Trashëgimi

Isuf Luzaj, një dritë e mendimit ende e panjohur - Nga Përparim Kabo

Përparim Kabo

Sot ai mbush 110 vjeç. Një bir i Kaninës, që u gatua nga tri materie: nga historia, nga kultura dhe nga shqiptarizma. Ne kemi mendim shqiptar, historik, albanologjik, kulturor, shkencor dhe në shumë fusha të tjera, por Isuf Luzaj është filozofi ynë i shquar. Ai ishte antifashist, por edhe antikomunist, ishte socialdemokrat dhe një nga ideatorët e Bashkimit Europian pas Luftës së Dytë Botërore, kur punoi me Alcide De Gasperin dhe të tjerë politikanë të kohës. Profesor i Filozofisë në Argjentinë dhe më tej, në SHBA, ku edhe iu dha titulli “Filozof” dhe ku dy nga ish-presidentët e SHBA-së ishin studentët e tij. Ai i takon shkollës së ekzistencializmit veprues dhe jo soditës. E gjithë kultura e tij filozofike u krijua edhe si polemikë idesh dhe qasjesh me të tjerë të nivelit të tij, si Sartri dhe Kamy.

Ai njihte në majën e gishtave mendimin e Antikitetit dhe Rilindjes Europiane, e po aq qartësisht, mendimin filozofik të kohëve moderne. Njihte artin, poezinë dhe dramën, ku edhe ka krijuar me shumë shije dhe estetikë frymëzuese.

Filozofia e tij u vu në shërbim të atdheut, së paku në këto drejtime: Zgjimi i vetëdijes tek njeriu dhe, në mënyrë të veçantë, tek brezat e rinj, që duhet të ribënin një Shqipëri nga kultura dhe historia e popullit. Spikati gjykimi i vetes si përgjegjësi dhe si krijim, duke orientuar se nga duhej nisur dhe si duhej të ecnim si komb. Si rrallëkush, ai vizatoi hapësirën ballkanike me konfliktet dhe urrejtjet e saj ndaj nesh, arbërorëve, dhe la porosi të vyera, gati-gati si një didaktikë historike se si dhe në cilat monopate do duhej të ecej.

Puna e tij është një thesar. Janë rreth 2500 faqe A4. Kjo që ju them nuk është deklamim, e kam këtë pasuri të printuar në shtëpinë time, sepse familjarët e tij ma sollën që ta shikoja, para botimit të plotë…

Sot ai duhej të vinte ndryshe, ja, po e hap imagjinatën dhe po ju ftoj të gjithëve në Vlorë…

Statuja e tij është e derdhur në bronx dhe është e mbuluar me flamurin kombëtar, i madh, që nga Preveza, deri në Mitrovicë, në Ulqin e Tivar, në Ohër dhe në Strugë, e deri në Shkup… Ai ishte për atdheun natyror. Këtë e ngriti dhe në Mukje ku ishte i pranishëm. Tani kryetari i bashkisë, zoti Leli, po tërheq flamurin nën tingujt e Himnit kombëtar dhe shfaqet nën rrezet e diellit, FILOZOFI YNË I MADH…

Por nuk ndodh kështu…

Atje s’ka ceremoni, as këtu në Tiranë. Vlora, kjo zemër e atdhetarisë, si edhe e quajti Princ Vidi kur e vizitoi, në pranverën e 1914-ës, do duhej të ketë tri statuja të kulturës. Isuf Luzaj, Ali Asllani dhe Tahsin Jonuzi…, e të vijohet më tej me disa figura që janë lënë në harresë…

Dje ishte dhe dita e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës. Do thoni ju: “Po çfarë lidhje kanë këta dy persona?”

Ja që kanë. Bashkë ishin në Francë për studime. Edhe në atdhe ishin shokë, por njëri mori krahun e bolshevizmit, tjetri të antifashizmit socialdemokrat. Lufta i ndau, por atdheun e deshën të dy, por në mënyra të ndryshme. Pas luftës kaloi në Itali. Iu lut Hysni Kapo “kthehu!”, por ai nuk e pranoi këtë kompromis me regjimin e asaj kohe. Familja i vuajti persekutimin, por sot mbesa e tij punon në NASA…

Në hyrje të viteve 1990, ai bashkë me profesor Pëllumb Pilinçin i dërguan letër Ramiz Alisë dhe qartazi i thanë: "Mbi tavolinë ne e dimë që ke edhe një zarf të dërguar nga Gorbaçovi. Tani, zgjidh e merr nga do shkosh".

Pas disa muajsh, fare pak, Alia i tha: nga Amerika. Dhe kështu u ftua atje për vizitë, ku dhe u hartua plani për dorëzimin e pushtetit pa gjak, pa luftë civile. U sigurua që Alia të fliste në OKB dhe që Perez de Kuelar të vinte në Shqipëri…

Pra, shndërrimet demokratike kanë në themel kontributin e atdhetarit Isuf Luzaj. Heshtja nuk mund të mbulojë dot këtë tribun të mendimit dhe veprimit progresiv!

Unë fola dhe shpëtova shpirtin tim…

© Përparim Kabo - 21 shkurt 2023