In Memoriam Parashqevi Sahatçi, “Zonja e Fotografisë” - Nga Qerim Vrioni
- Nga: Qerim Vrioni
Qerim Vrioni
Më 29 tetor 2024 u nda nga jeta në Kanada, ku jetonte pranë të birit, Parashqevi Sahatçi, fotografe, koleksioniste, historiane dhe autore e përgatitjes së disa albumeve me foto historike, të cilën e kam cilësuar “Zonja e Fotografisë” në një artikull të botuar para 11 vjetësh. Lajmi i shuarjes ishte i papritur dhe i hidhur.
Në kujtim të së ndjerës, mund të lexoni më poshtë pjesën që i pata kushtuar në librin tim “Miq në 50 foto”. Po ashtu edhe shkrimin e botuar në revistën KLAN, më 1 shkurt 2013. Bashkë me shkrimet një foto e saj dhe dy të tjera të përbashkëta.
Parashqevi Sahatçi
- Po të pres nesër tek Turizmi i Beratit, - më tha Parashqevi (Salepi) Sahatçi (Berat, 1933) në telefon atë mbasdite. Ajo prej kohësh njihej në publik si fotografe, koleksioniste dhe studiuese e pasionuar e historisë së Beratit.
Për të kisha lexuar dhe shikuar albume fotografish, të sajat dhe të historisë së qytetit të saj. Gjithsesi, më brente kureshtja e natyrshme për ta takuar e biseduar.
Ditën tjetër, mbërrita në qytet rreth orës 10 dhe e gjeta zonjën e nderuar në verandën e lokalit të njohur, duke tymosur një cigare. Edhe pse nuk e kisha takuar më herët, e dallova menjëherë.
Filluam sakaq bisedën, kryesisht për fotografinë në përgjithësi dhe të Beratit në veçanti, fushat të cilat na lidhnin, por edhe për historinë e qytetit të një mbi një dritareve.
Atë ditë kisha marrë me vete edhe një kopje të librit tim të dytë, “150 vjet Fotografi Shqiptare”, të botuar në vitin 2009. Pasi diskutuam mbi temat e parazgjedhura, i dhurova edhe librin, pa harruar t’i shkruaj me kënaqësi edhe autografin.
Ajo nisi në çast të shfletonte librin dhe biseda e preu vijimin e rrjedhës së saj, sepse herë pas here Zonja e Fotografisë hidhte ndonje fjali për ato që shihte.
Kënaqësia e koleksionistes u rrit dukshëm kur arriti te pjesa e fundit e librit Album i Fotografisë Shqiptare. Gjatë shfletimit të faqeve, thuajse për secilën prej fotove thoshte diçka. Kjo vazhdoi deri kur gjeti dhe ndaloi te fotoja e bashkëqytetarit të saj, fotografit Ilia Xhimitiku, me titull “Berat, 1936”.
Sapo i shpjegova ngjarjen dhe kohën e fotos, ajo nisi të gjente disa emra të njerëzve brenda saj, midis tyre edhe një paraardhës të familjes së saj.
“Kjo foto, - tha ajo - është një krenari për qytetin tonë, se aty po nderohen dy atdhetarë që nuk kanë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me Beratin, përveç shqiptarizmës.”
E mbajti gjatë hapur faqen ku ishte fotoja simbol e Beratit, i takonte vëmendja e shtuar, sepse edhe ajo po kthehej në një simbol i fotografisë në Berat. Në një nga çastet e fotografova, ajo ishte tërësisht e përqendruar te fotoja. Ishte tetor i viti 2012.
Parashqevi Sahatçi - Zonja e Fotografisë (Revista KLAN, 1 shkurt 2023)
Në fushën e fotografisë shqiptare nuk janë të shumta femrat që janë marrë gjatë me aparatin fotografik. Ndër të paktat mes tyre e që dallohet për larmi veprimtarish në lëm të fotografisë, është padyshim Parashqevi Sahatçi (Salepi), “Zonja e Fotografisë”, siç e quajnë ndonjëherë në Berat. Ajo dhe tani, në moshën rreth tetëdhjetëvjeçare (i mbush më 20 janar 2013) nuk shkëputet asnjë çast nga fotografitë dhe Berati i saj i dashur.
E lindur në një familje me tradita të lashta qytetare, Parashqevia, pas mbarimit të Shkollës Pedagogjike të Beratit, shërbeu si mësuese në Çorovodë (Skrapar), pastaj u transferua në vendlindje. Në dyvjetshin 1963-65, ajo kreu studimet në Institutin 2-vjeçar “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, për Gjuhë-Histori. Pas emërimit për të punuar në qytetin e saj, filloi të dallohej si mësuese e aftë dhe femër e emancipuar. Lëndën e historisë ajo e zhvillonte duke e konkretizuar edhe me fotografi e kartolina të vjetra (kryesisht të Beratit), të cilat “afronin” para syve të nxënësve të shkuarën dhe u mësonin atyre mjaft gjera të reja. Nisi kështu t’u kushtonte vëmendje të posaçme fotografive, t’i grumbullojë ato, t’i përzgjedhë e grupojë sipas kohës së realizmit dhe përmbajtjes së tyre. Gjeti edhe foto të hershme të fillimshekullit XX.
