Andej-Këtej

Krishtlindje shqiptare në Çikago - Nga Kastriot Fetahu

Zilja e telefonit tringëlliu dhe në ekran doli emri “Mirela”, mikja jonë familjare këtu në Çikago. “Ju presim për Krishtlindje, do vimë t’ju marim ne me makinë”. Nuk kishim shanse të kundershtonim. Ju nuk mund të kundërshtoni dot në raste të veçanta. Korçarët janë të vështirë për t’u miqësuar, por nëse je miku i tyre, ekziston një lloj respekti mistik aristokrat me ngjyra që tejkalojnë miqësinë e zakonshme. Ata seç i japin një ngjyrim solemn të veçantë miqësisë. Është familja e Vasillaq Kolçe, një familje tipike me koncepte fisnikësh përzier me një lloj konservatorizmi të tillë. Në çast m'u kujtua një thënie e Francis Bacon, filozofit të madh anglez: Miqësia dyfishon gëzimet e përgjysmon shqetësimet.

Aty rreth orës 16.00 përpara hyrjes së pallatit mbërrin një makinë Audi fuoristradë blu, por nuk reaguam, se vijnë shumë makina dhe se vajza e asaj familjeje që erdhi për të na marrë, Merka, një vajzë e bukur dhe mjaft serioze edhe kur buzëqesh, nuk na kishte thënë që kishte blerë Audi të ri. Kur zbriti nga makina, veshja e saj një pallto ngjyrë gjaku e kombinuar aq bukur (ne shqiptarët dimë të vishemi me shumë shije) vezulloi për një çast. Kisha kohë nuk kisha parë një vajzë në kompleks të bukur si ajo edhe pse ketu ku jetoj janë të pasur. Nuk mendoj se këta dinë të vishen më bukur se femrat shqiptare aristokrate dhe e them me bindje të plotë këtë aksiomë.

Ecëm më pak se gjysëm ore dhe kur zbritëm nuk durova pa i thënë: “Merka, më solle në mëndje filmin “E dashura ime Libera”, se je veshur dhe i ngjan Liberas në atë film (Claudia Cardinale)”. Ajo është një fisnike e turpshme, (gjithmonë më ka kujtuar Rruth Morse te “Martin Iden” i Xhek London), buzëqeshi me turp dhe na drejtoi për në shtëpi. Shtëpia në katin e dytë, në një pallat dykatësh të bukur, dukej sikur merrte pjesë në gëzimin e familjarëve.

Me të qeshur u thashë pasi u ulëm, se shtepia kushton dyfishin e tregut, sepse Mirela, e zonja e shtëpisë, vajza e një inxhinieri që kishte mbaruar në Çeki në vitet e diktaturës së Hoxhës dhe që ishte me emër në rang republike, kishte hoby pikturën. Muret dhe gjithçka i ngjanin një galerie të bukur, sistemuar dhe pikturuar nga Mirela (drejtoreshë kopështi në Korçe, para se të vinin në USA).

U ndjeva si në një event artistik kur pashë edhe pianon dhe shume libra në bibliotekë.

-Po në piano kush luan? - pyeta.

-Merka - më tha Llaqi. Tunda kokën në shenjë kënaqësie që ndodheshim në një ambient të tillë.

Llaqi (ka punuar si kryetar rajoni në Bashkinë e Korçes) mban dhe nënën e tij në shtëpi, një zonjë fisnike nëntëdhjetetre vjeçare dhe e veçanta e saj është se ajo mban mënd të gjithë numrat e telefonave të familjes, përfshirë dhe vajzën e martuar me femijë dhe i merr çdo ditë ata.

Pasi biseduam pak kohë, na ftuan në tavoline. Unë nuk e kisha menduar se mund të gjeja një tavolinë shqiptare të kuruar me gjithcka në atë mënyre. Vajza e madhe, Roena, mbaruar shkollën në USA për shendetin publik, ishte shefe kuzhine artiste sipërore në hoby-n e saj, kurse Merkën (menaxhere në një bankë) e dija që është një artiste me klas të larte në organizimin e eventeve, sepse organizon të tillë për shqiptarët e Çikagos në raste festash të ndryshme. Nuk dua të përmend menynë (në mëndje më erdhi taverna Vasili në Korçë, e preferuar për mua) edhe pse kishte aq shumë dhe të serviruara me aq shije. Ishte si një skenë filmi në familje aristokrate.

Gjatë darkës folëm për gjëra të ndryshme, kryesisht art dhe më pak biznes. Sotiri, dhendrri, kishte biznese me rreth 50 punëtorë, një në Çikago dhe një në Florida. Një djalë shumë i zoti dhe i thjeshtë. Edhe aty në bisede, halli më i madh i tij ishte sigurimi i jetesës së punëtorëve në kohë krize. Djale i rrallë mendova, sepse tre vjet kam qe kam ikur nga Shqipëria…

Nëna na fliste rrallë dhe fjalë që i degjoja me kënaqësi. Qëndroi ca me ne në tavolinë dhe u ngrit u ul në vëndin e saj. Pasi folëm gjatë edhe për shijet në muzikë dhe Merka luajti në piano koralen “O fortuna” nga opera Carmina Burana e Carl Orff, kërkova të shikoja Tv. Sa filloi televizori pjesën… “më pëlqen shume dhe mua kjo”, tha nëna Kaliroi. Shtanga. U ngrita dhe me gotën e verës shkova tek nëna dhe e pershendeta nga pranë.

Ne shkuam për pak orë atje, por ndërkohë kaloi ora 23:00 dhe “detyruam” veten që të ngriheshim. Në fund, dhuratat e tyre u shoqëruan edhe me libra që do t’i lexoj. Krishtlindje më të bukura nuk kisha festuar në jetë. Ju ka rënë rasti të jeni në evente që nuk doni të mbarojnë?

Shqiptaret e Çikagos festojnë bukur, por nëse shton edhe disa kualitete fisnike dhe artistike që ka familja Kolçe edhe si korçarë që janë, Krishtlindja ishte “e dënuar” të festohej ashtu. Me premtimin se do takohemi shpejt, na përcollen deri në shtëpi e zonja e shtëpisë bashkë me Merkën si shofere. Rrugës “Natë e shenjtë, natë e qetë” na shoqëroi, edhe pse temperatura shenonte -12 grade celsius.

©Kastriot Fetahu - Çikago, 27 dhjetor 2022