Kolumnist

Tërmeti Trump, triumf - Nga Genc Tirana   

Është mëse e qartë se kësaj here në zgjedhjet presidenciale shumica e amerikanëve nuk u mashtruan nga makina e propagandës dhe gazetarët e CNN, MSNBC, CNBC, ABC, NBC, etj., të konvertuar përfundimisht në aktivistë partie. Madje dhe censura e gjigantëve teknologjikë si Google dhe rrjeteve sociale si Facebook nuk i asfiksoi dot votuesit amerikanë. Ata prej vitesh ishin lodhur nga burokratët e të dy krahëve në Washington. Ishin lodhur edhe prej atyre që përfitonin nga transferimet e kapitaleve në Kinë duke tkurrur kësisoj vendet e punës. Ishin lodhur edhe nga përfituesit prej shitjeve të armëve, ushqimeve pa vlera ushqyese, vaksinave të paprovuara për efektet dhe efikasitetin e të tjera produkte në interes të kundërt me atë të konsumatorit. Ishte pikërisht ky momenti që klasa e mesme dhe njeriu i punës u ngrit kundër batakut të politikës për të rivendosur kontrollin e fateve të tij.

Nëse për qytetarin dhe njeriun e punës ky ishte momenti sublim për aparatçikët dhe infrastrukturën që ishte ngritur për të asfiksuar mendimin e lirë zgjedhja e Trump për herë të dytë erdhi si tërmet. Lëkundjet e para u ndjenë në vetë masmediat kryesore. Sipas Dailymail.com numri i shikuesve të rrjeteve të lajmeve televizive të majta ka rënë në mënyrë drastike fill mbasi Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale. Numri i shikuesve të MSNBC nё muajin nёntor ra me 47 për qind ndërsa CNN shënoi një rënie me 33 për qind. Në emisionet më të ndjekura të mbrëmjes prej orës 8-11 MSNBC ka patur vetëm 644 mijë shikues ndërsa homologu konservator, rrjeti FOX tërhoqi 3.2 milionë shikues.

Në këtë klimë vidhisjeje kur toka rrëshqet nën këmbë, prezantues televizivë si ata të MSNBC, Joe Scarborough dhe Mika Brzezinski që kanë vite qё e krahasojnё Trumpin me Hitlerin në emisionit “Morning Joe” dolën nga skuta e tyre dhe shkuan në shtëpinë e Trump në Mar-a-Lago për ta takuar presidentin e zgjedhur. Ata vollën vrer kundër tij për 7 vjet pa e takuar asnjëherë. Aq destruktive ka qenë gjuha e tyre sa MSNBC u detyrua të tërheqë nga transmetimi “Morning Joe” ditën pas atentatit ndaj Trump verën e kaluar. Është afër mendjes që gjuha e urrejtjes e përhapur në publik nëpërmjet massmediave ndikon dhe nxit urrejtje deri në akte ekstreme. Tani që kritikët akuzojnë me të drejtë këta dy prezantues televiziv për një ndryshimin të kursit të tyre me 180 gradë, Joe dhe Mika e hëngrën turpin me bukë dhe thanë me hipokrizi se tani do të rihapin linjat e komunikimit me presidentin e zgjedhur. 

Edhe pse propagandistët dhe aparatçikët janë në panik nga lëkundjet e këtyre ditëve ngrehina e propagandës është ende në këmbë. Përditë drejtues emisionesh, të ftuar në studio, analistë apo opinionistë të shtypit në të dy anët e Atlantikut në Amerikën e Veriut, Europë e gjetkë supozojnë në “parashikimet” e tyre se Trump do të sjellë një “Rend të ri” botëror. Ata tjerrin profeci për luftën në Ukrainë, Lindjen e Mesme, ekonominë, imigracionin, deportimet, administratën publike dhe aspekte të tjera të jetës social-ekonomike duke alarmuar nga e para opinionin publik për “fatin që e pret”.

Pa analizuar veçmas këto aspekte të problematikës që është ngritur pas zgjedhjeve të fundit, vlen që si fillim t’i përgjigjemi pyetjes: Çfarë mund të quhet Rend ekzistues dhe çfarë quhet Rendi i ri?