Njëra prej tyre që datonte vitin 1906 (pa autor) e ngazëlleu shumë dhe, shpesh e kalonte para syve si një gjë të çmuar. Njëkohësisht mësuesja e historisë, filloi të fotografojë vetë, e shtysa për këtë ishte përqasja midis pamjeve të vjetra të Beratit me gjendjen e tyre të përditëshme. Krahasimi pamor për Parashqevinë, ishte më i prekshëm duke krahasuar fotografitë e shkrepura disa dhjetvjeçarë më parë me ato të realizuara nga mendja dhe dora e saj. Pamjet që fotografoi e, që përfaqësonin ndryshimet e qytetit të lindjes, jo gjithmonë e kënaqën. Vërente me shqetësim se po zhdukeshin mjaft vlera arkitektonike shekullore që shërbenin edhe si simbole të Beratit, që dëshmonin, përveç të tjerave për jetë të civilizuar prej kohësh. Natyrisht, ajo gëzohej kur ndonjë ndërtim i ri, apo sistemim banesash nuk dëmtonte atë çka ishte tradicionale dhe karakteristike. Ngushëllohej disi se në letrën fotografike mund ta shihte mirë Beratin, “qytetin e shtatë kodrave” dhe “katër pazareve”, ose siç emërtohej më së shumti, “qyteti i një mbi një dritareve” (të treja përcaktime të goditura).
Foto nga Kalaja dhe lagjja Mangalem Berat (Parashqevi Sahatçi)
Ndërkohë, mbledhja e fotografive iu kthye Parashqevisë në pasion e, për këtë udhëtoi edhe në qytete të tjera për të gjetur fotografi (kartolina) të Beratit. Gjithashtu dhe në vendlindje, herë pas here zbulonte në familjet e vjetra qytetare, ekzemplarë të pashikuar më herët. Aparatin, ashtu si fotografët profesionistë, nuk e ndante nga vetja e, me të, dalngadalë, po krijonte “portfolio”-n e saj me imazhe të zgjedhura të vendlindjes. Disa foto të ndërtesave, rrugicave dhe lagjeve tipike të realizuara në vitet ’70 prej Parashqevi Sahatçiut, qëndrojnë sot jo vetëm si dëshmi pamore, por fare mirë mund të kundrohen edhe si krijime të mirëfillta arti. Ajo, i kuadron me mjaft shije pamjet, i zgjedh ato me kontraste të përshtatshme tonale (bardh e zi), duke realizuar shkrepje nga më të arrirat për jesën tradicionale të Beratit. Shënojmë se, në qytet fotografia ishte lëvruar qysh prej fillimit të shekullit XX, ndër të parët e kësaj fushe përmendim, Koçi Kusta, Naun Vruho, Ilia Xhimitiku, Lil Koçi e, duke arritur tek kolegët e bashkëkohësit e saj Eshref Vrioni e Dhimitër Topi. Pra, fotografimi në Berat ishte traditë e hershme, e cila i kish vlejtur dhe Parashqevisë.
Gjatë viteve ’70-’80, Parashqevi Sahatçi, nisi të shkruajë në shtypin lokal e qëndror për ngjarje e persona historikë, në raste përvjetorësh jubilarë, por kurdoherë me shtysë nga fotografitë e vjetra. Ajo shtoi me këtë, ndoshta dhe si pakuptuar, lidhjet me fotografinë, duke krijuar një bashkëjetesë që nuk u ndërpre asnjëherë e vazhdon edhe sot e gjithë ditës. Zemërgjerë nga natyra dhe vizionare nga idetë, Parashqevia, mendoi se fotografitë e mbledhura nga ajo duhet t’i shihnin sa më shumë njerëz, bashkëqytetarë, por edhe kultivues të kulturës dhe historisë nga i gjithë vendi. Për këtë ajo mendoi t’i përmbledhë e të publikojë në ekspozita e albume të gjitha fotot e vjetra të qytetit. Kështu, më 1984, ajo si hap të parë, çeli ekspozitën fotografike, “Berati i ri, Berati i vjetër”, e cila ndonëse me frymën propagandistike të kohës, u prit me kureshtje të dukshme nga shikues të shumtë e të niveleve të ndryshme arsimore e kulturore të qytetit. Ekspozita ishte ngjarje kulturore e, vazhdoi të qëndronte si temë bisede për disa ditë në qytetin e lashtë.
