Çikago - Nga Kastriot Fetahu
- Published in Andej-Këtej
Nuk e di akoma nëse duhet ta quaja vendim apo zgjedhje, lënien një ditë të Shqipërisë për t’u vendosur në një atdhe të të tjerëve, me sfondin e një arsyetimi të sforcuar, mbështetur në vakum shpirtëror…
Ishte një mëngjes i hershëm dhe rruga deri në Rinas i ngjante asaj kasës së lekëve kur hidhnim monedhat në fëmijëri. Unë hidhja sytë e mi në gjithë pamjet e mundshme që rrokja dhe i varja në muret e tyre si një galeri pikturash urbane.
Mbërrita në SHBA në orën 18:30 pas udhëtimit me “Lufthansa” në aeroportin JFK të Nju Jorkut, e pastaj me linjë të brendëshme udhëtova për në Çikago, ku në 02:00 bujta në hotel Hilton “Double three”, në pjesën lindore të rrugës Ohio, referuar bulevardit kryesor North Michigan Avenue.
Unë nuk isha një personazh i “Lëndina e lotëve” e përsëri më rrotullohej mendimi si ato goglat e asaj pajisjes së Telebingos nën forcën e rrymës së ajrit.
Dyzimi e ka kahjen në viset e tua… Pyetja ndaj vetes se a duhet të kisha lënë vendin, ravijëzohej në një përgjigje pantomimike të shpirtit, si ajo skena e Pushkinit që bëri gjysmën e spektatorëve të sallës të qajë, e gjysmën tjetër të qeshë…
Në ditën që pasoi u zhvendosa pak më tej për të banuar në katin e 23 të një gradaçiele madhështore me 56 kate… Ishte mëngjesi i parë i atij tetori në Çikago, ku shëtitja i ngjau një pasthirrme “uau” në këtë qytet vezullues në qiell, mahnitës në sytë e mi të mësuar me Tiranën europiane. Fantazia ime, pa ardhur këtu, i shihte jashtëtokësorë “Chicago Bulls” me një legjendë si Michael Jordan, apo mitikët e tjerë Al Capone, Malcolm X, dhe “blues-in” e saj.
Kisha lexuar më parë për Çikagon dhe Jean Baptiste Point du Sable (1750-1818) konsiderohet si i pari i përhershëm jo-kolon indigjen i asaj që më vonë do të bëhej qendra e shtetit Illinois dhe ai njihet si themeluesi i Çikagos. Ura kryesore e lumit në bulevardin kryesor të saj North Michigan Avenue, pranë “Trump tower” mban emrin e tij.
Në bregun e liqenit Michigan, Çikago u inkorporua si qytet në 1837 pranë një porti midis Liqenit të madh dhe pellgut ujëmbledhës të lumit Misisipi. Ai u rrit me shpejtësi në mesin e shekullit të 19-të. nga viti 1860, Çikago ishte qyteti më i ri në SHBA që tejkalonte një popullsi prej 100,000 banorësh.
Zjarri i Madh i Çikagos në 1871 shkatërroi disa kilometra katrorë dhe la më shumë se 100,000 të pastrehë, por popullsia e qytetit vazhdoi të rritet në 503,000 deri në vitin 1880 dhe më pas u dyfishua në më shumë se një milion brenda dekadës. Në vitin 1900, më pak se 30 vjet pas zjarrit, Çikago ishte qyteti i pestë më i madh në botë. Sot është qendra financiare e Midwest të SHBA.
E mendoj shpesh se kur ne kishim principata me stemat dhe emblemat e princave arbërorë, këta nuk i kishte zbuluar akoma Kristofor Kolombi, e më vonë në historinë e Midwest, kur mbërritën kolonët, deri përtej shekullit të XVIII vriteshin në duele në mes të fshatit, (filmat Western), kurse sot jemi ne “të dueleve” të ngjyrave të ndryshme, e këta në çatinë e zhvillimit të botës… Këtu nuk ka as Dyrrah, as Apolloni e Bylis, mungon dhe një qytet 2400 vjeçar si Berati… Se kuptoj dot shqiptarin…
Çikago nuk është thjesht kate të larta në qiej nën pushtetin e këtij qyteti, por një zemër gjigande që vibron qiellin, një “Boeing 747” i sapo ngritur në pistë…
Të jetosh në Çikago është sikur të kesh hedhur zaret dhe fati të ka shpërblyer me dy gjashta. Çikago është një film melodramë pa mbarim, pa regji dhe skenar, me rekuizitë dhe aktorë realë.
