Andej-Këtej

Të merresh me punët e pasvdekjes - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë

- Ati im, më tha një ditë vajza e vogël, duke më bërë ta kthej menjëherë kokën, se qe një mënyrë jo e zakonshme të foluri me të cilën më paralajmëronte për mirëkuptim dhe durim në të dëgjuar, - ti si mendon, çfarë duhet të bëjmë ne pastaj?

- Kur pastaj?

- Pastaj, pra...  kur ti do të vendosësh ta lësh këtë botë…

- Po të shqetëson kjo?

- Kam një shërbim të gjatë në Afrikë dhe dua të di gjithçka më parë. Ca biseda nuk bëhen në telefon...

- Ti do të dish çfarë?

- Dua të di ku dëshiron, këtu apo në Shqipëri? Të prehesh, pra...

Në fillim nuk më erdhi mirë. Vetëm më tej u qartësova se sa muaj ajo kishte vuajtur me veten që të më bënte atë pyetje. I qe dashur një kurajo që unë nuk e kisha. 

Pastaj e harrova këtë bisedë, për t’u kujtuar verën e ardhshme. Po ktheheshim nga pushimet në Jug. Ishim mbi viaduktin e Millau-t (foto lart siç ishte atë ditë) dhe për shkak të mjegullës apo reve, vetja po na dukej se udhëtonim mbi një unazë të Saturnit. Qe një mrekulli e pabesueshme, e frikshme dhe mjaft tërheqëse. Aq sa, duke parë nga të dy krahët, desh bëra një gabim të pandreqshëm. Për fat, kaloi mirë, makina hyri përsëri në trase.

Që atë çast vendosa të merrem seriozisht me punët e mia të pasvdekjes. Kuptova se veç njohurive, më mungonte edhe guximi për të hedhur sytë mbi një realitet të pashmangshëm.

Nisa të pyes kolegët e moshës sime në punë. Mësova se e kishin bërë gjithçka gati.  Zakonisht paguanin një sigurim të funeralit, një “assurance obsèques”.

- Kam zgjedhur edhe ngjyrën e arkivolit, mermerit, lulet që do më vendosin atë ditë, gjithçka. Fëmijëve nuk u mbetet veçse një telefon i vetëm dhe menjëherë aktivizohet proceduara që kam kërkuar vete, - më tha dikush kur po pinim kafe.

- Ashtu do bëj, - thashë dhe fillova të plotësoj disa formularë në linjë. Pa lule, një arkivol me karton të ricikluar, jo varr, incenerim, jo niqe në mur, madje as urnë, shpërndarje e hirit ku të mundnin, veç jo në plehra.

Ime shoqe deshte të njëjtën gjë, por më tha se kishte kërkesa për muzikën që do luhej gjatë ceremonisë. I thashë ta zgjidhte vetë atë punë se nuk ia vlente të shtonin shpenzimet duke kërkuar edhe një DJ për atë ditë.

Kishin kaluar veçse pak ditë, kur ra telefoni. Ishte një grua që më njoftoi se në adresën time të email-it kishte dërguar disa modele të fundit të arkivoleve. Ngjyrat dhe çmimet ishin të shumëllojshme, veç të zgjidhja. Shtoi se ishin në numër të kufizuar dhe unë isha i pari që m’i propozonte. Më tha ta mbaja sekret dhe mbi të gjitha të nxitoja.

- Për çfarë të nxitoj, - e pyeta i habitur.

- Të bësh zgjedhjen tënde. Janë me numër të kufizuar!

E falënderova dhe e ula telefonin jo pa një lloj frike. Ishte vërtet impresionuese të merreshe me organizimin e vdekjes tënde.

Të nesërmen ishin nga një shoqëri tjetër që më thanë se kishin studiuar profilin tim dhe më siguronin se arkivolet e saj ishin tërësisht të riciklueshëm dhe me çmime të arsyeshme. I falënderova dhe shtova se do t’i telefonoja kur të vinte koha.

- Sa më shpejt, aq më mirë, - më thanë.

- Vërtet?

-  Ju e dini... çmimet e materialeve rriten çdo ditë... 

Gati po e harroja atë gjë kur më doli para miku im algjerian, Abdylatifi, që punonte në një “pompe funebre” (shtëpi funerale) të ritit mysliman. Më hodhi duart në qafë dhe më pa me vëmendje në sy.

- Mirë je vëllai im?

- Mirë, - i thashë, - ja ky gripi nëpër këmbë, por jam vaksinuar.

M’u duk se nuk i erdhi mirë.

- Vaksinat janë kot, - shtoi me ton të pakënaqur. -  Po kur të kesh ndonjë problem më thuaj. Pronarin e shtëpisë së varrimeve e kam kushëri. Ti je shqiptar?

- Shqiptar.

- Gjysmë çmimi për ty. Do t’i bëjmë të gjitha adetet deri në fund. Imamin e ke falas.

- Te ne shpërndajnë edhe hallvë në lagje, - i thashë.

- Edhe hallvë do bëjmë. Ja merre këtë kartëvizitën me numrin e telefonin. Mos harro gjysmë çmimi, vëllai im.

- Po nëse i ndodh gjë edhe gruas, a aplikoni çmim shumice?

- Dy janë dy, nuk janë shumë, por do të bisedoj me kushëririn tim, të shohim se ç’mund të bëjmë. Po qe se parapaguan gjysmën, është e sigurt fare!

Në ditët në vazhdim gjendja u bë e pabesueshme.

Më e bezdisshme qe nëpunësja e shtëpisë funerale që propozonte materiale të riciklueshme. Çdo telefonatë e përligjte duke përmendur rrezikun e ngritjes së çmimeve.

- Nuk kam ç’të bëj për ju, - i thashë. Nuk mund t’i përshpejtoj gjërat. Analizat i kam bërë tani vonë dhe me sa duket në pesë vitet e ardhshëm nuk ka rrezik për ndonjë goditje në zemër, nuk besoj as për ndonjë damlla, se nuk kam ndonjë antecedent familjar. Mbase nuk përjashtohet ndonjë kancer i pankreasit, që nuk të lë më shumë se dy javë kohë...

Më ndërpreu për të më thënë se në jetë ka edhe aksidente, rrëshqitje në vaskën e banjës, këmba që del huq te shkallët e ashensorit, rrugët dhe autostradat që vrasin më shumë se atentatet terroriste,  por edhe vetë atentatet nuk duhen nënvleftësuar, meqë ra fjala. ..

E ndërpreva dhe i thashë se nuk kishte nevojë të m’i përmendte të gjitha. Oferta e tyre ishte më interesantja deri atë ditë.

Mu duk se mbeti e kënaqur.

© Dashnor Kokonozi