Prej dekadash pas Luftës së Dytë Botërore është vërtetuar plotësisht se liria e individit dhe ekonomia e tregut janë modeli më i avancuar i shoqërisë dhe ky ka qenë rendi ekzistues që shpresojmё qё tё mbetet. Për hir të vërtetës, vitet e fundit grupe ekstreme të majta si ai i Klaus Schwab e frynë opinionin publik me predikime për një “rifillim apo rivendosje të madhe”, si teori ekstreme e farkëtuar në mbledhjet famëkeqe të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Ishte pikërisht goditja e sistemit aktual kapitalist dhe promovimi i programit socialist si “Green New Deal” e broçkulla të tjera që Schwab dhe pasuesit e tij paraqitën si qasje drejt një “Rendi të ri”. Trump në këtë dekadë të tranzicionit të tij nga biznesi në politikë ka provuar se është tradicionalist dhe do të ruajë Rendin ekzistues. Në Sesionin e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 25 shtator 2019 ai artikuloi qartë se “E ardhmja nuk u përket globalistëve. E ardhmja u përket patriotëve. E ardhmja u përket kombeve sovrane dhe të pavarura që mbrojnë qytetarët e tyre, respektojnë fqinjët e tyre dhe nderojnë dallimet që e bëjnë çdo vend të veçantë dhe unik.”

Në fakt edhe pse Trump do tё qёndrojё nё Rendin ekzistues ai ka njё qasje tё re ndaj shqetёsimeve kryesore tё shoqёrisё amerikane dhe botёrore. Gjatё gjithё kёtyre viteve ai ka provuar se i qёndron parimit që Amerika të mos harxhojë triliona dollarë në luftra që nuk janë të sajat. Votuesit kësaj here dukeshin të lodhur nga luftrat dhe fakti që miliarderët e industrisë së luftës do t’i mbushnin xhepat edhe një herë nga konfliktet e reja. Por kush do të paguante përsëri për ta?

Amerikanët dinë aritmetikë. Lufta nё Ukraninё ka tre vjet qё ka filluar dhe nuk duket se mbaron ndonjё herё edhe pse Biden ditёt e fundit dha leje pёr pёrdorimin e raketave amerikane me rreze tё gjatё veprimi nё territorin e Rusisё. Qasja e Trump pёr luftёn ёshtё diametralisht e kundёrt. Pa hyrё ende nё Shtёpinё e Bardhё Trump ka zgjedhur gjeneralin Keith Kellogg si të dërguarin e SHBA për Ukrainën dhe Rusinë dhe ёshtё shprehur qartё se do tё tёrheqë armёt nga Ukraina, nёse ata nuk hyjnё nё bisedime paqeje me Rusinё dhe nga ana tjetёr paralajmëron Moskën se, nëse refuzon të negociojë, mbështetja e SHBA për Ukrainën do të rritet. Edhe pse massmediat trumpetojnё tё kundёrtёn, qasja paqёsore e Trump ndaj luftёs ёshtё evidente. U deshёn vetёm disa orё pas zgjedhjes sё tij dhe situata nё Lindjen e Mesme u trondit nga themeli. Tё nesёrmen e zgjedhjeve, pa pritur qё Trump tё hyjё nё Shtёpinё e Bardhё, Hamasi bёri thirrje pёr paqe dhe kёto ditё ambasadori i Izraelit nё Shtetet e Bashkuara, Mike Herzog tha se një marrëveshje armëpushimi për t'i dhënë fund luftimeve midis Izraelit dhe militantëve të Hezbollahut me bazë në Liban mund të arrihet.

“Trump ёshtё jashtё kontrolli”, trumpetojnё analistёt nё dhjetra organe massmediash. Kjo varet si ta shohёsh. Disa analistё si Tucker Carlson kёtё shprehje e plotёsojnё duke thёnё se ai e kontrollon veten “por ështё jshtё kontrollit tё tyre”. Para pak ditёsh tronditja e radhёs ishte se Trump parlajmёroi Kinën si dhe vendet kufitare, Meksikёn dhe Kanadanё pёr tarifa tё rёnda pёr eksportet e tyre nё Shtetet e Bashkuara. Opinioni publik u bombardua menjëherë me shifra se ҫfarё dёmesh ekonomike do tё pёrballen vendet kufitare me rritjen e tarifave me 25 pёr qind. Pothujase aspak nuk u fol pёr qёllimin kryesor tё vendosjes sё tarifave që në fund të fundit bazohen në premtimin e Trump për të forcuar prodhimin në vend. Veçse po tё lexosh me kujdes postimin e Trump nё “Truth Social”, ai shton se “tarifat do të mbetet në fuqi derisa të dy vendet të ndalojnë kalimin e ilegalёve dhe drogës nga ato vende në Shtetet e Bashkuara”.