Lokalet si “Dollop kafe” apo “Foxtrot” u bënë streha që suportojnë fushën magnetike të emrit tim në këto vite. Por më shijon po aq shumë “Cappuccino” në kompleksin e “Ralph Lauren”, që përfshin dyqane veshjesh të kësaj marke si dhe restorante e “kafene”, apo edhe në një lokal, ndoshta më i bukuri i rrjetit Starbucks në botë, në të katër katet e një godine në bulevardin kryesor North Michigan Avenue, me emrin “Starbucks Reserve Roastery”, që shërben edhe si një atraksion tërheqës për turistët.
Amerikanët janë njerëz paksa të shkujdesur e të padjallëzuar dhe në një moment kur lëviza për arsye personale nga tavolina, në “Ralphs Coffe”, dy vajza ma kishin zënë atë. Unë, që nuk harroj të jem shqiptar, po i shihja me inat nga tavolina ku më kishin zhvendosur gotën e kafes dhe më pas i thashë vetes “ndal” (me një buzëqeshje dorëzuese pa kushte), je në Çikago!
Është mahnitëse të shohësh këtë qytet nga kroçiera në turin arkitekturor në lumë dhe kjo sidomos në kohën e thyerjes së ditës me rënien e muzgut, ku dritat në lumë duken si një festival fishekzjarresh. Nuk e pashë dot këtu një pamje me kockat e shkatërruara të ndërtesave të shkreta.
Në Çikago kam takuar dhe njohur miq me vlera, si “Hebreja vlonjate” Anna Kohen në promovimin e librit të saj, Visar Zhiti, Lea Ypi, Gazmend Kapllani e Belfjore Qose, në një leksion të saj në DePaul University, por mbi të gjitha në “Vatrën” e Çikagos, duke qënë në kryesinë e saj, njoha një grup energjik dhe jashtë “Vatrës” një mik vlerash si Milto Skrami.
Nuk mund të harroj miqtë familjarë, familjen Kolçe, Vasillaqin e ditur, nipi i një emigranti me peshë në Toronto që kur ndërroi jetë, kryetari i Bashkisë së Torontos i nisi telegram ngushëllimi familjes së tij në Qytezë të Korçës në vitet ‘40, bashkëshorten e tij piktoren Mirela dhe bankieren, vajzën e tyre të bukur, me klas, e me një elegancë natyrale që nderon shqipen, Merkën.
Marramendja e këtij qyteti, që vërtitet rreth diellit të tij, më përfshiu në pavemendje të plotë. Çikago është një “kurth” i bukur poetik. Birraritë anës lumit, Opera, Muzeu i arteve, Akuariumi, Navy Pier, “Fasulja,” apo shetitjet anës liqenit janë atraksione të mrekullueshme. Po kështu një lokal, në godinën e dytë më të lartë, në katin e 96 është një mrekulli me pamjen që të ofron.
Kam shkruar më parë për “Miljen e Madhërishme”, ndoshta zona më e bukur në botë me stil modern dhe që ardhjen e pranverës e lajmëron me lulishtet plot me tulipanët shumëngjyrësh.
Këtu në strukturën urbane mbretëron heterogjeniteti. Çikago, një qytet i pastër dhe me njerëz të gëzuar, gulçon si ai kampioni i garës së 100 metrave kur jep intervistën direkt pas fitores.
Çikago, që më duket sikur ka më shumë aziatikë apo afro-amerikanë dhe me një komunitet italian, sa herë shikoj një restorant “VOLARE” më kujton Domenico Modugno-n e famshëm.
Çikago e Chris, vajza si Naomi Campbell në sportelin e gradaçielës, që më kujtonte, me emrin e saj, atë trafikantin mafioz tek filmi me Van Damme, si fitues i kampionatit të paligjshëm për trofeun e statujës së Luanit të artë, që nuk më mësoi dot anglishten edhe pse kishte dëshirë.
