Andej-Këtej

Fort e shkurtër dhe e munguar, histori e kohërave tona moderne - Nga Ylli Pango

Kur shkoi nga kjo jetë heroi me emrin Qetsor, si zakonisht dhimbja në gjallje, e munguar a me porosi e mpiksur, për sakrificat e plagët e tij (tashmë të rihapura) filloi të rrjedhë fjalime prekëse, dithirambe e histori lavdie pa fund, në media, mexhlise e ceremoni zyrtare a politike. Porosia e Komandantit pat qenë e qartë... E natyrisht pas fermanit, fuguan të ngjërojnë nga mjalta e bëmave të mëdha të heroit, veç bashkëluftëtarëve të deklaruar (ca syresh të porsalindur si të tillë) edhe soj lloj shkrues, kronikanë a biografë...

Sa për shkrimtarët e taban-oborrit, ata filluan ta mblidhnin nektarin e heroizmës së martirit, dalë e ngadalë, për ta riprodhuar pakëz më vonë, nakatosur sheqer e përzjerë me baltë-mjaltën e tyre vetiake, publikuar-ambalazhuar në të njëjtët kavanozë e etiketuar romane, bio-logologji a trilogji të zvargura, më pas pjesë antologjish shkollore të qëmtuara me kujdes nga dietologë-patriotë, ngarkuar nga Komanda, për një të ushqyer të shëndetshëm të breznive që vinin e do të vine (duhet të keni kuptuar me siguri se veç sa më sipër, nga mjalta pa shterrje e koshereve të individëve legjendarë, janë ushqyer e vazhdojnë të ushqehen, madje ndër shekuj  aradha të tëra shkarrashkruesish e mjelësish të dalluar të maskarallëk-patriotizmës kombëtare).

Kësisoj veç të tjerash, u fillua të milej gojëdhanë e mit, duke qëmtuar që në fëmininë e heroit, që rezultoi me bëma të papara që e tejkalonin ku e ku moshën, sado të njomë të heroit, pandërpreras, zënë fill nga viti i parë i daljes në këtë botë. U rrëmua urithçe edhe në biografi farefisnie e u gjetën të tjera bëma, që i përkisnin gjakut, sojit e llojit duke e bërë heronë fort të justifikuar edhe gjenetikisht, për gjithëçë të jashtëzakonshme që pat prodhuar.

Siç u tha në krye, prindërit patën qenë njerëz të qetë, të papërzjerë den babaden, nuk-nuku ngisnin as mizën, andaj duke dashur ta përcillnin këtë traditë për më tej e patën quajtur edhe birin e heroin e ardhshëm Qetsor, për ta nisur e shkuar më tej, edhe ai qetë e pa zarare jetën në vijim të denjë të traditës familjare...

Por me gjithë këto të dhëna lidhur mbi qetësinë olimpike familjare, nga studime të mëtejme e më të thelluara historike, rezultoi se familja pat qenë egërsisht-patriotike e luftarake e me rrënjë që depërtonin thellë e gjerazi dredha-dredha, në tokën e shumë e shumë shekujve të shkuar, duke zbritur deri në paraardhës të lashtë pellazgjikë.

Gjithsesi prindërit nuk patën gjë kundër kësaj teksa, ndonëse të surprizuar, njohën të porsazbuluara, veç heroizmave të birit, edhe heroizmat e tyre e paraardhësve të tyre, deri atëhere të panjohura e extra/patriotike, heroizma nga të cilat edhe logjikisht i binte të kish mbirë jo më kot mbi tokë filiz-biri i tyre hero.

Po kur një ditë rastisi e dikush (a ai vetë, a paranoja) i fryu në vesh Komandantit e ai futi në vesh, se babai i heroit diç pat thënë në një rreth kinse të ngushtë (që s'pat qenë veç i ngushtë por dhe i pastër e i infiltruar nga patriotë të zyrave të nuhatjes), për të kaluarën jo fort të pastër të Komandantit (a ish thënë a ish sajuar, kjo pak rëndësi kishte).

Komandanti e zhbëri sa çel e mbyll sytë me rrënjë e me degë, rrapin shumë-shekullor të heroizmës familjare të heroit e dha urdhër-rrufe, që pa një pa dy, atin, mëmën, vëllanë, motrën e ca të tjerë soj e sorollop të heroit, ti sikterisin në një katund edukativ ku dhe pulat ishin aq të edukuara sa hanin gurë, duke kursyer kësisoj misrin, edhe aq të kursyer të njerëzve të atij katundi patriot e heroik.

