Andej-Këtej

Sistemi shëndetësor, mes tregut dhe solidaritetit social

 Shefqet Deliallisi

Iniciativa private, tregu i lirë, konkurenca, privatizimet, shpesh paraqiten si “çelsi i artë” për zgjidhjen e problemeve të sistemit shëndetsor. Sigurisht që është një kundërpërgjigje radikale ndaj super-centralizimit të sistemit që lamë pas, apo ndryshimeve mbresëlënese në sektorë të tjerë, në sajë të forcave të tregut. Por a janë forcat e tregut i vetmi mekanizëm rregullues i sistemit shëndetsor?

Të gjithë në reformë

Të gjithë vendet janë të pakënaqur me sistemin shëndetsor. Dikush kërkon më shumë mekanizma tregu, dikush më shumë solidaritet social. Dikush thotë sistemi vuan nga mungesa e konkurencës, dikush konkurenca e tepërt e dëmton. Ndryshe mendojnë ekonomistët, që e shohin kujdesin shëndetsor si një industri shërbimesh dhe fokusohen në aspektin “industri,” duke nënkuptuar treg, konkurencë, por dhe pabarazi. Ndryshe politikëbërësit dhe qytetarët, që fokusohen në aspektin “shërbim,” duke nënkuptuar nevojë, detyrë, drejtësi sociale. Të gjitha vendet janë në reformim të sistemit shëndetsor. Reformim pambarimisht i gjatë. Politikat shëndetsore janë në gjendje fermentimi, tronditje dhe konfuzioni … asnjë zgjidhje e lehtë nuk propozohet, mbasi, asnjë e tillë nuk egziston. Duke u përballur nga njëra anë me presionin e financimit të sistemit shëndetsor, nga ana tjetër me dështimin në ofrimin e tij, politikëbërësit kërkojnë zgjidhje radikale.

Revolucioni dhe Kundërrevolucioni

Në librin “E ardhmja e politikave shëndetsore”, më tërhoqën vëmendjen dy kapituj, renditur njëri pas tjetrit. “Revolucioni i konkurencës i viteve 80-të” dhe “Kundërrevolucioni i financimit të kujdesit shëndetsor.” Në kapitullin e parë flitej për “revolucionin” e sistemit shëndetsor të viteve 80, funksionimin e tij sipas koncepteve të industrisë, ligjeve të tregut të lirë, konkurencës. Në të dytin, 20 vjet më pas, bëhej fjalë, tashmë për nevojën e një “kundërrevolucioni”, mbasi “revolucioni”.... kish dështuar!!!

 Po le të kthehemi në vitet 80-të. Ishte koha kur në vendet e zhvilluara mjeksia shkencore, pa zhurmë po zhvendoste funksionin social dhe “apostolik” të mjeksisë, rolin ngushëllues, këshillues, me pak fjalë efektin placebo, apo “ilaçin doktor”. Ishte koha kur si pasojë e shpërthimit të dijeve mjeksore, komercializimit të praktikës mjeksore, sistemi shëndetsor doli jasht kontrollit. U bë më i pabarabartë dhe shumë më i shtrenjtë…… Ishte koha kur Regani në Amerikë dhe Thatcher në Britani, adoptuan ideologjinë ekonomike sipas të cilës kontrolli dhe drejtimi i gjithë aspekteve të jetës mund të realizohej nëpërmjet e forcave të tregut, të cilat mund të kontrollonin rezultatin, shpërblenin apo penalizonin ekonomikisht individët për arritjet apo dështimet. Principet e tregut u konsideruan universale. Madje u shkua deri aty sa, nëse diçka ishte gabim, "ishte jo-mjaftueshëm si tregu!!!”. Kjo ideologji ekonomike u aplikua edhe në sistemin shëndetsor. Avokati më i fuqishëm i saj ishte këshilltari i Reganit, sekretar i Shëndetit, Edukimit dhe Çeshtjeve Sociale(1977-79) Joseph Califano, i cili idetë e tij i shprehu në librin "Revolucioni i Kujdesit Shëndetsor Amerikan - Kush jeton? Kush vdes? Kush Paguan?” (1986).

