Andej-Këtej

Durazzo-t flenë - Nga Luan Rama

Luan Rama

Durazzo-t kanë shekuj që flenë në Chiesa del Jesu. Katër fëmijë, katër engjëj mermeri mbajnë sarkofagun e rëndë me eshtrat e tyre. Çdo të diel ata dëgjojnë himnet e Zotit. Alleluja!

I afrohem altarit të ngritur prej tyre në këtë kishë të famshme jezuitësh, ndërkohë që prifti mban meshë. Përballë kam emblemat e tyre, shiritat e kuq me tre zambakë. Ngjajnë me shiritat e gjakut, ndërsa fusha blu me hapësirën e detit. Këndej ishin nisur 5 shekuj më parë këta shqiptarë nga Durrësi nëpër udhët e botës, si skllevër që e fituan lirinë në Republikën e vjetër të Gjenovas.

Durazzo-t flenë, të vdekur prej shekujsh, të gjallë gjithnjë: tregëtarë, klerikë, bankierë, konsuj e ambasadorë të Gjenovas nëpër Europë, kardinalë si dhe nëntë dozhë të Republikës, kur madje një kohë Gjenova quhej “Republika Durazzino”. Shoh altarin dhe mendoj për forcën e punës, vullnetit dhe të shpirtit. Adhurues të artit, shkencës, kulturës... Djaloshi Mozart jepte koncert për ambasadorin Durazzo në vilën e tij mbi Canal Grande në Venecia; Van Dyck, mik i familjes së dozhit Durazzo kishte aty atelierin e tij dhe pikturonte dozhin dhe markezet në Palazzo Durazzo.

Ja tek më shfaqet dhe kardinali Durazzo me pelerinën e tij të kuqe. Van Dyck pikturonte dozhin Marcello Durazzo apo markezen e bukur Durazzo që sot gjendet në Metropolitan Museum of Art. Në një tablo tjetër ka përjetësuar Caterina Balbi Durazzo; Mulinareto dozhin Petro Maria Durazzo apo markezen Annamaria Balbi Durazzo, Parodi markezen Maria Madalenna etj. Në sallonet e Palazzo Durazzo ndereshin në mure tablo të Tiziano-s, Rembrandt, Rubens, Veroneze, Reni… Ja pse ky altar sot më ngjan me një altar arti. Lëvduar këta njerëz që e shtuan lavdinë e Epidamnit të lashtë!

Dal nga kisha i shoqëruar me një Te Deum. I lë të flenë Durazzo-t e famshëm që lanë gjurmë në histori. Përballë ngrihet “Palazzo dei Dogi”, (Pallati i Dozhëve). Nëntë dozhë Durazzo janë ulur aty të udhëheqin republikën në kohë luftrash dhe paqeje. Dhe unë nxitoj të recitoj në atë pallat të shenjtë dy poezi të miat, në mbrëmjen e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë. Kushedi, ndoshta do ta dëgjojnë zërin e pinjollit të tyre ardhur nga Shqipëria. Dozhi i fundit këtu ishte Girolamo Durazzo. Trupin e tij e mban toka e Gjenovas ndërsa zemra, në një urnë, prehet në Panteonin e lavdishëm të Francës, në Paris. Refugjatë që u bënë dozhë, njerëz që dashuruan artin dhe i shërbyen atij.

© Luan Rama