Ishte pikёrisht ky kusht qё e detyroi kryeministrin e Kanadasё, Justin Trudeau tё mbledhё urgjent kryeministrat e Provincave pёr tё analizuar gjendjen dhe të fluturojë në Florida për të takuar personalisht Trump në Mar-a-Lago. Detajet e bisedës mes dy liderëve nuk u zbardhën plotësisht por në media më shumë u komentuan batutat e humorit në tavolinën e ngrënies kur Trump tha se Kanadaja mund të ishte shteti i 51-të i SHBA. Sipas Bloomberg, në atë darkë Trump ngriti shqetësime të tjera serioze. Një nga pikat e nxehta që u prek në bisedë ishte ajo e trafikut të imigracionit të paligjshëm në kufi që sjell fentanolin e për rrjedhim po vret të rinjtë. Sapo Trudeau u kthye nga Mar-a-Lago, ministri i Sigurisë Publike Dominic LeBlanc deklaroi se Kanadaja do të forcojë sigurinë e saj kufitare në kohë, duke nënkuptuar se masat do të merren përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Sipas www.overdoseday.com vetëm në 2023 në Shtetet e Bashkuara kanë gjetur vdekjen mbi 100 mijë ndërsa në Kanada mbi 8 mijë të rinj e të reja. Rreth 70-80 përqind e këtyre vdekjeve janë shkaktuar nga drogat sintetike e kryesisht nga fentanoli që në pjesën më të madhe prodhohet në Kinë. Një nga arësyet që Trump urrehet nga përfituesit e trafiqeve është se ai i mban premtimet. Ai është betuar përpara zgjedhësve se do të luftojë për jetën e të rinjve duke e penguar helmin që trafikohet nëpërmjet kufijve. Sigurisht që tarifat do të jenë valët e tërmetit që solli Trump dhe vende si Meksika dhe Kanadaja, etj., do të përballohen me këto, nëse politikat e tyre të pasuksesshme nuk ndryshojnë.

Ideatorët famëkeqë të përçarjes së elektoratit sipas gjinisë, racës, seksualitetit etj., për ta dominuar atë po shohin veten në terren të pasigurtë edhe pse Trump nuk është ngjitur ende në zyrën ovale. Agjendakrijuesit e nismave “DEI” (Diversitet, Barazi dhe Përfshirje) dhe “Woke” (ndërgjegjësimi i pakicave me ngjyrë) po shohin se si kompani gjigante si Walmart po prononcohen hapur për t’i nxjerrë punonjësit e tyre jashtë këtyre platformave përçarëse. Gjithashtu kompani simotra si Amazon dhe Target janë nën presion kur shohin Walmart që distancohet.

Aktorët e Hollywood dhe personazhet me famë që prej vitesh përçuan urrejtje ndaj Trump te admiruesit e tyre duket sikur janë futur në skuta. Disa emra të mëdhenj të artit si Beyoncé, Leonardo DiCaprio, Jennifer Lopez e të tjerë, që mbështetën kandidaturën e dyshes Harris/Walz nuk kanë dalë nga qendra e vëmendjes për faktin se Kamala humbi zgjedhjet. Ata flitet që janë emrat kryesorë në listat e zeza të festave sekrete që organizonte muzikanti Diddy. Siç dihet Diddy është në gjendje arresti në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn, i akuzar për shantazh, trafik seksual me forcë dhe për qëllime prostitucioni. Në një intervistë dy muaj më parë Elon Musk është shprehur se listat e bashkëfajtorëve me trafikantin tjetër seksual Epstein që u vetëvra në mënyrë misterioze në burg do të publikohen. Nuk është çudi që Musk të merret seriozisht me publikimin e listave të Epstein dhe Diddy. Kjo do të ishte tronditja e radhës për hipokritët e Hollywood. Nuk mund të hipësh në podiumet elektorale për të predikuar qytetarëve kë të zgjedhin dhe në të njejtën kohë të zhytesh në orgjitë sekrete që organizonte Diddy!

