Andej-Këtej

Rusët mund ta fitojnë një betejë, por kurrsesi një luftë - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Rusët mund ta pushtojnë ushtarakisht, pa ndonjë vështirësi, Ukrainën fqinje dhe mund të instalojnë aty një qeveri kukull, proruse. Mund ta pengojnë Ukrainën të anëtarësohet edhe në NATO. Këtë e kanë bërë me të gjithë fqinjët e tyre shumë herë gjatë historisë, që nga koha e Pjetrit të Madh në shekullin e 18-të e deri në ditët tona.

Ambicia perandorake, për të qenë një Fuqi e Madhe me ndikim global, i ka torturuar gjithë jetën. Fillimisht, si instrument ndërhyrjeje, përdorën “Ortodoksinë”, kryesisht në Ballkanin otoman; pasaj, për afro një shekull, përdorën kauzën e idealit “komunist”, duke krijuar të ashtuquajturën “Familja e madhe socialiste” dhe tani së fundi, pas viteve ’90-të, u janë drejtuar “Gazsjellësave”, si instrument për t’u bërë presion fqinjëve dhe për t’i lidhur ata pas qerres së vet. Të gjitha këto janë beteja që ruset mund t’i fitojnë. Por fitimi i luftës është diçka tjetër.

Historikisht, Rusia, ndryshe nga Anglia dhe Franca koloniale e shekujve të kaluar, apo SHBA e sotme, nuk ka qenë kurrë në gjendje t’i zhvillojë e kulturojë vendet që ka pushtuar dhe në këtë kuptim, ajo asnjëherë nuk ka fituar ndonjë luftë. Armatimet dhe ushtritë, që ajo i ka patur me shumicë, janë konditë e nevojshme, por jo e mjaftueshme për të fituar një luftë. Ana tjetër është aftësia për të përhapur dije, kulturën e punës, të investimeve, të frymës liberale tek vendet e pushtuara ose aty ku ajo ka pretenduar të ndikojë.

Perëndimorët që shpresonin se, pas shëmbjes së komunizmit inefiçent, rusët do të silleshin si një shtet normal, që ka nxjerrë mësime nga e kaluara perandorake, pa ambicie për të ndërhyrë tek fqinjët dhe për të lenë pas mentalitetin rusomadh, po planifikojnë t’u japin një mësim të mirë. Kështu bënë edhe me Gjermaninë hitleriane dhe Japoninë perandorake që, edhe ato, ushqenin megallomaninë e një shteti agresiv ndaj fqinjëve të tyre.

Perëndimorët e kanë bërë të qartë se, në rast agresioni ushtarak ndaj Ukrainës, nuk do të ndërhyjnë ushtarakisht, duke i vënë demit përpara syve shaminë e kuqe, për ta nxitur, para se t’i ngulin shpatën. A do ta hajë karemin Putini? Unë them jo!

Diplomacia ruse, me shumë përvojë, me siguri i ka analizuar shkaqet e dështimeve të carizmit dhe komunizmit rus: Nga njëra anë lehtësinë e Rusisë për t’i pushtuar ushtarakisht fqinjët e saj dhe, nga ana tjetër, paaftësinë për t’i mbajtur ata nëpërmjet zhvillimit të tyre ekonomik dhe kulturor. Prandaj, edhe kësaj here, Rusia nuk do të përsërisë gabimet e të kaluarës jo të largët.

Por aktualisht “Çështja Ukraina” ka shkuar mjaft larg: - Nga njëra anë Putini e ka karikuar shumë opinionin e brendshëm rus, se e drejta është në anën e tij për t’iu mësuar fqinjëve sesi të sillen, por, nga ana tjetër, është plotësisht i vetëdijshëm për pasojat që do të duhet të paguajë, nëse ndërmerr një aventurë të tillë (sanksionet ekonomike perëndimore).

Sot, gjithë përpjekjet e diplomacisë ruse, të përkrahura edhe nga boshti europian franko-gjerman që ka interesa madhore energjitike nga Rusia, janë përqëndruar në atë se si t’i gjejnë ariut rus një rrugëdalje sa më “dinjitoze” nga bataku ku është futur dhe që s’do ta ketë të lehtë të dalë pa dhimbje.

©Klodi Stralla