Andej-Këtej

“Regjimi i Kazermës” përballë “Regjimit të Kontratës” - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Përgjatë mijëra vjet organizim shoqëror, Njerëzimi ka njohur dy forma qeverimi të vetvetes, që unë simbolikisht parapëlqej t'i quaj “Regjimi i Kazermës” dhe “Regjimi i Kontratës”. I pari është shumë i hershëm në Histori. Gjithë Antikiteti dhe Mesjeta kanë njohur vetëm këtë formë organizimi, ndërsa i dyti është shumë më i vontë, kryesisht në Kohët moderne. I pari u përket qyteterimeve Lindore, ndërsa i dyti, kryesisht atyre Perëndimore dhe veçanërisht botës anglo-saksone.

Nëse do të përdorim termin “bashkëpunim” për ndërveprimin mes anëtarëve të shoqërisë, i pari është një bashkëpunim i imponuar përdhunshëm, ndërsa i dyti është një kooperim i vullnetshëm. I pari ka në themel bindjen e verbër ndaj autoritetit, nënshtrimin ndaj tij, i dyti ka lirinë e individit, e krijimtarisë së tij të papenguar.

Strukturën tipike të të parit e gjejmë tek ushtria e përbërë nga rekrutë, ku njësitë e shkallëve të ndryshme duhet t’i zbatojnë urdhrat ose përndryshe i pret dënimi me vdekje, ndërsa furnizimi me ushqim, veshmbathje dhe të holla bëhet sipas kriteresh arbitrare. Strukturën tipike të tjetrit e gjejmë në grupin e prodhuesve dhe shpërndarësve (tregtarëve), të cilët bien në ujdi individualisht për pagesa të veçanta kundrejt shërbimesh të veçanta dhe që, sipas vullnetit të tyre, pasi të kenë njoftuar në kohën e duhur, mund të largohen nga organizata, po qe se ajo nuk u pëlqen.

Rusia përgjatë gjithë historisë së saj disa shekullore, nuk ka njohur formë tjetër organizimi veç regjimit të kazermës, qoftë kur sundimtar ishte cari i Romanovëve, sekretari i parë i kohës të komunizmit apo presidenti i Republikës në kohën e sotme. Rusët nuk e njohin Regjimin e Kontratës prandaj, ndonëse në letër (Kushtetutë) e shenjtërojnë pronën private dhe iniciativën e lirë, në praktikë më mirë se çdo gjë tjetër dinë të ndërtojnë partinë-shtet dhe armë, ku sundimtari shdërrohet në “baba” i kombit dhe perceptohet nga populli si mbrojësi dhe kujdestari i tij.

Kjo lloj kulture qeverimi vetiu lind armiq të jashtëm e të brendshëm, krijon paranojën e rrethimit, sheh tek çdo i ditur dhe i kulturuar kundërshtarin që duhet asgjësuar ose ndëshkuar, dhe, për rjedhojë, instalon izolimin e vendit deri edhe me tela me gjemba e mure, po qe se është nevoja.

Aty, letërsia, muzika, piktura dhe shkenca kanë qenë ngahera veprimtari që buronin nga dhimbja, nga dëshira e zjarrtë e shpirtrave dhe mendjeve më fisnike për ta emancipuar shoqërinë, ndonëse regjimi gjithmonë i ka parë me dyshim, i ka përndjekur, burgosur dhe internuar dhe shpesh i ka detyruar të braktisin vendin e tyre. Fatkeqësi e madhe!

Nga kjo diagnozë vuajmë edhe ne shqiptarët që, me sa duket, do të lëngojmë gjatë pa e gjetur dot ilaçin e shpëtimit. 

P.S. Në foto lart, një tablo në vaj, vepër e piktorit të madh rus, Ilya Repin.

©Klodi Stralla