Califano impononte një set levash ekonomike si promovimi i fuqishëm i pagesave DRG, menaxhimin e kujdesit shëndetsor, kontrollin e mjekëve nëpërmjet incentivave ekonomike. Sipas tij, zgjidhja ishte: më shumë treg, më shumë konkurentë, dhe më shumë presion konkurence. Califano u përpoq që “sëmundjen” e sistemit shëndetsor ta shëronte duke përdorur “ilaçin” treg. Por koha tregoi se ky “ilaç” nuk e përmirësoi gjëndjen. Gabimi themelor ishte mos-konsiderimi i shëndetit si një mall i veçantë.

Shëndeti mall, por edhe e drejtë njerëzore

Në sistemin kapitalist shëndeti, si çdo gjë tjetër, kthehet në mall mbasi hyn në përdorim, furnizimi me të nuk është pa kufi, kërkesa për të është në raport të zhdrejtë me çmimin e tij. Duke u konsideruar mall, përdoruesi duhet të paguajë për të. Por, shëndeti ndryshe nga mallrat e tjera është më pak i qartë, është vështirë të tregtohet ndërmjet personave, në masë të madhe vetë-prodhohet, kërkon bashkëpunimin njerëzor mjek- pacient, dhe jo mardhënie të ftohta komerciale shitës-blerës, ndikohet fuqishëm nga konsumimi i mallrave të tjera. Të gjitha këto vështirësojnë matjen, vlerësimin e shëndetit. Bëjnë që tregu i shëndetit të jetë jo një treg i rregullt konkurence, sipas modelit tradicional të konkurencës së pastër që përshkruhet në tekstet e ekonomisë.

Në të njejtën kohë, sipas shumicës, shëndeti konsiderohet një e drejtë njerëzore. Si e tillë nuk duhet të alokohet si mallrat e tjerë, në bazë të aftësisë për të paguar. Dhe, kur një shërbim shpërblehet si e drejtë, pa u siguruar në treg, s'është më mall. Por ndërsa mallizimi i plotë i shëndetit në sistemin kapitalist është i mundur, de-mallizimi i plotë i tij jo. Konsiderimi i shëndetit si një mall i pa çmim (“I pa çmuar”) krijon probleme në prodhimin dhe furnizimin me të.

Pra, njëkohësisht kërkohet që shëndeti të gëzojë edhe atributet e drejtës njerëzore, edhe ato të mallit. Të jetë një “ishull” socialist në “oqeanin” kapitalist.

Është pikërisht ky dualizëm që e bën shëndetin mall të veçantë dhe ndërlikon problemet.

Roli i tregut …

Sipas ideve neo-liberale, tregu i lirë i bazuar në kërkesë-ofertë, rregullon në mënyrë natyrale prodhimin dhe furnizimin me shërbimin e kujdesit shëndetsor. Në sajë të konkurencës natyrale ai siguron shërbim cilësor, madje me kosto të ulët. Ndonëse idetë neo-liberale janë përqafuar gjerësisht, asnjë sistem shëndetsor perëndimor nuk është plotësisht i rregulluar sipas sistemit të tregut të lirë (madje edhe Amerika ka kujdese shëndetësore publike si Medicaid dhe Medicare). Ende në vende të ndryshme perëndimore sitemet shëndetsore janë të organizuar rreth vlerave të solidaritetit.

 Në Europë zakonisht flitet për një sistem shëndetësor “quasi-market,” ku sigurimi i kujdesit shëndetsor i është lënë konkurencës së tregut, ndërsa financimi, dhe në disa raste edhe shitja e tij, bëhet nga shteti. Kjo për faktin se tregu i lirë e ka të pamundur të sigurojë një alokim social optimal të resurseve.

