Trashëgimi

Karantina e Petro Markos - Nga Bardhyl Londo

Bardhyl Londo

Petro Marko mbylli sytë një ditë të premte. U ktheva rreth orës tetë të mbrëmjes në shtëpi kur mora vesh lajmin e hidhur. Atëherë drejtoja gazetën “Drita” dhe duhej shkruar diçka patjetër. Por koha ishte shumë e shkurtër. Kompjutera ende nuk kishim, shtypshkronja punonte ende me radhitje me dorë.

Unë e njihja mirë jetën dhe vetë Petro Markon dhe nuk e pata të vështirë shkrimin “Shkrimtari që mundi tre diktatura”. Më vonë shkrimi u botua në librin tim “Panteoni, brenda dhe jashtë”. Por nga nxitimi kisha bërë një gabim: nuk ishin tre, regjimet që kishte luftuar shkrimtari i madh, por katër. Kisha harruar luftën e tij kundër diktaturës së Frankos në Spanjë.

Petro Marko si republikan, ishte nga gazetarët më aktivë kundër mbretërisë së Zogut, si antifashist u internua nën pushtimin fashist, ndërsa në regjimin komunist provoi burgun, por sidomos censurën e rafinuar komuniste, një nga censurat më të tmerrshme që ka njohur njerëzimi.

Librat e tij pasi botoheshin (jo të gjitha) pas shumë peripecive, disa ndaloheshin e bëheshin karton, siç ndodhi me romanin “Një emër në mes të katër rrugëve”. Por goditjen më të tmerrshme ia dhanë me të birin, Jamarbërin të cilin e burgosën në moshë shumë të njomë në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Më vonë Jamarbri vrau veten.

Kur vdiq, Petro Marko e kish lënë amanet të mos i bëhej asnjë nderim shtetëror, të mos përcillej nga asnjë zyrtar dhe të varrosej në vendlindje, në Dhërmi. Ndonëse është nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës shqipe, ai nuk pranoi deri sa vdiq asnjë dekorim shtëtëror.

©Bardhyl Londo