Andej-Këtej

Një jevg i vockël që pshurr në Lanë - Nga Artan Fuga

Berati është vetëm pesë vjeç. Si të gjithë fëmijët ai fle herët dhe zgjohet pasi dielli e ka zbardhur mirë horizontin. Parmbrëmë, u zgjua i lemerisur nga flakët që Qielli dërgonte në Tokë. Shkrepëtima, rrufe, aman o Zot aman, ku je nëne se kam frikë! - pëshpëriste me vete.

Bubullimat bënin një zhurmë rrëmeti. Në fillim si një e çarë lisash në pyll, pastaj sikur shumëzohej me një milion zhurma e zinxhirit të karrocës së plakut që mbledh hekurishte nëpër lagje, një tronditje dheu dhe ajri dhe brrrrrrrr - gjithçka derdhej mbi veshët e vogëlushit si zhurma e mureve që bien.

Të gjithë flenë, motra, vëllezërit, nënia, plaku, të gjithë. Jashtë është terr. Ca llampa neoni lëshojnë një dritë të verdhur e zverdhur si të sëmurë me botkin.

U ngrit dhe hapi fletën e çadrës. Pa bravë e çelës. Dhjetra çadra ushtrie pa mbi trotuarin ku rrëshkiste si gjarpër uji i shiut në formë përrenjsh të sertë.

Zbathur, pllaq-plluq mbi ujë, me të mbathura e një bluzë të vjetër e të grisur mbi supet e njoma, eci natën mbi trotuar. Ishte pak si somnabul. Maune të mëdha kalonin me rrapëllimë mbi Unazë. I shihte si tigra të vjetër. Maune dinosaure nga ata që kishin parë stërgjyshërit e stergjyshërve të tij diku andej nga shketëtirat. Popull i stërvjetër fisnik.

Rrotat e dinosaurëve tre herë më të larta se trupi i tij e spërkatnin me reshje shiu, dukeshin si një dush gjigand. Fshiu fytyrën e mbuluar me ujë, baltë dhe cikla zhavorri. Duhej pritur një çast kur rruga të ishte bosh.

Allah - tha me vete - ku shkojnë këto Skoda kështu? Që me sabah!

Mbase plaku do të ketë pak punë duke fshirë këpucët e policëve si llustraxhi që bëhet kur bjen moti në ujë - mërmëriti.

Nuk pa më sy dinosaurësh që të afroheshin te kthesa. Ngriti sytë dhe drita e vetëtimës e ndriçoi gjithë murin e pallatit përballë. Shigjetat e vizatuara mbi të sikur i thoshin: Këtej me vrap tashti!

Pllaq - plluq mbi Unazë si në ëndërr. Vetë lumi Nil rridhte mbi unazë.

Kapërceu rrugën dhe këmbët e vogla ndjenë barin dhe baltën e buzë Lanës. Rrëshkiti dhe ashtu rrëshqanthi zbriti rrëpirën që të çon te shtrati i lumit. Trupi i ngeci te një derë e vjetër dollapi. Ishte tmerruar sepse mendoi për një çast se do ia merrte lumi i Lanës. U ngrit dhe nga një e çarë u fut brenda kabinës që kishin ndërtuar ca rob Zoti me jelekë të verdhë

Këmbët iu futën në mutra dhe baltë përzjerë me urinë. Era e jashtëqitjes i pickoi hundën.

Hoqi brekët dhe ashtu gjysëm në këmbë u shtrëngua dhe ndjeu se një lëng jo shumë i trashë i ra mbi shputat e këmbës dhe shalë. Mbi krye kishte rrufe dhe bubullima. Hodhi sytë poshtë i tromaksur për të mos e parë qametin. Një vijë e gërmuar si hendek mbushur me mutra i vrau sytë. Rridhnin mbi Lanë.

Një nevojtore gjigande. Dushi - shiu, zhurmat e ujit të galexhantit - bubullimat, wc - Lana që rrjedh e rrjedh e nuk flet.

Shtyu derën e vjetër dhe nisi të ngjisë të përpjetën me bar e baltë.

Fatmirësisht rruga ishte pa maune dinosaurë. I kishte ndaluar një sy prej zjarri që dukej atje tutje te magazinat e ushtrisë ngjitur me nja dy ndërtesa ku çdo mëngjes mblidhen shkollarë.

Hapi derën e çadrës dhe ndjeu aromën e trupave që flinin përzjerë me duhma fryme të qelbur dhe erë këpucësh të shkelura te thembrat.

Lali i madh fle si qingj, fle edhe lali i vogël që ka lindur dje, plaku gërrhet, nënia lëvizi mbi dyshekun e vet gjysëm të lagur, pesë motrat mbledhur nga të ftohtit, shtrirë mbi govata të vjetra - duken sikur janë bërë mehit nën dritën e neoneve të rrugës dhe të rrufeve.

Mos kanë vdekur? - rrufeja plasi në mendje e pastaj iku tutje andej nga deti.

U fut te dysheku i nënes dhe mendoi: Sa mirë jam këtu!

Lana poshtë i shtynte tutje mutrat drejt detit të madh e më larg pastaj drejt Italisë.

© Artan Fuga