Ylli Polovina (majtas), Parashqevi Sahatçi (R.I.P.) dhe Qerim Vrioni
Në vitin 1991, vitin e ndryshimeve të mëdha politiko-shoqërore në vend, Parashqevi Sahatçi, antarësohet në Shoqatën Kombëtare, “Koleksionisti”, me qendër në Tiranë, duke qenë femra e vetme pjestare në të. Filloi të bashkëpunojë në këtë kohe edhe me organin e shoqatës, revistën “Koleksionisti”. Aty, shkroi për historinë e fotografisë në qytet dhe mbi fotografët më të vjetër të Beratit. Artikujt ngjallën interes jo vetëm tek njerëzit e fotografisë, por edhe tek historianët e studjues të ndryshëm. Dy vjet më vonë, maj1993, Parashqevi Sahatçi, hapi në Tiranë një ekspozitë fotografike me foto të vjetra dhe të reja (këto nga aparati i saj). Pas dy viteve të tjera, më1995, çel në Berat ekspozitën tematike fotografike “Veshje tradicionale”, ku shpërfaqi jo vetëm talentin si fotografe, po dhe kulturën e horizontin e saj në lëmin e etnografisë dhe historisë.
Një konkretizim të dobishëm të punës së Parashqevi Sahatçiut përbën dhe botimi në vitin 2007 i albumit-monografi “Berati në fototeka”, një punim tjetër plot vlera njohëse por dhe studimore. Në të përmblidhen shume foto të qytetit, prej më të vjetrave deri tek ato më te rejat, të dala nga aparati i saj. Gjithashtu, “Berati në fototeka”, mund t’u shërbejë fare mirë të gjithë atyre që merren me historinë e fotografisë shqiptare, por edhe arkitektëve dhe urbanistëve.
“Zonja e fotografisë”, ka fotografuar edhe ndodhi të ndryshme të qytetit, ngjarje historike, shoqëroe e politike, ka realizuar shkrepje në të gjitha stinët, që nga pranvera e butë e kodrave e deri tek daljet e herëpashershme “inatçore” të Osumit. Pjesa më e madhe e tyre meritojnë të arkivohen nëpër albume për memorien historike dhe do përbëjnë një dhuratë të veçantë dhe të çmueshme për brezat e ardhshëm.
Si fotografe, për Parashqevi Sahatçi do mbetet i paharrueshëm, ndër të tjera, takimi në Shkodër në vitin 1981, me “të fundmin e Marubëve”, Gegën. Sipas fjalëve të saj, mjeshtri shkodran u ngazëllye tepër nga puna e madhe e kësaj gruaje fotografe e në të njëjtën kohë edhe historiane. Fotoja që i tregon të dy duke biseduar, përzemërsisht me njeri-tjetrin, “flet” qartë për respektin e ndërsjelltë të tyre e, njëkohësisht, përbën një kujtim të vyer për fotografen.
Puna si mbledhëse e fotografive për Parashqevi Sahatçi, nuk ka ndalur asnjë çast e sipas saj “koleksionisti mbetet gjithë jetën duke kërkuar, për atë s’ka moshë”. Këtë e ka vërtetuar më së miri vetë ajo, kur kohët e fundit, bash në vitin 2011, botoi veprën e saj madhore, “BERATI-Etnografia në shekuj” (Toena, 2011), një libër-album me shumë vlera për studiuesit dhe historianët, por edhe për njerëzit e thjeshtë që dëshirojnë të njohin të shkuarën e qytetit të tyre të veçantë e shumë të moçëm.
Një gjë mund të thuhet me siguri për të, se dashuria për qytetin e lindjes i ngjizi pasionin për fotografinë. Të dyja këto, u kthyen, si të thuash në “dy shinat” mbi të cilat ka ecur e vazhdon të ecë treni i jetës së saj.
Siç u përmend më sipër, thënien e saj për vijimësinë e punës së koleksionistit, ajo e ka sendërtuar prej kohësh. Gjithashtu, shënojmë se Parashqevia prej disa vitesh punon me kompjuter e internet (jo fare e zakonshme për moshën) e, kur udhëton jashtë qytetit, bashkë me sendet vetjake, përfshin edhe lap-topi-n. Në të, qëndrojnë të renditura e sistemuara me qindra foto të vjetra e të reja, si dhe të gjitha shkrimet e studimet e saj, të botuara e në dorëshkrim. Për veprimtarinë e saj të veçantë në fushën e fotografisë, për pasionin dhe seriozitetin, jo pa vend i kanë ngjitur emërtimin “Zonja e Fotografisë”.
© Qerim Vrioni