Trashëgimi

Rruga “Musine Kokalari” në Rrëshen - Nga Visar Zhiti

Ditë me diell marsi në Rrëshen dhe unë doja të shkoja në rrugën që mban emrin e shkrimtares, që e dua aq shumë, “Musine Kokalari”. 

Këtej ajo vinte e vetmuar nga baraka në rrethinë, ku e kishin internuar, shkonte në bibliotekë, merrte librin e ri, ulej në një stol te lulishtja e vogël, më e vetmuar se kurrë, askush nuk i afrohej, përveç spiunëve përreth, ajo kishte dalë nga burgu, i trëmbeshin, më keq akoma, kishte studiuar në një vend kapitalist, që na kishte pushtuar, në Itali, në kryeqytet, në Romë, në Universitetin “La Sapienza” për Letërsi, ishte bërë shkrimtarja e parë shqiptare, por nuk e donin fitimtarët, që kishin vendosur një diktaturë më të rëndë se pushtimi. Dhe u doli kundër, me ide dhe qendrime, ua tha hapur në gjyqin mizor, etj, etj…

Në krye të rrugës ishte gjykata, atje dhe mua më kishin sjellë me pranga nga burgu i Spaçit për një gjyq tjetër, e kam treguar në burgologjinë time “Rrugët e ferrit”… Mbase aty ka kaluar dhe Musineja atë ditë, punonte fshesare, thoshin, por jo, ajo bënte beton, ishte e dënuar përjetë, sa të ishte inati i diktatorit Enver Hoxha, kushëririt të saj, mëtonjësit të saj…

Por tani po eci në rrugën “Musine Kokalari”, më këtë emër të bukur, të pastër dhe me dritë të ftohtë marsi, ul kokën dhe shoh që rruga është e shtruar me gurë vullkanikë si ato të Romës, a thua në nderim të saj? Kumbimet e hapave tanë, - jam me priftin Genc Çupi dhe drejtorin e Karitasit Tonin Nikolli, - sikur duan të zgjojnë kujtime të dhimbshme, por dhimbja gjithmonë është zgjuar, sidomos në Rrëshen… kudo… ecim… u tregoj miqve për librin e saj që botuam në Itali, unë bëra parathënien dhe tani sikur vazhdoj bisedën e heshtur me Musinenë… kumbime hapash, kumbojnë dhe Kambanat e Katedrales… si sfidë…

Unë do lutem për shpirtin e saj, pas pak do të shkoj në meshë, e celebrojnë Ipeshkvi Imzot Gjergj Meta, por ka ardhur dhe ministri i Jashtëm i Vatikanit, Shkëlqesia e Tij, Mons. Paul Richard Gallagher.

Bien kambanat… përhapet bukur jehona… Mu… siii… neeeee…. si ngushëllim, si shpresë hyjnore…

© Visar Zhiti