Rrobaqepësja - Nga Ilir Levonja
- Published in Andej-Këtej
Ese
Në qoshen e një molli (një tërësi dyqanesh si mapot e dikurshme) një grua qepte rroba në një dhomë drejtëkëndore. Përbri saj, në mur rrinin varur disa kostume, ca fustanë të gjatë, këmisha etj. Më tutje dy makina në dy tavolina si banka shkolle. Anash ajo e hekurosjes, më pas një tyl i varur si dhomë e provës. Nga matanë murit ndiheshin zërat e një palestre ushtrimesh ku me qindra vajza, gra, djem e burra, djersitnin të hiqnin kilet. Këtej rrobaqepsja e vogël mbytur në heshtje.
Kohërat kanë ndryshuar. Pak njerëz shkojnë tek rrobaqepësi. Gruaja topolake më pyeti nëse do porosisja gjë. Për shembull kostum. Apo kisha ardhur për të tërhequr ndonjë porosi? Më shpjegoi se punimet të tilla numëroheshin me gishta në këtë qytet prej dielli. Janë si ushqimet bio. Qepja bëhet me disa prova ku edhe në mos qofsh elegant ajo të ndihmonte të dukeshe. Karfosja e brendshme bëhej me dorë dhe kujdes preçiz me qëllim që pantallonave të mos u ikte sikur një fije.
Priti, unë asgjë. Shikova rrobat, vërtetë punë e shkëlqyer. Dhe makinat qepëse ishin si ato që unë mbaja mend. Flutura kineze të kohës, por edhe një elektrike. Moderne, fjala e fundit e Kinës së madhe. Gruaja u kujtua për mua. Më duket se ti nuk ke ndërmend të qepësh gjë. Por edhe rrobaqepës nuk je. Jo, i thashë. Sa mirë sikur të isha. Ajo më tha se do më fliste gjatë. Nga ku dhe si kishte ardhur. Se si atje në qytetin e saj, ishte nje rrobaqepëse me famë. Këtu nuk ia varnin. Këmbënguli me shumë dëshirë, e ëndërronte, vërtet nuk isha rrobaqepës?
Jo, i thashë me keqardhje. Sikur të isha, ajo do të lumturohej. Po ç'dreqin isha, ç'dreqin doja? Ia ktheva, hyra thjesht të shuaj mallin që kam. Me kujtove dikë..., ndaj qëndrova. Desha të ndjeja erën e hekurit të rrobave. Kaq, dhe ika. Gruaja doli pas pak. Më foli që larg, nga mbrapa në spanjisht. Me zë të lartë. Zoti të bekoftë që kujton ata për të cilët ke mall! Qofsh gjithnjë kështu, njeri!
© Ilir Levonja - 2013



