Trashëgimi

Radioja ime e vjetër - Nga Florian Vlashi

Kjo është radioja e vjetër "Veb Stein Berlin" që ka qenë në shtëpinë tonë përpara se unë të lindja. Pra, duhet të kem filluar të dëgjoj muzikë nga pëlhura e altoparlantit të saj në emisionet e Radio Tiranës, Romës apo Bukureshtit.

Im atë çdo mëngjes në orën 6 ndiqte programin e muzikës klasike në "Rai Radio1" dhe incizonte të gjitha veprat për violinë, Muzikë Dhome apo orkestër. Dhe unë, thuajse çdo mengjes, hapja syte me regjistrimin e ditës në magnetofonin Unitra: Bach nga Szeryng, Beethoven nga Stern, Paganinin nga Accardo, Bartok nga Gitlis, Enescu nga Menuhin, Sibelius nga Ferras, Shostakoviç nga Oistrah si dhe veprat madhore nga Stravinski, Ravel, Debussy, Penderevski, Ligeti apo De Falla. Këto programe, bashkë me koleksionin e disqeve të familjes, ishin një pasuri e rrallë që formuan ADN-n time.

Butoni i zërit të radios më kujton nivelet e dëgjimit atëherë: muzika klasike dhe shqiptare e kishte volumin në mes, ajo bashkëkohorja më poshtë, muzika pop e jazz e kishin të ulët ndërsa, për Zërin e Amerikës apo Radio Vatikanin, zëri ishte gati 0, një pëshpërimë në vesh si ai që të tregon sekretet e botës.

Kur erdha në Spanjë, ndër të tjera, mora me vete edhe telefonin e vjetër, orën e murit dhe radion gjermane. Ishin zëri i shtëpisë që lashë. Tani radion e mbaj në studio pranë disqeve, CD, ekipit të muzikës dhe kompjuterit. Qëndron aty e heshtur dhe e bukur, akoma me shenjat dhe pluhurin e asaj kohe. Shpesh rri gjatë duke e parë. Dje iu afrova dhe, pas 28 vitesh, e vura në prizë. Shtypa me kujdes butonin për ta ndezur por ... ajo nuk reagoi. Nuk nxorri asnjë tingull, asnjë zë, as edhe një zhurmë. Sepse ajo e kish kryer tashmë misionin e saj. Ajo është aty vetëm për të më kujtuar se nga vij e kush jam.