Tërmeti Trump po perceptohet si triumf te prindërit dhe fëmijët që kohët e fundit kanë qenë konfuzë përsa i përket identitetit gjinor. Ideja e Trump është që t’i kthehet asaj që ka qenë pranuar prej shekujsh. Ai do t’i kërkojë Kongresit që të pranojë të njihen vetëm dy gjini nga lindja. Ai është i vendosur që t’i jepet fund praktikës që individë të lindur meshkuj të konkurrojnë në sport me femrat. Vetë Elon Musk e konsideron veten viktimë të propagandës transgjinore. Është fakt që një nga djemtë e tij Vivian Jenna Wilson u kthye në femër gjatë periudhës së konfuzionit për shumë të rinj gjatë epidemisë COVID. “Woke vrau djalin tim” është shprehur ai në rrjetin social X. Prej kohësh aktivistë si Chloe Cole që kanë patur të njëjtin fat me fëmijën e Musk janë ngritur publikisht kundër të ashtuquaturit “Kujdes Gjinor për të Miturit”. Ky “kujdes” në fakt përligj vendimin për të t’i futur adoleshentët nën trajtime mjeksore me efekte permanente që përfshijnë bllokues të pubertetit, testosterone dhe mastektomi të dyfishtë. Zëri i këtyre aktivistëve nuk është dëgjuar sa duhet por pas tërmetit ky fenomen duket se do të shihet ndryshe.

Ndoshta më në gjendje kaosi janë të ndikuarit nga propaganda anti-Trump. Ata që njihen me termin TDS (Sindromi i Çrregullimit Mendor nga Trump) mund të thuhet se janë të konsiderueshëm në numër. Vetë komentatori politik i CNN, Fareed Zakaria e përkufizon këtë sindromë si “urrejtje ndaj Presidentit Trump aq intensive sa që dëmton gjykimin”.

Ditët e fundit një grup i konsiderueshëm femrash po ndjekin një lëvizje radikale feministe me origjinë nga Korea e Jugut që gratë ndërpresin marrëdhëniet me burrat për shkak të shoqërisë patriarkale të vendit të njohur atje me termin “4B” e që në anglisht njihet me termin “pussy strike”. Fakti është që në rrjetin social TikTok dhjetra gra amerikane po postojnë video duke rruar kokën për të protestuar kundër rizgjedhjes së Donald Trump. Ato mendojnë se kështu ato do nuk do të jenë tërheqëse për burrat që nuk votuan për Harris. Ato deklarojnë se nuk do të bëjnë seks deri më 2028 ndërkohë që çuditërisht grumbullojnë gjithashtu për çdo rast pilula aborti ose kontraceptivë. Për hir të vërtetës nga njëra anë kjo lëvizje injoron shumë gra, kur dihet që 43 për qind e femrave nga moshat 18-44 vjeç votuan për Trump. Nga ana tjetër vendimi për të mos bërë seks dhe për të mbajtur kontraceptivë në të njejtën kohë është kontradiktor. Gazeta “The Guardian” shkruan se beqaria vullnetare ka qenë në rritje në SHBA por fitorja e Trump i dha një shtysë të madhe. Ndoshta këtu gjen vend ajo pyetja retorike që thuhet në Labëri në kësi rastesh: “Ore, mos u ka ndodhur gjë nga Mendoria?”

Sado qesharak të duket ky fenomen, kur lajthitja merr përmasa kolektive, konseguencat duhen marrë me seriozitet. Deri tani qytetarët janë infektuar nga propaganda e gazetarëve dhe politikanëve të paguar që pa kursim kanë përdorur termat fashist apo Hitler. Tani është kohë tjetër dhe në dritën e fakteve të reja për të kthjelluar kokën do duhet së pari t’i bësh pyetje vetes: Në çfarë rrethanash mund të quhet lideri i zgjedhur “fashist”? Kur hedh bomba mbi kokën e qytetarëve të vendeve në konflikt apo kur përpiqet për të vendosur paqe, kur eksporton punët në Kinë dhe Indi apo kur rrit prodhimin në vend dhe i jep frymëmarrje klasës së mesme, kur i orienton prindërit dhe mjekët që t’u japin fëmijëve bllokues të pubertetit apo kur i orienton nga e kundërta, kur i përçan qytetarët sipas racës, orientimit seksual, gjinisë, etj., apo kur i bashkon dhe përulet vetëm përpara flamurit dhe hymnit kombëtar?

© Genc Tirana