Trashëgimi

“Vajza e Valave”, diamanti i këngës polifonike - Nga Gëzim Zilja

Në një këngë të vjetër himariote aq të njohur në folkun shqiptar, ajo njihet me emërtimin monumental “Vajzë e Valave” dhe është përjetësuar në këngën polifonike me të njëjtin titull. Aq sa unike, e papërsëritshme është vija melodike dhe interpretimi i kësaj kënge nga grupet e Himarës, aq të papërsëritshëm dhe të padëgjuar më parë, janë vargjet e kësaj poezie shkruar nga poeti dhe këngëtari i paharruar himariot Neço Muka.

Po cila është kjo vajzë bijë e “valave të detit” dhe cili është halli i saj? Në pak vargje marrim përgjigjen: Një jetime jam/Pa nënë e baba/Një që kisha/Një që doja/Iku dhe më la e mjera/Iku dhe më la. Vargjet të vendosur tepër ngushtë me njëri-tjetrin, secili në vendin e vet, ku asnjë fjalëz, lidhëz apo germëz nuk është e tepërt, të fusin menjëherë në një botë plot dhimbje, vetmi dhe mall të papërballueshëm. sa vetëm deti mund t’i mbajë… Vajzë e valave/Zëmëra s'ia mban/Mbi një gur anës detit/Qan e zeza, qan e mjera/Qan e zeza qan/Pret atë që pret/Dhe një dhëmbje ndjen/Gjithë bota venë e vine/Por ai nuk vjen e mjera/Por ai nuk vjen.

Këto janë dhjetë vargjet me të cilat vajza fillon bisedën me ngushëlluesin e saj, të duruarin, të madhërishmin, të bukurin dhe të vetmin që mund të mbajë dhimbjen e madhe, që ajo ndien: detin e paanë që prek e mbështjell gjithë lëmshin e dheut. Jam jetime, jam pa nënë e baba, ai që desha iku dhe më la o e mjera, i drejtohet “vajza e valave” detit. Dhe ai përgjigjet me gjuhën e vet, që herë turfullon e shkumbëzon, herë hedh dallgë të stuhishme, e herë lëshohet fare i qetë, duke lënë të dëgjohet vetëm shushurima e valëve në breg, si një muzikë qiellore, e shprese, në shpirtin e vrarë e të malluar të “Vajzës së Valave”.

Pranvera vjen sërish dhe ajo ka ende shpresë. Në një botë ku komunikimi thuajse ishte i pamundur, ku koha kalonte shumë ngadalë dhe një letër donte muaj, ndoshta vite të arrinte në vendin e largët, e vetmja shpresë për ndonjë lajm nëse ishte gjallë, nëse e kujtonte, nëse djali ende e donte ishin zogjtë shtegëtarë. Pranvera arrin/Një mëngjes të qetë/Shkojn’ e vijnë dallandishet/Vajza ju thërret e mjera/Vajza ju thërret. Dallandishet (në dialekt) janë e vetmja shpresë që i ka mbetur. Megjithëse ato fluturojnë lart, në ajrin e pastër të atyre vendeve të bekuara me bukuri mahnitëse, ajo u flet, i porosit, u kërkon, u lutet e përgjërohet plot mallëngjim e shpresë. Vargjet vijnë ulëritëse, thirrëse, duke derdhur mbi kaltërsinë e qiellit, mallin e merakun e pashuar: Ju të bukur zogj/Te ju kam një shpresë/Ju që shkoni det e male/Dua t'u pyes e mjera/ Dua t'u pyes.

Ndoshta ndonjë apo disa dallandishe kanë dëgjuar thirrjet e kanë parë vite me radhë lotët e vajzës, janë ulur dikur, diku aty pranë mbi gurin ku rrinte vajza e valave për ta dëgjuar lutjen e saj: Mos e patë ju?/Rron apo nuk rron?/Ndonjë fjal a ndonjë letër/Vallë a më kujton e mjera?/Vallë a më kujton? Zogjtë shtegëtarë, apo dikush tjetër, të prekur nga dashuria dhe malli i vajzës, e shpërndanë kudo lutjen e saj, deri te djali i dashur.

Një ditë dimri si çdo herë “Vajza e Valave” shkon të flasë me detin. Papritmas dielli u arratis midis reve, qielli u bë sterrë, shpërtheu një stuhi me shi e erë dhe deti u bë si i tërbuar. Retë u ulën mbi det dhe gjithçka mori ngjyrën e plumbtë. Dukej sikur bota do të rrokullisej e do të vidhisej me gjithçka. Midis reve dhe dallgëve vajzës iu fanit i dashuri mbi një anije në detin e tërbuar, ku feksnin çdo çast vetëtimat, duke mbajtur një unazë martese në dorë. Ndërsa ai zgjatej t’i jepte unazën deti si me magji u qetësua, dallgët u fashitën dhe ashtu të lodhura mezi arrinin në breg. Dielli çau retë e zeza dhe drita e tij u shpërnda kudo. Vajza, u këput si një zog i plagosur e ra mbi gur. Deti kishte folur me gjuhën e vet dhe ajo e kuptoi gjëmën, që kishte ndodhur. Djali atje larg nuk e kishte harruar. Diku në thellësitë e minierave apo punët raskapitëse, i lajmëruar nga zogjtë, apo njerëzit, shkruan letrën e fundit, i sëmurë dhe i pashpresë: Letër e zezë vjen, dhe me të vërtetë/Djali kishte udhëtuar, pa kthim përjetë…/Mos u dëshpëro, ti je vajzë e re/Un martohem n’atë jet’ ti martohu atje.

Fundi i kësaj poezie që trondit njeriun deri në palcë ndoshta nuk është ai që pret çdo lexues apo dëgjues i këngës. Sepse dashuria është e veçantë, përjetohet ndryshe nga çdo njeri dhe nuk janë kurrë dy dashuri njësoj. Është e vërtetë që dashuria lëviz malet, që mrekullon ose shkatërron një botë të gjithë, dhe jo rrallë ndal jetën dhe e kthen atë një gjë pa kuptim, kur njeri nga të dashuruarit shuhet. Kjo e fundit është rasti i dashurisë së “Vajzës së Valave” me djalin e bukur nga bregu i detit, që shkoi e nuk u kthye. Ja si vjen përgjigja dhe vendimi i vajzës për djalin që donte dhe mesazhin e përjetshëm që la pas. O i dashur djalë, shkove dhe më le/S’pate faj as ti as unë, ashtu qe për ne/Ne u ndamë këtu o djalë, qielli atje lart/Do të na bashkojë, i dashur, pritmë se po vij…/Hej dynja, dynja, nuk ke gjë të drejt/Lamtumirë o jetë e rreme, merrmë o val e det.

P.S. Qysh në rininë time të hershme kjo këngë më ka intriguar me gjithësej, sepse mbartte diçka të veçantë, që nuk e kuptoja dot. Im atë, kur e dëgjonte grupin e Himarës, me marrës Dhimitër Varfin, vinte veshin te radioja “Figaro” sa një kutizë, mbyllte sytë dhe përhumbej. Pas shumë e shumë vitesh, që ai është larguar nga kjo botë, sa herë dëgjoj këtë këngë ndjej të më këputet diçka në shpirt. Nuk e pyes veten pse më ndodh kjo dhe as që dua të mundohem ta gjej një përgjigje. Thjesht magjepsem, më ndrydhet zemra, më vibron çdo qelizë e trupit, dhe përhumbem…

© Gëzim Zilja