Roli i qeverisë

Ajo që sot tërheq vëmendjen është se pothuaj në të gjitha vendet e industrializuara vërehet zgjerimi i ndërhyrjes së qeverisë në sektorin shëndetsor. Ndonëse këto vende kanë përqafuar politika liberale, tregun e lirë, privatizimin, etj, kur flitet për sigurimet shëndetsore dhe kujdesin shëndetsor, qeveritë e tyre luajnë një rol të konsiderueshëm regullues si subvencionuese, rimbursuese, blerëse direkte apo prodhuese të kujdesit shëndetsor, apo ofrues të tij. Dhe kjo ndodh ndonëse dihet që kontrolli burokratik që shoqëron ndërhyrjen e qeverisë, nuk favorizon një kujdes shëndetsor kosto-efektiv me cilësi të lartë, kur është provuar se kontrolli i gjithanshëm i qeverisë mbi kujdesin shëndetsor nuk ka mirëfunksionuar në asnjë vend.

Në fakt ekonomistët i kanë kushtuar vëmendje ndërhyrjes së qeverisë dhe pasojave. Ndërsa M. Fridman e ka argumentuar ekspansionin e qeverisë, si një politikë mjaft të gabuar, Stigler (1975) është më racional: “Nëse një politikë ekonomike përqafohet nga shumë komunitete, apo ndiqet nga shoqëria në mënyrë të vazhdueshme, për kohë të gjatë, është mirë të pranohet, mbasi tashmë efektet reale të saj janë të njohura dhe të dëshiruara.” Madje edhe Von Hayek (2000), një prej avokatëve më të mëdhenj të noe-liberalizmit, mendon se fushat ku shteti mund të luajë një rol të rëndësishëm, pa dëmtuar liritë individuale janë pikërisht shëndeti dhe arsimimi. Problemi, sipas tij, krijohet kur shteti, qeveria, kalojnë masën si ridistributor i të mirave materiale, shërbimeve dhe të ardhurave.

Si përfundim ...

Sigurisht, tregu është një mekanizëm i fuqishëm regullues, konkurenca një komponent i rëndësishëm që ai të funksionojë mirë. Por konkurenca në kujdesin shëndetsor duhet të menaxhohet, dhe qeveria duhet të jetë menaxhuesja kryesore.

Ndryshe nga reformat e kryera tek ne në sektorin farmaceutik, apo stomatologjik, që ju lanë për zgjidhje tregut, dhe ai e zgjidhi më së miri, pjesa e mbetur për t’u reformuar (më e rëndësishmja), është shumë më e ndërlikuar. Nuk mund të zgjidhet thjeshtë me mekanizmat e tregut. Redelmeier&Fuchs (1993) shkruan: “Unë jam në favor të përpjekjes për të futur më shumë frymë konkurence në sitemin spitalor...por dyshoj se kjo industri mund të lihet e sigurtë në duart e një tregu të lirë të pastër. Tregjet e spitaleve i shmangen në mënyrë substanciale konkurencës ideale, disa herë në mënyrë të paevitueshme.”

Nga ana tjetër, reforma shëndetsore në çdo vend duhet t’i përshtatet kushteve konkrete. Në kushtet e vendit tonë, dy faktorë duhet të konsiderohen veçanërisht. Fakti që jemi vend i varfër, dhe fakti që jemi vend i vogël. Këto bëjnë që roli rregullues i qeverisë të jetë vendimtar edhe për shumë kohë. Kjo nuk do të thotë se praktikat e tregut nuk duhet të inkurajohen, përkundrazi, por përvojat kanë treguar se në sistemin shëndetsor nuk duhet të fetishizohen.

Të gjithë vendet moderne përdorin kombinimin e mekanizmave rregullues. Por, propocioni ndryshon së tepërmi nga një vend në tjetrin, madje, dhe nga një kohë në tjetrën, në të njejtin vend. Ruajtja e një ekuilibri të domosdoshëm ndërmjet rolit të qeverisë (politikës) dhe rolit të tregut (ekonomisë) është e domosdoshme.

Sipas Stiglitz (nobelist në ekonomi 2001): "Një Rrugë të Tretë, midis kapitalizmit global të sotëm dhe socializmit të diskredituar të djeshëm, nuk duhet të jetë më vetëm një ëndërr."