Sa herë udhëtoj, aeroporti O’Hara me lëvizjet e avionëve në pistë më sjell në vëmendje librin “Një lodër në orarin e udhëtimeve” të Tacuo Jasuda, që vetëm 4 minuta në 24 orë mund të shihje nga ana tjetër e shinave në stacionin e trenave të Tokios.
Në shatërvanin gjigand, në Millenium park pranë “South 500” të rrugës Lakeshore, ndihmova një familje për disa foto. Babai tyre më ngjau si ai i Sadnës tek telenovela indiane “Bidai”.
- Ju jeni indianë, - u thashë.
Buzëqeshën dhe folëm pak, ku iu bëra me dije se e nderoja shumë Indira Gandhi dhe djalin e saj Rajiv, India e një legjende botërore si Mahatma Gandhi, me Kalkutën e një legjende tjetër botërore si shqiptarja Nënë Tereza. Sa kënaqësi mora me përshëndetjen e atij burri të vjetër me pëllëmbët të bashkuara para fytyrës dhe përulje me trup para meje.
Më kishte rënë rasti të këmbeja biseda me njerëz të kombësive të ndryshme e kisha folur për figura që nga Houari Boumediene, Habib Bourguiba, Zulfikhar Ali Bhutto, e deri tek Jan Hus, Lech Walesa, Katarina Witt…
Kurse sa herë më shikon një punonjës i gradaçielës, bën shenjën e perandorit në Coloseun e Romës tek “Gladiatori” me atë gishtin e madh poshtë, duke thirrur Putin, Putin…, që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Zonat kryesore të Çikagos janë Streeterville, River North, Gold Coast, West Loop ku ndodhet edhe “Symphony Center”. Në Navy Pier më sugjestionon teatri “Shakespeare”.
Në kohën e pandemisë Guvernatori i Illinois, Pritzker dhe kryebashkiakja Lightfoot, prezantonin çdo ditë në tv buletinin e njoftimeve me një grup mjekësh. Dhe këtu dilte në pah përsëri “shqiptaria” ime, se Pritzker është i shëndoshë, sa unë vija buzën në gaz, se më kujtonte kryetarët e kooperativave të diktaturës, ca barkmëdhenj…
- Ore, kur do bëhesh njeri, i thashë vehtes, se nuk shikon vlerat po fasadën…
Nga festat më pëlqen më shumë Saint Patrick’s Day, kur lumi ngjyroset magjishëm i gjelbër dhe Indipendence Day, e festa e Vitit të ri, kur në lokale që festohet, në orën 00.00 këndohet kënga “Auld Lang Syne” me poezi të Robert Burns të vitit 1788 dhe kjo edhe çdo ndërrim viti në Buckingham Palace.
A mjafton njohja ime që të mund t’ju tregoja gjithçka që duhet të dimë për madhështinë e këtij qyteti?
Sa dua ta sjell në mendjen tuaj këtë metropol botëror të duket “i vogël sa një fshat me një shkollë dhe një kishë”.
“Jam i impresionuar me njerëzit nga Çikago. Hollivudi është zhurmë, Nju Jorku është biseda, Çikago është punë.” - shkruan aktori i famshëm Michael Douglas.
Ja dhe Oprah Winfrey… “Dita ime e parë në Çikago, 4 shtator 1983. Kam vënë këmbën në këtë qytet dhe sapo ecja në rrugë, ishte si rrënjët, si atdheu. E dija që i përkisja këtu.”
Dikur një mik më kishte thënë, mos vdis pa e parë Nju Jorkun dhe unë jetova një javë në Manhattan në rrugën ku janë luajtur filma e midis tyre dy me “Tifany”, por ai nuk e njihte Çikagon atëherë.
Frank Sinatra ka kënduar “Chicago, Chicago”, ndërsa unë kam shkruar një poezi “Chicago, Chicago,” kur nuk e njihja këngën e Sinatras…
Unë… Çikago dhe Tirana…
© Kastriot Fetahu - Çikago, 20.05.2023