Bashkë me familjen natyrshëm shkoi e vate idealisht, por edhe fizikisht, ndonëse tashmë i tretur deri në koc, edhe vetë heroi, se ky na u nxorr nga varri pa ceremoni e u rivarros në një nga gropat pa numër të një mali të quajtur ndonëse mal, edhe me gropa, e kësisoj heroi u zhduk me gjithësej nga fotot e nga stendat e librat.

E pak më pas, historianët e rezultuan se ish-gabimisht-heroi, vërtet qe vrarë, por jo në luftë, e aq më pak heroike, por e pat zënë një plumb qorr tek zbriste duke fërshëllyer sevdallisht shtegut të rrospieve.

Më vonë në një takim të hapur-konfidencial, Komandanti e pat thënë, duke lëshuar stërkala tërbimi legjitim, se Ay vetë-Komandanti, e pat ditur me kohë se ç'mut-muti kish qenë megjithë familje, ai palo “hero”, poooor… historianët, veçse shumë më vonë  pas vdekjes së Komandantit (shekuj më vonë)  e sqaruan këtë “poooor”, duke i shpjeguar brezit të ri, se duke qenë ay vetë kryeheroi, a i vetmi Hero i vendit, Komandantit i ishin dashur natyrisht, për sfond,  edhe ca heronj, e mes tyre edhe ky mut-muti.

I ishin dashur se ndryshe, ndonjë pizeveng, mund edhe të shtronte më vonë, pyetjen armiqësore, se “kë i binte të kish komanduar Komandanti në luftën e tij heroike-imagjinare, aq më pak ashtu, fshehur skroskave e maleve, mu nën hundë të armikut që bridhte lirisht si budalla anekënd vendit, pa e kuptuar fare se mu nën strofkën e tij bubrronte në një strofkë më të fshehtë akoma, vetë Ay, legjenda e vërtetë dhe e vetme e luftës, Komandanti”.

Aq më tepër edhe sepse, në historinë e tij të thelluar historiani Milo Xhufi, pat gabuar pak, teksa në një valë idolatrie homerike për Komandantin, pat rezultuar se i vetmi hero e luftëtar i vendit pat qenë Ay dhe vetëm Ay, Komandanti, e të tjerët pa e ditur Ay, patën rezultuar ose armiq, ose më pas, në paqe (ose edhe në luftë edhe në paqe) të korruptuar, mutër-muti a bukëshkalë.

Por komandanti e pat kapur nonsensin e “Komandantit a Kryeheroit pa heronj a pa ushtarë”, e pat urdhëruar t’i hiqnin një vërejtje të butë Milo Xhufit, e më pas sipas idesë së vetë atij Komandantit, të niste fabrikimi i heroit, e më pas akoma edhe i ca të tjerëve heronj, sipas nevojave.

Shkurt: Vendit, d.m.th. Komandantit, i ish dashur një hero e ia kishin plotësuar nevojën vendit, e më pas edhe nevojat për ndoca heronj të tjerë, sipas nevojave të tjera të lindura a të rilindura, pas metamorfozës së heronjve në armiq a mutër-muti.

Nuk di ta ketë pasur vend tjetër këtë fat, prodhimtari e pjellori, të tillë që sado heronj të zhbëheshin nga komandantë që nuk u shpëtonte qimja, po aq të tjerë të fabrikoheshin e rifabrikoheshin pa rreshtur po syresh.

E duhet pohuar se vendi vijoi ta kishte e e ka ende atë fat sot e përgjithmonë, e jo veç ndër dekada, përderisa përpos këtij fati, pati fatin mbi fat, të ketë kurdoherë komandantë jetëgjatë, e pushtet e shalëgjatë, që nuk pat, hero të gjallë a të vdekur , a bërë të vdekur, t’ua zinte vendin, duke i lënë kësisoj përjetësisht e të vetëm, majë kali a mali, e kurdoherë prodhimtarë heronjsh e armiqsh, të korruptuarish a mut-mutrash trazuar.

© Ylli Pango

Tagged under Flasshqip.ca Ylli Pango