Andej-Këtej

Askush - Nga Kastriot Fetahu

-Esse-

Nuk më ngjan vetja me një guak edhe pse jam i vetmuar në këtë lokal, ku më duket sikur jemi mbledhur në një ekspozitë të të gjitha racave të botës. A duhet të gëzoj që jam i vetmi shqiptar, apo të mallkoj vetminë me të cilën u lodha duke u grindur prej kohësh?

Nuk e di pse më jep idenë e një vaske sterile ky lokal si shumatore katrorësh?! Më mungojnë ato shtjellat e tymit të duhanit si litarë mendafshi, që nuk e kam kuptuar kurrë se ku varen në faqet e mureve të lokaleve të Tiranës.

Gjithmonë e kam dëshiruar atë amalgamë tymnaje, se më ndihmon të mos shikoj një fytyrë që më vrojton me inat nga tavolina tjetër si në filmat Western e, jo vetëm kaq, por më duket edhe si inkubator mendimesh të guximshme.

Këtu nuk më japin kënaqësinë e atij “materniteti” të ideve jetëshkurtëra të çastit me heronj imagjinarë. Përballë meje qëndron një vajzë lëkurëbardhë, për të cilën vë bast se është “irish”, (oh sa e bukur kjo flokëkuqe). Pak çaste më vonë puthi një djalë me ngjyrë, me të cilin ishte shoqëruar.

Sa inat më vjen, se do të vdes pa më puthur kurrë vajza “irish” që flet me sy.  Vërtetë si e ka zërin ajo? Rrotullova sytë si i zënë në faj, (unë jam shqiptar).

Në një tavolinë më tej një bukuroshe me ngjyrë, (a thua të jetë xhamajkane?), më thithi vështrimin si magneti i madh copën e vogël të hekurit…

Luftoj të arratis sytë prej saj, por ata nuk më binden. A kanë femrat receptorë specialë ndjesish, që nuk i kemi ne meshkujt?

Kam qeshur me vete njëherë, se mendova që femrave nuk u mungojnë tentakulat si të akrepave, fshehur midis flokësh?!

Vetmia tallet me mua dhe më thotë në vesh - ngele gjithë jetën injorant, kanë, se ndryshe nga ta dijë kjo që ktheu kokën nga ne dhe na buzëqeshi?

Një ide e vetëtimtë më kumtoi se duhet të ndihem i rëndësishëm, pasi këtu mund të kenë qëndruar Al Kapone apo edhe Malcolm X në Chicago-n e atëhershme.

Një çift i vjetër, ulur në karike të larta pranë banakut, troket gotat mbushur me Riesling.

Kemi ne në Tiranë Riesling Kalifornie(?), mendova në çast dhe në atë turbullirë të arsyes kantiane, mbërriti një “sorry” nga tavolina ngjitur e një vajze që buzëqeshi me mua, se tërhoqi një xhup ngjyrë jeshil.

-Nuk ka problem- i thashë, vetëm e vetëm që t’i shikoja buzqeshjen e bukur për së dyti herë.

Ajo hodhi gërshetin si të Pipi çorrapegjatës nga ana tjetër e kokës dhe… “Where are you from”?

-Eee - më qesëndisi vetmia, - të kam thënë mëso anglisht po ti nuk më dëgjon, ngele po gdhë!

-Albania - i thashë si një gagaç i pasigurtë në tingujt që belbëzon.

Ajo mblodhi supet dhe unë shpëtova nga sikleti, se vazhduan të çuçurisnin me të qeshura në tavolinën e tyre.

Qetësova veten, se mua nuk kanë pse më qeshin. Unë jam serioz, se as nuk shikoj vajzat dhe s’kam as faj pse xhupi i saj ishte ngjitur me mua.

Ajo që u puth, befas u largua. Pse nuk ia pashë edhe njëherë sytë? Po ajo pse nuk i ktheu kur arriti te dera?

