Trashëgimi

Kush ishte Vasil Avrami, kryebashkiaku i parë i Korçës - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla

Kjo është historia e panjohur e kryetarit të parë të Bashkisë së Korçës, ish-ministrit të Drejtësisë dhe deputetit të Korçës, në kohën e Mbretërisë, Vasil Avrami (1890-1962), i cili refuzoi të bënte pjesë në delegacionin shqiptar që i çoi “Kurorën e Skënderbeut” mbretit të Italisë, Viktor Emanuelit të III-të dhe më pas u burgos dhe internua nga regjimi komunist. 

Vasili u lind në vitin 1890 në qytetin e Korçës, nga një familje me origjinë të hershme qytetare. Babai i tij, Rafael Avrami, nuk kishte shkollë të lartë, por ai u kujdes që atë t’ua mundësonte fëmijëve të tij. Dy djemtë e tij, Vasili dhe Sotiri, u shkolluan për Drejtësi, në Stamboll dhe Paris.

Vasili, pasi mbaroi të mesmen në Korçë, shkoi në Athinë, ku kreu dhe gjimnazin klasik me rezultate të larta dhe fitoi më pas të drejtën e studimit për Drejtësi në Stamboll, ku u diplomua në vitin 1915. Pas studimeve ai u kthye në qytetin e tij të lindjes, ku nga viti 1917 shërbeu si kryetari i pare i Bashkisë së Korçës, post që e mbajti deri në vitin 1924.

Pas rikthimit të Zogut në pushtet në dhjetor të vitit 1924, Vasili si përkrahës i tij, shkoi në Tiranë dhe kandidoi për deputet në zgjedhjet e vitit 1925, në qarkun e Korçës, ku familja e tij gëzonte ndikim të madh. Vasili fitoi bindshëm ndaj rivalëve dhe së bashku me Pandeli Evangjelin dhe Koço Kottën hynë në parlament. Po atë vit, ai u martua me Dhimitra Avramushin, që rridhte nga një familje emigrantësh në Kajro dhe nga kjo martesë lindën dy vajzat e tyre, Keti (Hobdari) dhe Zhaneta.

Nga viti 1925 dhe deri në vitin 1939, ai ishte deputet i Parlamentit shqiptar duke mbajtur dy herë postin e ministrit të Drejtësisë dhe u shqua si politikan i pakorruptuar. Me pushtimin fashist të Shqipërisë, ai dha dorëheqjen sepse nuk pranoi të shkonte në delegacionin që do t’i dorëzonte “Kurorën e Skëndërbeut” Mbretit Viktor Emanueli i III-të. Edhe gjatë pushtimit gjerman, ai qëndroi neutral, duke mos marrë pjesë në qeverinë e Regjencës dhe duke refuzuar kërkesën këmbëngulëse të Xhafer Devës.

Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ai në fillim nuk u ngacmua, por u mor me menaxhimin e pronave të tij. Në vitin 1950, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe pasi u mbajt për një vit në hetuesi lirohet një vit më vonë, në 1951. Më vonë, u internua për pesë vite në fshatrat e Myzeqesë dhe të rrethit të Vlorës, ku nga kushtet e këqija u sëmur rëndë dhe u paralizua.

Pas lirimit të tij nga internimi, atë e sollën në Tiranë, ku e shoqja e tij Dhimitra dhe dy vajzat, i shërbyen me shumë përkushtim deri sa ai ndërroi jetë në 13 gusht të vitit 1962.

Është detyrë atdhetare dhe qytetare, që njerëz të tillë, me personalitet të spikatur e profesionalizëm të lartë, të kujtohen e nderohen siç e meritojnë. Boll kanë ndenjur në hije dhe janë eklipsuar nga pseudopatriotë të njëqind flamurëve.

©Klodi Stralla