi të Çikagos në jetët e tyre dhe në këtë mënyre kanë nderuar edhe vendin nga vijmë.

Respekt për shqiptaret e Çikagos dhe gjithë emigrantët shqiptarë. SHBA, vendi më i fuqishëm i Botës, është vend emigrantësh, ku komuniteti shqiptar ka nxjerrë figura të ndritura të cilat i bëjnë nder atdheut tonë.

Rrofshin emigrantët!

©Kastriot Fetahu

Çikago 27 Shtator 2021