Sa indiferentë dhe të pavëmendëshëm janë disa njerëz…

Një zë i gërvishtur bariton më nxorri nga hutimi - sorry sir -, pse qeshi me të madhe…

Sa herë e kam pyetur veten nëse këta kur më buzëqeshin në çaste “sorry, please”, a diçka tjetër, janë fals apo e ndjejnë?

Më kujtohet tek “Çadra” në Tiranë, njëherë një “bariton” i tillë, pasi u zgërdhi keq, më pa me aq inat, sikur të ishim para përleshjes, kur ktheva kokën të shihja se kush qeshte ashtu.

A mund të shkruaj dot një esse, mendova, me stilin e Noam Chomsky me këtë tipin e “Çadrës”, i cili ka vrarë edukatën?

Njëjtë edhe njëherë tjetër me një vajzë që tymoste duhan.

Pse vajzat e bukura tek ne bëjnë “gangsterren”?

Po të isha në Tiranë, si do më fliste ajo “zëtrashë” në rastin e kësaj vajze me gërsheta tani?

Mendoj që jam i vetmi shqiptar këtu dhe kjo më qetëson, se nuk ndodhen as ai “baritone” i “Çadrës” dhe as ajo “zëtrasha” e bukur, që më “frikëson” edhe… sikur të mendoj për atë.

Si i vetmi shqiptar, ndjej detyrimin përfaqësues kombëtar, që nuk duhet të bëj marrëzira për të mos kompromentuar emrin e tillë.

Hedh sytë përqark lokalit dhe…

Nuk besoj se këta janë më të zotë nga unë. Mund të kenë epërsi në të rrahur, apo në vrap.

Edhe në të kënduar, ai baritoni me ngjyrë mund të ma marrë se unë nuk kam zë blues, por… le të bëhen bashkë në një skuadër, se do t’iu dukem mirazh në fusha të tjera të kulturës apo enciklopedisë.

Ja, p.sh. askush nuk e di nga këta që Stalini e kishte emrin Koba Xhugashvili dhe se tymoste duhan “Kazbek”. Po kështu edhe… që shoku Mao mbante kapelen me rrethin e rrudhosur në krye të kokës, të cilin e kopjoi Enveri ynë. Këta nuk njohin as Jao Ven Juan, as Van Hun Ven, as Çan Çun Çiao, apo Çian Çin, (gruaja e Maos), katërshen e famshme që shoku Mao i dënoi si “komplotistë imperialistë”.

Ja, pse nuk ndihem humbës por triumfator.

Unë i njoh heronjtë e tyre, George Washington apo Joe DiMaggio, John Wayne, apo Aretha Franklin… Sa më ka pëlqyer që Santiago (Plaku dhe deti) ishte tifoz i “Yankees” të DiMaggios. A e dinë këta që Hemingway ka lindur në Oak Park në rrethinat e Chicago-s dhe se “Santiago” i vërtetë ka vdekur në vitin 2002 në Kubë?

Unë do të shkruaj një esse për “Lexington”-nin e tyre.

Po këta e njohin Vlorën time e të Ismailit?

Nuk besoj se kanë dëgjuar për Skënderbeun, apo Gjon Buzukun e Sandër Prosin… por as mua nuk më njohin.

Po qesh me këtë të fundit. Po, vërtetë kush jam unë për këta?

Jean Paul Sartre, sikur të jetë shoku im, më ndihmon me… unë ekzistoj…

Ose joo, më mirë të jem Odiseu tek shpella e Polifemit në ishullin e ciklopëve.

Homeri më përgjigjet më saktë se Sartre…

Më mirë kështu, një “Askush”, që pret të mbaroj birrën e zezë “Guinness” dhe të iki në askund pas kësaj…

Në çast, një barist me ngjyrë ia behu tek tavolina ime…

© Kastriot Fetahu - Chicago 24.03.2023