Trashëgimi

Qiriu-njeri apo njeriu-qiri i Naim Frashërit - Nga Erget Cenolli

Erget Cenolli

Nëse do të lexonim në kohën e sotme “Fjalët e qiririt” dhe nuk do ta dinim se kush e ka shkruar, do të mendonim se ky është një autor postmodern. Këmbimi i figurave dhe simboleve, të shfaqen e zhduken para syve: herë vijëzohet para teje një njeri i krrusur, i vuar e i përpëlitur; herë një qiri që digjet e shkrin pafundësisht. Më pas, me gjuhët e flakës flitet, shkruhen vargje, shkruhet ajo që afro pesëdhjetë vite më vonë, Lasgushi do ta quante “Gjuha e Zjarrtë”.

Kur mendon se figura e çuditshme e “njeriut-qiri” apo “qiriut-njeri”, është krijuar në shekullin e 19-të (u botua në vitin 1886 tek libri “Vjersha për mësonjëtoret e para”), të mrekullon dhe ndërkohë të habit me gjeninë poetike që e krijoi. (Afro 15 vite më vonë, pikërisht në vitin 1899, Kostandin Kavafi do të shkruante një vjershë ku qirinjtë e shuar janë vitet që ikin ndërsa të ndezurit ata që nuk kemi jetuar ende).

Nën dritën e qiririt janë shkruar kryevepra të panumërta botërore. Ndërsa qiriri tretej, fjalitë dhe paragrafët rrëshqisnin mbi letrën e bardhe duke duke prodhuar Komedinë Hyjnore, Dekameronin, sonetet e Petrarkës, Hamletin, Makbethin, Don Kishotin, Faustin, Kopracin e Tartufin, e mandej Eugjen Onjeginin, xha Gorionë, Guimplenin, Zhan Val Zhanin etj. etj. etj. Pastaj me mijëra ngjyra të hedhura në tablotë e gjenive të pikturës e mijëra nota të hedhura në pentagramët e gjenive të muzikës, të gjitha e të gjitha pikërisht nën dritën e qiririt.

E aty, bashkë me qiririn që digjet, përvëlohet edhe shpirti i krijuesit që rrezaton nën dritën e atij qiriri duke shpërndarë buzëqeshje, dhimbje e sakrifica për të ndriçuar mendjet e miliona njerëzve.

Në atë poezi madhështore, të papërsëritshme të Naimit, rrjedhin e thëna dhe e pathëna, realja dhe imagjinarja, bota jonë dhe kozmosi të koncentruara të gjitha në një metaforë, dalë nga mendja dhe shpirti i një njeriu-gjeni gjithmonë të përvëluar, nga malli për vendlindjen, nga dashuria për një prej gjuhëve më të vjetra të botës. Një trajtim i thellë, filozofik, religjioz, dialektik e metafizik; në një botë që mund ta shohë vetëm poeti i lindur në një kënd të dheut i cili ka mbjellë e pjellë, mijëra mite nga rrjedh kultura mbarëbotërore.

Këto qenie metaforike që përfaqësjnë në një trup të gjallën dhe të pagjallën, të vërtetën dhe të përfytyruarën, mund të dalin vetëm nga një mendje e pazakontë e përndritur vetëm nga një frymëzim qiellor, siç ka qenë mendja dhe shpirti i Naim Frashërit.

©Erget Cenolli

 

Fjalët e qiririt - Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar

 E jam duke përvëluar,

 Që t’u ap pakëzë dritë,

 Natënë t’ua bënj ditë.

 Do të tretem, të kullohem,

 Të digjem, të përvëlohem,

 Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,

 Njëri-tjatërin të njihni.

 Për ju do të rri të tretem,

 Asnjë çikë të mos mbetem,

 Të digjem e të qanj me lot,

 Se dëshirën s’e duronj dot.

 Unë zjarrit nuk i druhem

 Dhe kurrë s’dua të shuhem,

 Po të digjem me dëshirë,

 Sa të munt t’u ndrinj më mirë.

 Kur më shihni se jam tretur,

 Mos pandehni se kam vdekur;

 jam i gjall’ e jam ndë jetë

 jam në dritët të vërtetë,

 Unë jam në shpirtit tuaj,

 Mos më kini për të huaj,

 M’është falurë durimi,

 Andaj po digjem si trimi,

 Se ma k’ënda t’u bënj mirë,

 Të mos mbeti n’errësirë.

 Jakëni rreth meje rrini,

 Flisni, qeshni, hani, pini,

 Në shpirt kam dashurinë,

 Pa digjem për njerëzinë,

 Lemëni të përvëlohem,

 nukë dua më të ftohem,

 Dua ta djek trupn’ e shkretë

 Për atë zotn’ e vërtetë.

 Me zjarr ta djek mushkërinë

 E të tretem për njerinë,

 Bashkë me gëzimt të tija

 të vete te perëndia.

 Unë dua njerëzinë,

 Mirësin’ e urtësinë,

 Në bëhi shokë me mua,

 Në më doni si u dua,

 Njëri-tjetërin në doni,

 Të paudhë mos punoni.

 O zëmëra fluturake,

 Qasju pakë kësaj flake!

 Mase krahët t’i përvëlon,

 Po dhe shpirtin ta shënjtëron.

 Unë duke përvëluar,

 Njerëzit i kam ndrituar.

 Kam qënë mik me njerinë,

 Andaj i di e më dinë.

 Gjithë tuajt’ i kam parë,

 Mëm’ e at’ e fis e farë,

 Si tani gjithë i kam ndër mënt,

 Që rrininë më këtë vënt.

 Edhe sot nër ju ata shoh,

 Se shpirtin e tyre ua njoh,

 Dhe unë si ju jam ndruar

 E jam përzjer’ e ndryshuar,

 Pa jam bërë shumë herë

 Zjar e uj’ e balt’ e erë.

 Jam një shkëndijë pej qielli

 dhe një drudhëzë pej dielli.

 Edhe ndër qiej fluturonj,

 Edhe brënda në det qëndronj,

 Shumë herë fle në baltë,

 Diku ndodhem dhe në mjaltë

 Bënem qëngj e kec i pirë,

 Lul’ e bar e gjeth i mbirë.

 Dua shumë fjalë t’u them,

 Po trëmbem mos i bënj ujem.

 E ku shkruhenë në kartë

 Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?