Trashëgimi

Në kujtim të Pandeli Evangjelit, 3 herë Kryeministër i Shqipërisë - Nga Klodi Stralla

Përkujtimoret s'janë as CV dhe as monografi për personin që përkujtohet, të cilat gjenden me shumicë në tituj librash, apo në shumë linke në internet. Ato janë një gjini më vete, të shkurta nga forma por të ngjeshura nga përmbajtja. Ato, më shumë se të informojnë, të kujtojnë se kjo Shqipëri që kemi sot, me të mirat dhe të këqiat e saj, është bërë nga shpirtra atdhetarë, të përkushtuar, idealistë, pasuria e vetme e të cilëve qe vepra që lanë pas dhe që, pas kaq e kaq vitesh, kur ata nuk janë më midis nesh, na “detyron” t’i kujtojmë e nderojmë në çdo përvjetor.

I tillë është edhe Pandeli Evangjeli (1859-1949), ky bir i Korçës tonë, që ndërroi jetë 70 vjet më parë, në 14 shtator 1949, në qytetin e tij të lindjes, i braktisur, i harruar, i nëpërkëmbur nga “çlirimtarët” e porsaardhur në pushtet, por i dashur dhe i respektuar nga korçarët që e njihnin dhe vleresonin punën e tij të palodhur shumëvjeçare në dobi të çështjes kombëtare.

Djalë i ri, 19 vjeçar, mori rrugën e kurbetit për në Bukuresht të Rumanisë, ku shumë shpejt, kafeneja e tij bëhet qëndra e lëvizjes atdhetare. Zgjidhet Kryetar i Shoqërisë “Dituria”, falë të cilës u botuan “Abetarja” e shkollës së parë shqipe dhe librat e Naimit e Samiut me shokë. Delegat i kolonisë së Bukureshtit në Konferencën e Paqës në Paris 1920, ku diskutohej qënia ose jo e shtetit shqiptar, Prefekt i parë i Korçës në Qeverinë e Princ Vidit dhe Kongresit të Lushnjës, Ministër i Jashtëm, Kryetar Senati dhe Kryeministër i Shqipërisë në vitet 1921, 1930 dhe 1931-1935. Kjo është përmbledhtazi kariera atdhetare dhe politike e këtij personaliteti idealist.

Në këtë ditë përkujtimore dua të veçoj një fragment nga intervista e tij, dhënë gazetës “Posta e Korçës”, më 18 qershor 1921, ku si Prefekt i qytetit të Korçës, ai shpreh pikpamjet e veta për organizimin dhe funksionimin e shtetit, që mbeten aq aktuale edhe për kohën tonë.

Gazetari: Ç’mendoni në lidhje me administratën shtetërore?

Pandeli Evangjeli: Për çdo mënyrë administrimi, masa më e parë që duhet marrë është për të zgjedhur nëpunës me karakter e kompetence, që të shqyrtojnë çdo çështje me paanësi.

Gazetari: Ç’mendoni në lidhje me drejtësinë?

Pandeli Evangjeli: Pa drejtësi nuk ka qeverim. Qeveria ka për detyrë të marrë masat e duhura që kjo institutë të arrijë në lartësinë e saj, që kështu të ndjejë populli se drejtësia jepet me paanësi të plotë. Përveç kësaj, të merren masa të rrepta kundër nëpunësve që abuzojnë prej këtyre dy fuqive (ligjore dhe ekzekutive).

Gazetari: Ç’mendoni për arësimin dhe kulturën?

Pandeli Evangjeli: Shqipërinë e bëri shkolla dhe arsimi. Qeveria duhet të përkujdeset për shkollat dhe për të gjitha institucionet kulturore. T’i shtojë e modernizojë ato.

Gazetari: Për çfarë forme qeverimi jeni ?

Pandeli Evangjeli: Shqipëria duhet të jetë një shtet konstitucional dhe kurrë absolutist.

Gazetari: Ç’mendim kini për një memorandum, të propozuar nga Koço Kotta, në lidhje me një administratë autonome për jugun e Shqipërisë?

Pandeli Evangjeli: Në asnjë mënyrë jo! Kjo do të ishte hapi i parë i federalizimit të Shqipërisë dhe shumë shpejt, pas saj, do të vijë edhe copëtimi i saj.

Ndonse ishte autodidakt në formimin e tij, ai ishte para së gjithash një atdhetar i përkushtuar, modeli i nepunësit besnik ndaj shtetit dhe popullit të vet, frymëzim për funksionarët e sotëm të shtetit, që duhet të ndërgjegjësohen se pushteti nuk është mjet për pasurim vetjak, por shërbim ndaj popullit tënd. Ai do të mbetet njëherazi edhe një krenari qytetarie dhe ndershmërie për Korçën tonë.

Në foto: Në të majtë Pandeli Evangjeli dhe djathtas Koço Kotta.