Trashëgimi

Në divanin lunxhot!

Nga: Vasil Tole

Divani lunxhot vazhdon të jetë aktiviteti më i veçantë që i kushtohet trashëgimisë sonë shpirtërore në Shqipërinë e Jugut. 

Dikur fjala divan kishte kuptime që fillonin që me "trupë e zgjedhur këshilltarësh", divan për ulje, e deri tek "përmbledhje poemash". Duket se festivali që mban emrin "Divan" i ka përmbledhur që të gjitha kuptimet e kësaj fjale. 
Ai është sot vendi që mbledh më të mirët e të mirëve, për të mbajtur gjallë trashëgiminë e tyre shpirtërore, si dhe për të folur, kënduar e vallëzuar në zemër të Lunxhërisë. 

Divani ekziston se ka njerëz që e mbajnë atë gjallë e në jetë, janë ata që Ju i njihni, pa të cilët divani nuk mund të ekzistojë. Janë po ata që pa paragjykime mbledhin në divan të ndryshmit e çdo lloji e soji dhe që na bëjnë të njihemi e bashkëjetojmë me ta. 

Dhe kjo ndodh se zemra e divanit është e hapur dhe këmbët e divanit janë të forta, fort të mbështetura në tokën mikpritëse të Lunxhërisë plot lezete.